Ministria e Shëndetësisë

Rikonstruksion i plotë dhe zgjerim brenda Verës për SU “Shefqet Ndroqi”
Dy godina të reja për imazherinë dhe administratën e mësimdhënien
Beqaj: Misionit tradicional të këtij shërbimi i japim dimension të plotë spitalor dhe universitar

Tiranë, 7/11/2015 – Vera e ardhshme, do ta gjejë Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” me rikonstruksion të plotë, me dy godina të reja, përkatësisht për imazherinë dhe administratën e mësimdhënien, si dhe sistemimet e jashtme, kanalizimet, ndriçimin dhe sistemet e lëvizjes me ashensor. Lajmi u bë i ditur gjatë vizitës që Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, zhvilloi sot (7/11/2015) me rastin e fillimit të punimeve për fazën e tretë dhe përmbyllëse të fuqizimit të këtij institucioni.

Jemi këtu sot, tha midis të tjerash Ministri Beqaj, “për vlerësimin e përfundimit të Fazës së dytë të Rikonstruksionit dhe Zgjerimit të Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi” dhe projektin e shndërrimit të tij, nga një spital mushkërish në një spital edhe më të përgjithshëm; si dhe përgatitjen e fillimit të punimeve për fazën e tretë dhe të fundit, që do të përmbyllë investimet e filluara edhe më parë në këtë spital, për të plotësuar gjithë shërbimin funksional të radiologjisë në të gjithë aspektet, edhe për pjesën e administrimit më të mirë të fluksit të pacientëve të shtruar apo atyre që vijnë nga jashtë spitalit; si edhe plotësimi i infrastrukturës së mësimdhënies për t’i dhënë një dimension të plotë spitalit edhe në aspektin universitar.”

Financimi i punimeve të sapofilluara të kësaj faze, bashkë me çka është parashikuar në buxhetin e vitit të ardhshëm, janë të mjaftueshme për ta përfunduar rikonstruksionin dhe zgjerimin e këtij spitali, me qëllim konsolidimin e misionit të tij historik dhe tradicional, që janë sëmundjet e mushkërive, por edhe atë të shërbimeve të reja që funksionojnë prej një farë kohe, siç është kirurgjia e përgjithshme, apo kardiologjia, u shpreh Beqaj.

“Kemi filluar në muajin shtator edhe hemodinamikën,” – tha më tej kreu i shëndetësisë, duke shtuar se, “me drejtuesit e spitalit po diskutojmë mundësitë për të krijuar këtu një qendër të dytë kardiokirurgjie në Shqipëri, si edhe të zgjerojmë, besoj, vitin e ardhshëm edhe shërbimin e urgjencës në territor, në bashkëpunim edhe me këtë spital”.

Në përgjigje të interesit të gazetarëve të pranishëm për kohëzgjatjen e punimeve, Ministri Beqaj tha se Faza e tretë pritet të përfundojnë brenda 6 muajve sipas kushteve të kontratës, që do të thotë brenda Verës së ardhshme, dhe qoftë mjediset e shërbimeve spitalore, apo qoftë edhe auditorët, brenda shtatorit 2016, do të jenë në shërbim qoftë të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, të specializantëve, por besoj edhe për aktivitete mjekësore, shkencore, që do të duhet të kryejnë mjekët, infermierët, personeli mjekësor edhe në funksion të konsolidimit të sistemit të edukimit në vazhdim.

—###—

Për foto të tjera nga takimi, mund të konsultoni profilin zyrtar të MSH në Facebook: http://tinyurl.com/q2bcf2l

dhe profilin zyrtar në Twitter: @BeqajIlir{:}