Ministria e Shëndetësisë

Sistem inovativ administrimi në territor i autoambulancave të urgjencës mjekësore

Beqaj: Përmirësojmë ndjeshëm administrimin e burimeve dhe flotës në territor

Tiranë, 17/11/2015 – Flota e autoambulancave të shërbimit të urgjencës mjekësore do të menaxhohet tashmë nga një sistem i ri dhe inovativ administrimi. Sistemi i mbikqyrjes me GPS i flotës së QKUM dhe Formulari i ri i Territorial i regjistrimit të rasteve të urgjencave mjekësore, janë vetëm hapat e parë në rrugën e jetëzimit të një prej angazhimeve madhore të Qeverisë për krijimin e një shërbimi kombëtar urgjencë efikas dhe sipas standardeve ndërkombëtare

Lajmi u bë i ditur gjatë një takimi që Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i shoqëruar nga Zëvendësministri, z. Klodian Rjepaj dhe Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, z. Skënder Brataj, zhvilluan sot (17/11/2015) në mjediset e Ministrisë së Shëndetësisë me mjekë e punonjës të shërbimit të urgjencës mjekësore në vend, ku u prezantuan risitë e sistemit të ri të administrimit të këtij shërbimi.

Në fjalën e tij të hapjes, z. Rjepaj, e vuri theksin te qasja tërësisht e re në riorganizimin dhe menaxhimin e shërbimit kombëtar të urgjencës mjekësore, duke u shprehur se “pas miratimit të ligjit pë urgjencën mjekësore, investimit që po realizohet tashmë për Qendrën e Drejtimit të Shërbimit Kombëtar të Urgjencës Mjekësore, reformimi radikal i urgjencës mjekësore është një nga angazhimet tona programore, por padyshim edhe një nevojë e domosdoshme për shërbimin shëndetësor shqiptar”.

Ndërsa, Dr. Brataj, pasi bëri një analizë të sistemit të vjetër duke marrë shembuj konkretë të regjistrit të shërbimit të urgjencës së Tiranës, bëri një prezantim të hollësishëm të mënyës së re të administrimit, e cila do të fillojë nga vënia në zbatim e Formularit të ri Territorial. Gjithashtu, ai prezantoi edhe sistemin e ri katër-ngjyrësh të kodifikimit të urgjencave mjekësore, sipas shkallës së emergjencës, llojit të sëmundjes dhe lokalizimit, që do të zbatohet njëtrajtësisht në të gjithë njësitë e shërbimit të urgjencave mjekësore në vend”.

Ndërkohë, Ministri Beqaj u shreh i sigurt se duke filluar “nga muaji mars i vitit të ardhshëm, do të kemi një përmirësim të ndjeshëm të flotës në territor,” duke siguruar se do të vazhdojmë me investime të tjera, edhe në mënyrë që të kemi besoj funksional brenda shtatorit, të plotë sistemin e komandës dhe kontrollit”.

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takim.

—###—

Sigurisht që, përmirësimi i shërbimit të urgjencës mjekësore, është një nga prioritetet e Programit të Qeverisë, dhe për rrjedhojë, edhe e punës së Ministrisë së Shëndetësisë. Tashmë, prej më shumë se dy vjetësh, janë disa arritje, por që duhet të pranojmë se ende nuk janë shumë të prekshme për qytetarët, dhe besoj se, tashmë, kemi hyrë në kohën kur relativisht në kohë të shkurtër do të fillojë të ndjehet edhe tek qytetarët përmirësimi, edhe pse disa gjëra unë besoj se gjatë këtij viti kanë ndodhur.

Megjithatë, sot kemi një Ligj të ri të Urgjencës, kemi një institucion të ri, që është Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, kemi investime të bëra vjet, po bëhen sivjet dhe të programuara vitin e ardhshëm, të cilët të gjithë bashkë, në kompleks janë rreth 11,5 milionë dollarë.

Ne shtuam flotën e 20 autoambulancave me 20 mjete, flotën e helikopterëve me një helikopter të ri, kemi filluar ndërtimin e godinës së urgjencës, dhe po prokurojmë pastaj sistemet e administrimit të gjithë proçesit, atë që quhet të komandës dhe kontrollit.

