.

vije ndarëse

Postuar më: 10/05/2024

Koçiu: Përfundon procesi i dezinsektimit dhe monitorimit në qarqet Shkodër, Fier, Durrës dhe Tiranë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, së bashku me kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla, drejtoreshën e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, prefektin e Qarkut të Tiranës, Afrim Qëndro, ishin në Spille, ku ndoqën nga afër programin e dezinsektimit.

Spilleja, është një zonë e frekuentuar çdo ditë e më shumë në vijën bregdetare të Adriatikut. Kjo zonë është përfshirë në hartën e Programit Kombëtar të Dezinsektimit, pjesë e planit të masave të marra nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për një sezon turistik të qetë dhe të shëndetshëm për të gjithë ata që zgjedhin Shqipërinë për të pushuar.

Koçiu tha se, kjo zonë ka qenë një nga më problematikat sa i përket shqetësimit nga mushkonjat.

Gjithashtu, ministrja theksoi se, ka përfunduar faza e parë e dezinsektimit dhe monitorimit në qarqet Shkodër, Fier, Durrës dhe Tiranë.

“Kemi përfunduar procesin e dezinsektimit në gjithë vatrat, të cilat janë vatra të nxehta për nga grumbullimi i larvave të mushkonjave. Kemi përfunduar në Shkodër, në Fier, në Durrës. Këtu jemi në qarkun e Tiranës, prandaj jemi së bashku ku janë dy bashki të rëndësishme si Kavaja dhe Rrogozhina. ndërkohë që sot së bashku me specialistët ekspertë të ISHP, por dhe të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, ne kryejmë fazën e dytë, që është vlerësimi apo monitorimi entomologjik, që është i rëndësishëm për të kuptuar nëse ka pasur apo jo efekt procesi i kryer para 48 orësh”.

Më tej, Koçiu theksoi se, roli i bashkive është i rëndësishëm në këtë proces.

“Ndërkohë që ne kryejmë këtë proces, të gjithë operatorët, bizneset private, strukturat akomoduese, duhet që gjithashtu të marrin masa sa i përket kushteve higjieno-sanitare, por edhe pushteti vendor, vetë bashkitë për të pastruar territoret e plazheve për të shmangur sa më shumë grumbullimin e mushkonjave. Por, sigurisht nga papastërtitë vijnë dhe problematika të tjera që bëhen shqetësuese për shëndetin publik. Prandaj, do të na duhet shumë që të bashkëpunojmë me strukturat e pushtetit vendor me qëllim që të sigurojmë dhe garantojmë respektim të kushteve higjieno-sanitare, respektim të masave nga bizneset dhe operatorët që kryejnë shërbimet e tyre në territor”, tha ministrja.