.

vije ndarëse

Postuar më: 20/11/2023

Ministrja Koçiu: Të angazhuar për të krijuar armatën e profesionistëve në mbrojtje të fëmijëve

Fëmijët kanë nevojë për mbrojtje të veçantë në internet dhe ata duhet të edukohen se si të shmangin rrezikun dhe si të përfitojnë maksimalisht nga përdorimi i tyre i internetit.
Në kuadër të Ditës Botërore të Fëmijëve, nën kujdesin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, Ministria e Rinisë dhe e Fëmijëve, AKCESK, Shërbimi Social Shtetëror, partnerët kombëtarë dhe ndërkombëtarë u organizua një aktivitet ndërgjegjësues për të drejtat e fëmijëve.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu iu bashkua këtij aktiviteti të organizuar në ambientet e Qendrës TUMO te Piramida, ku fëmijët prezantuan projektet inovative që ndjekin në qendër duke dhënë mesazhe dhe për fëmijët e tjerë për të drejtat e tyre.

“Duke mësuar do të bëheni të shëndetshëm nesër, dhe duke qenë të suksesshëm nesër do të mund të merrni shumë vendime të rëndësishme që ndikojnë për gjithë jetën e komunitetit dhe gjithë jetën e shoqërisë. Dhe do ta bëni shoqërinë më të mirë dhe një vend shumë më të bukur për të jetuar”, – ishte mesazhi i Ministres Koçiu për fëmijët pjesëmarrës në këtë aktivitet ndërgjegjësues.

Ministrja e konsideroi me rëndësi ngritjen e mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve nga informacionet e ndryshme që shfaqen nëpërmjet internetit.

“Të ngremë mekanizmat që fëmijët të mos dëmtohen në këtë fazë të hershme nga lloj-lloj informacionesh që shfaqen. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, qeveria shqiptare, janë të angazhuar për të krijuar armatën e profesionistëve siç tashmë e kemi bërë nëpërmjet krijimit të Urdhërit të Psikologut dhe punonjësit social”, ka deklaruar ministrja Koçiu.