Një hap të ndërmjetëm në territor më shumë, e bëmë gjatë verës me 22 qendrat që hapëm në mbështetje të sezonit turistik, 3 në Alpe dhe 19 në vijën bregdetare, të cilat shërbyen për 3 muaj, 7 ditë në 24 orë. praktikisht, 25 mijë pushuesve që patën nevoja të ndryshme.

Nga data 1 nëntor, të gjitha autoambulancat tona janë të pajisura me këtë sistem, i cili në fakt, përveç një niveli më të lartë monitorimi, që padyshim e ka, do të na shërbejë këto muaj për të përgatitur vendodhjen më optimale të autoambulancave në territorin e vendit vitin e ardhshëm.

Ne kemi sot 222 autoambulanca. Të paktën për këto 222 autoambulanca, kemi vendosur GPS. Numri është mjaftueshmërisht i lartë, nëse e krahasojmë atë me sa autoambulanca përdoren në vende të tjera të ngjashme me tonat, për nga relievi, rrjeti rrugor dhe popullsia.

Por, sigurisht deri më sot, kemi patur minimalisht pak skuadra që do të ishin bashkë me autoambulancat në shërbim të nevojave që kanë qytetarët. Këtë gjë duam ta shtojmë nga viti i ardhshëm, në buxhetin e vitit 2016, janë rreth 430 milion lek të reja që do të shtohen për këtë punë, më shumë personel mjekësor, më shumë personel mbështetës, më shumë barna dhe materiale mjekësore në autoambulanca, dhe sigurisht, më shumë shpenzime transporti, karburant, vajra, goma, që sigurisht janë shpenzime të domosdoshme.

Do të na ndihmojë kjo gjë për të kuptuar se kush janë flukset brenda qyteteve që autoambulancat kanë me nevojat e qytetarëve dhe për t’i ndarë se kush janë nevojat me qytetarët, për nevojat e transportit të pacientëve spital me spital. Sepse praktikisht, me flotën që kemi, përveç Tiranës, e përdorim për të dyja sipas rradhës së nevojave që na vijnë.

Do të vlerësojmë se sa është volumi në kilometra që bëhet për t’iu përgjigjur thirrjeve të qytetarëve dhe se sa është volumi që bëhet spital më spital, në mënyrë që këto dy sisteme t’i administrojmë veç e veç, edhe pse, sigurisht, do të mbështeten nga e njëjta flotë.

Nga 1 dhjetori fillojmë zbatimin e modelit të ri të evidentimit të thirrjeve të urgjencës, që e paraqiti Dr. Skënderi (Dr. Skënder Brataj, Drejtor i QKUM). Ky bllok do t’i shpërndahet çdo autoambulance. Shumë shpejt, do të ketë një akt administrativ të MSH, që miraton përdorimin e tij dhe udhëzuesin se si do të duhet të plotësohet, dhe kemi rënë dakort që në 3-4 vende në Shqipëri, të bëjmë trajnimet e nevojshme të personelit që do të merret me këtë çështje.

Vitin e ardhshëm, spitalet bashkiake që e kanë marrë strukturën e re e kanë parë, ndërsa spitalet rajonale s’e kanë marrë akoma. Në çdo spital, ku kemi të paktën tre autoambulanca apo më shumë, do të krijojmë një njësi të re vetëm të koordinimit të këtij proçesi, sepse numri i skuadrave që do të merren me këtë punë, është shumë më i madh.

Ne po përpiqemi vitin e ardhshëm, që për një autoambulancë, të kemi të paktën katër skuadra, që minimalisht në 7 të mëngjesit, apo në 11, apo në 6, në 10, etj., 90% e flotës tonë të jetë në shërbim të qytetarëve, 10% ta mbajmë rezervë. Sigurisht, në turnin e 3-të, do të kemi një përdorim më të vogël, por do të na ndihmojë edhe kjo që kemi këtu.

