Ministria e Shëndetësisë

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, vizitë në Qendrën e Zhvillimit Rezidencial Durrës

Dako: Bashkia e Durrësit e ka prioritet ndihmën dhe mbështetjen për njerëzit në nevojë

Durrës, 28/12/2016 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, ishte në Qendrën e Zhvillimit Rezidencial në qytetin e Durrësit nga ku përcolli urimin e tij me rastin e festive të fundvitit për të gjithë fëmijët me aftësi ndryshe.

I shoqëruar edhe nga Kryetari i Bashkisë, z. Vangjush Dako, z. Beqaj u njoh me disa prej punimeve të bëra nga fëmijët e kësaj Qendre, ndërsa ndoqi edhe aktivitetin e organizuar prej tyre me rastin e festave të fundvitit. Në prononcimin për mediat, z. Beqaj tha se kjo është një tjetër dëshmi e vëmendjes që qeveria ka për këto institucione ndërsa shprehu falënderimet për punonjësit e Qendrës por edhe të gjithë atyre që kontribuoojnë në mbarëvajtjen e këtyre Qendrave.

#FestatDuanDashuri – Nën këtë moto, edhe sot në këtë qendër të rëndësishme të kujdesit social, kemi ardhur të bëjmë vizitë në prag festash. Por kjo vizitë, në fakt, është pjesë e vëmendjes që qeveria ka për këto institucione “, dhe në fakt, këto institucione, ajo çfarë bëhet këtu, është mishërimi i ngjizjes së solidaritetit social që ne kemi arritur të ngremë, por edhe që duhet të promovojmë”, u shpreh z. Beqaj.

Nga Durrësi, kreu i shëndetësisë përcolli edhe urimin e tij me rastin e festive të fundvitit. “Meqënëse jemi dhe në prag të festive, edhe një herë, Gëzuar vitin 2017, të jetë një vit më i mbarë, më shumë shëndet, më shumë begati dhe sidomos më shumë solidaritet dhe përkujdesje sociale. Faleminderit!”, deklaroi z. Beqaj.

Nga ana e tij, Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako tha se ky është viti i 10-të që institucioni që ai drejton viziton këtë Qendër, çdo prag festash, teksa siguroi se Bashkia që ai drejton e ka pritoritet ndihmën dhe mbështetjen për të gjithë njerëzit në nevojë.

“Bashkia e Durrësit e ka prioritet ndihmën dhe mbështetjen për të gjithë njerëzt në nevojë dhe ne do ta vazhdojmë edhe në vitin e ardhshëm ku në buxhetin që do të miratojmë këto ditë kemi parashikuar një fond të posaçëm i cili është në shifrat më të mëdha se asnjherë tjetër në Bashkinë e Durrësit. Unë, edhe njherë, ju uroj gëzuar dhe gjithë mbështetjen tonë për njerëzit në nevojë!” – u shpreh kryebashkiaku i Durrësit, z. Vangjush Dako.

—###—

Fjala e plotë i Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj:

Festat duan edhe dashuri! Nën këtë moto, edhe sot në këtë qendër të rëndësishme të kujdesit social kemi ardhur të bëjmë vizitë në prag festash. Por kjo vizitë, në fakt është pjesë e vëmendjes që qeveria ka për këto institucione dhe në fakt këto institucione, ajo çfarë bëhet këtu është mishërimi i ngjizjes të solidaritetit social që ne kemi arritur të ngremë po dhe që duhet të promovojmë. Sepse këtu, praktikisht, është jo vetëm kujdesi institucional, jo vetëm kujdesi i shtetit, por më të rëndësishmit janë, në radhë të parë, përkushtimi dhe profesionalizimi i personelit, dhe unë dua të shpreh këtu mirënjohjen për punën që ato bëjnë, sepse praktikisht ata falin çdo ditë të vitit, çdo minutë dashuri.

Sigurisht, mirënjohje për përgjegjësitë sociale që zhvillohen përherë e më tepër në Shqipëri, ku përfaqësues të sipërmarrjes, të biznesit ndihmojnë në mbarëvajtjen e këtyre qendrave. Padyshim, mirënjohje për të gjithë ata vajza dhe djem të cilët dhe në mënyrë vullnetare vijnë dhe kontribuojnë këtu në ditë të ndryshme të vitit edhe kur nuk ka vëmendje mediatike.

Falënderoj institucionet fetare, të cilat në mënyrë të vijueshme ndihmojnë që edhe në këto qendra të mund të mbështesin fëmijët me aftësi ndryshe, në radhë të parë për vetë fëmijët, por edhe për të lehtësuar sadopak edhe familjet e tyre.

Meqënëse jemi dhe në prag të festave, edhe një herë, Gëzuar vitin 2017! Të jetë një vit më i mbarë, më shumë shëndet, më shumë begati dhe sidomos më shumë solidaritet dhe përkujdesje sociale! Faleminderit!

—###—

Fjala e plotë e Kryetarit të Bashkisë Durrës, z. Vangjush Dako:

Dua ti uroj gëzuar festat, gëzuar Vitin e Ri të gjithë njerëzve në nevojë! 10 vjet rresht që vijmë në këtë Qendër, gëzojmë me këta fëmijë dhe nga dita në ditë, nga viti në vit shikojmë ndryshime të mëdha të Qendrës, gjithmonë për të rritur shërbimin ndaj fëmijeve, por nga ana tjetër shikojmë edhe një përkujdesje dhe një mbështetje shumë të madhe edhe të biznesit i cili nga viti në vit dhe ai ka ardhur duke dhënë ndihma në mënyrë vullnetare më shumë për këtë Qendër dhe kështu shpresojmë që të vazhdojmë edhe në vitet e ardhshme.

Bashkia e Durrësit e ka prioritet ndihmën dhe mbështetjen për të gjithë njerëzt në nevojë dhe ne do ta vazhdojmë edhe në vitin e ardhshëm ku në buxhetin që do të miratojmë këto ditë kemi parashikuar një fond të posaçëm i cili është në shifrat më të mëdha se asnjherë tjetër në Bashkinë e Durrësit.

Unë, edhe njëherë, ju uroj gëzuar dhe gjithë mbështetjen tonë për njerëzit në nevojë!

—###—{:}