.

vije ndarëse

Postuar më: 06/06/2022

25 milionë euro financim shtesë për spitalet, Manastirliu në Komisinin e Shëndetësisë: Investime madhore për infrastrukturën dhe menaxhimin spitalor, përmirësojmë cilësinë e shërbimit

“Financohet rehabilitimi i plotë i pesë spitaleve, Spitali i Kardiokirurgjisë, Spitali i Djegie-Plastikës, Spitali Psikiatrik në QSUT si dhe Spitali i Lezhës dhe Spitali i Krujës. Investohet edhe për zgjerimin e digjitalizimit në sistemin shëndetësor”.

Tiranë, 6 Qershor – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale Ogerta Manastirliu ka prezantuar në Komisionin për Shëndetësinë dhe Çështjet Sociale, projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin shtesë për spitalet, përmes projektit “Përmirësimi i Sistemit Shëndetësor.
“Kjo marrëveshje synon që të përmirësojë sistemin shëndetësor duke pasur fokus në reformën spitalore. Financimi shtesë është në vlerën 25 milionë euro dhe ndahet në tre komponentë. Në komponentin e përmirësimit të infrastrukturës; në komponentin e përmirësimit të menaxhimit të informacionit shëndetësor dhe në komponentin e tretë monitorim, vlerësim, menaxhimin e projekteve dhe asistencës teknike”, tha Manastirliu.
Duke folur për investimet në infrastrukturë përmes këtij projekti, Manastirliu bëri me dije se do të investohen pesë spitale.
“Do të përfundojë modernizimi i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; nëpërmjet rehabilitimit të spitalit të Kardiokirurgjisë, spitalit të Djegie-Plastikës, Spitalit Psikotrik. Gjithashtu do të kemi mundësi që të përfundojmë edhe rehabilitimin e spitalit të Lezhës, të spitalit të Krujës”, tha Manastirliu.
Marrëveshaj e re mbështet edhe përmirësimin e menaxhimit të informacionit spitalor.
“Ne tashmë kemi hyrë në një proces intensiv edhe të digjitalizimit në sistemin e kujdesit spitalor, ku një rëndësi dhe fokus të veçantë i është vendosur pikërisht sistemit të informacionit, i cili tashmë ka filluar zbatimin e tij në 4 spitale të para. Ndërkohë që nëpërmjet kësaj marrëveshjeje dhe nëpërmjet financimit nga kjo marrëveshje, ne synojmë që të shtrijmë sistemin e informacionit spitalor edhe në 7 spitale të tjera, duke përfshirë këtu spitalin e Gjirokastrës, Beratit, Lezhës, Fierit, Korçës, Dibrës dhe Kukësit”, tha Manastirliu.
Në fjalën e saj, Manatirliu tha se nevoja për një financim shtesë u rrit duke pasur parasysh pasojat e Covid19, për të fuqizuar spitalet tona.
“Ky financim shtesë ishte hapi i duhur dhe vjen në momentin e duhur, përpos gjithë financimit që buxheti i shtetit alokon, qoftë përsa i përket investimeve, qoftë përsa i përket shpenzimeve operative, në mënyrë që ne të vijojmë dhe të ecim më shpejt dhe të intensifikojmë përpjekjet tona për të përmirësuar dhe për ta bërë sistemin tonë spitalor më efektiv, për ta sjellë atë më afër qytetarëve dhe për të pasur mbi të gjitha shërbime sa më cilësore”, tha Manastirliu.
Në Komisionin e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale po diskutohet projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet
Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe
Zhvillim, për financimin shtesë për projektin “Përmirësimi i sistemit të
shëndetësisë”. Qëllimi i projektligjit është të kontribuojë në modernizimin e shërbimeve spitalore publike dhe të mbështesë rindërtimin e disa spitaleve të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019.
Financimi shtesë në vlerën 25 milionë euro për projektin e përmirësimit të sistemit shëndetësor në Shqipëri do të sigurojë ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët dhe përmirësim të mëtejshëm të ofrimit të shërbimit të kujdesit spitalor në vend.