Gjithë çfarë do të evidentojë nga 1 nëntori deri në fund të shkurtit, do të na ndihmojë për këtë proçes. Dhe bashkë me kritere të tjera, si popullsia, sipërfaqja në m2, dendësia e popullsisë, metrat linearë të rrugëve të asfaltuara brenda një kilometri katror, gjeografia, distanca nga spitalet, numri i skuadrave disponibël në një rreth koncentrik me 25 kilometra rreze, do të na sjellë në atë, që besoj, nga muaji mars i vitit të ardhshëm, një pjesë e mirë e autoambulancave, të paktën nga mëngjesi deri në darkë, nuk do të rrinë më të stacionuara në spital. Do të dalin nga spitali në 7 të mëngjesit, do shkojnë të rrinë në një pikë të caktuar, dhe do të rrijë atje deri në 11 të natës, dhe do të shkurtojmë të paktën kohën e vajtjes deri tek nevoja.

P.sh., ndeshemi shpesh sidomos në stinën e verës, apo në fundjavat e pikut të turizmit, me situata anomalie. Ne kishim sivjet, këtë verë, në Himarë 3 autoambulanca. Pas 20 korrikut, në fundjavë të shtunë-të diel, dy prej tyre i lamë, një Dhërmi, një në Jalë. I mbanim të trija në Himarë, kur plazhi i Himarës me qendrën shëndetësore është 400 metra në këmbë. Apo nevojat që kemi patur, sidomos fundjavat e gushtit, për të çuar autoambulancat nga spitali i Durrësit te Gjiri i Lalëzit, kanë qenë ekstreme.

Ky është rrjeti rrugor i vendit, ky është trafiku që kemi, kjo është dhe edukata e atyre që u japin mjeteve që japim. Nuk mund të presim ne sa të rregullohen, dhe pastaj të rregullojmë edhe urgjencëën.

Pse këmbëngulëm me këtë gjë?

Këmbëngulëm për këtë gjë për dy arsye, sepse nga analiza na rezultoi që flota e autoambulancave ishte e mjaftueshme, dhe për fat të mirë, programi i Urgjencës Kombëtare është program më vete në buxhetin e shëndetësisë.

Të gjitha këto, na bëjnë të besojmë që, nga muaji mars i vitit të ardhshëm, të kemi një përmirësim të ndjeshëm të flotës në territor.

Sigurisht, do të vazhdojmë me investime të tjera, edhe në mënyrë që të kemi besoj funksional brenda shtatorit, të plotë sistemin e komandës dhe kontrollit.

Padyshim, që duhet ta shoqërojmë këtë gjë me përmirësim të pajisjeve mjekësore që kanë autoambulancat, se vërtet Skënderi (Dr. Skënder Brataj, Drejtor i QKUM) foli te skela, matja e tensionit, matja e kësaj dhe kësaj, dhe unë vërtet filloja të mendoja me vete se sa i kanë dhe sa s’i kanë, se në qoftë se, vërtetë, do të filloj të plotësoj një dokument, do të duhet që në mars ne t’i kemi të pajisura në mënyrë shumë më të plotë, që minimalisht një EKG t’i bëhet aty në vend, dhe sot me një mjet shumë të thjeshtë, e nis imazhin e EKG-së aty ku shikon së dhëmbi është i dyshimtë, e nis në spital para se të shkojë pacienti.

Më shumë punë besoj se do të jetë në rradhë të parë, besoj për ju që jeni drejtuesit e urgjencës në spitale, dhe për t’ju lehtësuar pak nga pjesa burokratike dhe administrative e kësaj ngarkese, krijuam këtë njësinë, që në pjesën formale të administrimit të njerëzve, turnet e tyre, të mos merreni ju direkt, sepse në fund të fundit ju do të vazhdoni të keni përgjegjësinë direkt e shërbimit të urgjencës brenda spitalit.

Por, nga këshillimet që kemi bërë, nga modelet që kemi parë, na ka rezultuar që është një model më optimal, ai që personeli mjekësor, sidomos infermier, që është në autoambulancë, të jetë nga ata që punojnë edhe në shërbimin e urgjencës brenda spitaleve dhe me rotacion t’i bëjnë të dyja, sepse shkëputja e atyre që janë në autoambulancë vetëm aty, pas pak vitesh, i bën të kenë më pak njohuri.

Sigurisht që, do të kemi në janar dhe në shkurt, një proçes të marrjes në punë të burimeve njerëzore shtesë që na duhen, me drejtorin e qendrës së urgjencës, kemi rënë dakort që duam të hapim thirrjen për të punësuar njerëz, t’u bëjmë të gjithë kandidatëve një trajnim shumë të shkurtër, dhe pastaj të hyjmë në proçesin e përzgjedhjes.

Dikush mund t’i dijë këto gjëra, mund të jetë marrë, por ndoshta s’i ka përdorur në punën e tij vitin e fundit, por më mirë i’a rifreskojmë, dhe pastaj, bëjmë proçesin në mënyrë që në muajin mars, gjithçka me fillimin e buxhetit të ri, me çeljen e tij, me punësimet, me shtesën e fondeve për shpenzimet e transportit apo për materiale më shumë që do të duhen të mbajnë në autoambulanca, të fillojnë të funksionojnë më mirë.

Unë besoj se për momentin, sigurisht kushdo që ka pyetje mund t’i bëjë, por besoj se pyetjet në mënyrë më të plotë do të duhet të dalin gjatë këtyre 3-4 seancave të trajnimit që do të bëjmë sipas një kalendari që kemi caktuar. Mirë është që t’i mbarojmë  deri javën e ardhshme, në mënyrë që më 1 dhjetor, të paktën kjo mënyrë e re e evidentimit të shërbimit të urgjencës në territor, të jetë prezente dhe të fillojë të jetë funksionale, sigurisht që çdo gjë e re do të ketë vështërisitë e veta, por unë besoj se ajo çfarë kemi marrë për bazë, jemi bazuar në modele të tjera të vendeve që kanë ecur disa hapa më përpara se ne, por besoj se ju që jeni profesionistë të kësaj pune, merreni përditë nuk keni këtu asgjë të re.

—###—

Gazetar #1: Sa mendoni se do të jetë nevoja për burime njerëzore, e kam fjalën për staf në këtë qendër?

Ministri Beqaj: Nevoja shtesë fillimisht nuk është për qendrën kombëtare,  në qendrën kombëtare ne e kemi. Nevoja për burim është më shumë në spitale dhe besoj se rreth 450 vetë personel mjekësor dhe ndihmës, do të punësohen rishtaz në të gjithë spitalet e vendit për të shtuar volumin që shërbehet nga shërbimet e urgjencës dhe për të shtuar numrin e skuadrave që janë disponibël gjatë një jave apo gjatë një muaji për një autoambulancë. Rreth 450 vetë janë vlerësimet tona deri tani.

Gazetar #2: Ka një situatë në spitalet rajonale për largimin nga puna të bluzave të bardha, ka një reformim, ka largime, ka staf të mbingarkuar?

Ministri Beqaj: Sot po flasim për urgjencën dhe ndërkohë të paktën për saktësim, asnjë spital rajonal deri më sot s’ka marrë ndonjë komunikim për strukturë të re, spital rajonal!

Gazetar #3: Meqë folët për urgjencën dhe mbrojtjen e jetës… Sot 10-vjeçari K. M., do niset në Itali. Ju si institucion çfarë keni bërë për këtë dhe a nuk keni autoambulancë për ta shoqëruar të paktën deri në aeroport?

Ministri Beqaj: Rasti i K., nuk është rast që është çështje urgjence, ndërsa transporti atje duhet të ishte diskutuar me spitalin përkatës. Ne po ta shikoni, unë e thashë, një pjesë e autoambulancave nuk përdoren për urgjencë, por përdoren për transport pacientësh, që është detyrim i joni. Duhet të interesohemi me administratën e spitalit, çfarë nga ndodhur konkretisht për transportin nga QSUT-ja.

Gazetar #3: Në rastin konkret ju si Ministri?

Ministri Beqaj: Nuk është rast urgjence. Se çfarë kemi bërë ne si Ministri për rastin e K., kemi dhënë informacione edhe mediave në mënyrë të vijueshme. Është një sëmundje që zhvillohet të paktën prej një viti, nuk është rast urgjence i sotëm.

—###—

Për foto nga takimi, mund të konsultoni profilin zyrtar të MSH në Facebook: http://tinyurl.com/qgn7w98

dhe Twitter: @BeqajIlir{:}