Ministria e Shëndetësisë

Është jeta juaj! Bëj zgjedhjen tënde
Beqaj: “Planifikimi familjar është një e drejtë njerëzore”

Tiranë, 25/09/2015 – Në  vigjilje të 26 shtatorit, Ditës Botërore të Kontracepsionit, Ministri i Shëndetësisë mori pjesë në takimin avokues me temë “Qasja e integruar ndaj shërbimeve të Planifikimit Familjar në Shqipëri”, të organizuar nga Qendra Kombëtare e Telemjekësisë, në bashkëpunim me USAID, Ministrinë e Shëndetësisë dhe UNFPA.

Çdo vit, më 26 shtator organizohet Dita Botërore e Kontracepsionit. E lançuar për herë të parë në vitin 2007, kjo nismë mbarëbotërore synon rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit për vizionin e një bote ku çdo shtatzëni të jetë e dëshiruar. Misioni i saj është të përmirësojë ndërgjegjësimin rreth të gjitha metodave të kontracepsionit, për të mundësuar që çdokush të bëjë zgjedhje të informuara lidhur me shëndetin seksual e riprodhues, për të pakësuar numrin e rritur të shtatzënive të paplanifikuara, aborteve dhe Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme.

Duke falënderuar të gjithë partnerët dhe veçanërisht USAID-in dhe UNFPA-në, për mbështetjen e ofruar që në vitin 1996 në këtë drejtim, Ministri Beqaj theksoi në fjalën e tij se “nga viti 2010 e në vijim, Qeveria Shqiptare siguron 100% mbulesën kontraceptive me fondet e veta për sektorin publik, pa qenë e varur nga ndihma e dhuruesve të huaj.”

Aktualisht, vazhdoi më tej z. Beqaj, “MSH me mbështetjen e UNFPA-së, ka filluar përpjekjet për adoptimin e konceptit “Total Market Approach” – ose “Qasja Tërësore e Tregut”, – e cila merr në konsiderate rolin e sektorit publik, sektorit tregtar dhe organizatave jo-qeveritare në sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm të popullates me kontraceptivë”.

“Planifikimi familjar është një e drejtë njerëzore (e drejta e çifteve dhe e individëve për të vendosur mbi riprodhimin e tyre në të ardhmen), theksoi kreu i shëndetësisë, duke shtuar se “ka ende shumë për të bërë për të siguruar që meshkujt dhe femrat të kenë akses ndaj këtyre shërbimeve dhe informacioneve që ju nevojiten për të ushtruar të drejtat e tyre”.

“Për të pasur një komb të shëndetshëm, veçanërisht gratë dhe familjet duhet të jenë në gjendje të menaxhojnë numrin e fëmijëve në familje në mënyrë të shëndetshme. Kontraceptivët modernë, të sigurt dhe efektivë, duhet të bëhen pjesë e stilit të jetesës së njerëzve, një alternativë e shëndetshme kundrejt aborteve”, e mbylli fjalën e tij z. Beqaj.

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në Takimin: “Qasja e integruar ndaj shërbimeve të Planifikimit Familjar në Shqipëri”.

—###—

I nderuar z. Marcus Johnson, (Drejtor i USAID/Shqipëri),

Të nderuar mjekë e profesionistë të shëndetit,

Të nderuar pjesëmarrës,

Jam veçanërisht i gëzuar që marr pjesë në takimin e sotshëm, i cili ka në vëmendje, një çështje kaq të rëndësishme për shëndetin publik dhe mirëqënien e qytetarëve, siç është edhe qasja e integruar që duhet te kemi ndaj shërbimeve të planifikimit familjar në vendin tonë.

Çdo vit, më 26 shtator organizohet Dita Botërore e Kontracepsionit. E lançuar për herë të parë në vitin 2007, kjo nismë mbarëbotërore synon rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit për vizionin e një bote ku çdo shtatzëni të jetë e dëshiruar.

Misioni i saj është të përmirësojë ndërgjegjësimin rreth të gjitha metodave të kontracepsionit, për të mundësuar që çdokush të bëjë zgjedhje të informuara lidhur me shëndetin seksual e riprodhues, për të pakësuar numrin e rritur të shtatzënive të paplanifikuara, aborteve dhe Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme.

Në të gjithë botën, mbi 41% e shtatzënive që ndodhin çdo vit janë të padëshiruara. Më tepër se gjysma e këtyre shtatzënive të padëshiruara përfundojnë në abort. Shtatzënitë e paplanifikuara ndodhin çdo vit te femrat të cilat nuk përdorin asnjë nga metodat kontraceptive, ose si rezultat i përdorimit jokorrekt të kontracepsionit. Mungesa e njohurive për kontracepsionin shpesh shërben si barrierë për përdorimin e kontraceptivëve.

Për shumë gra, përfshirë edhe ato që dëshirojnë të kenë fëmijë, kontracepsioni nuk është një zgjidhje; është një nevojë bazë shëndetësore. Sipas specialistëve të shëndetësisë, planifikimi familjar vullnetar duke përdorur metoda të sigurta dhe efektive kontraceptive ofron përfitime të mëdha në aspektin shëndetësor ekonomik dhe social për familjet dhe komunitetin.

Studimet tregojnë se njohuritë mbi metodat e planifikimit familjar janë thuajse të plota në Shqipëri, dhe në përgjithësi, femrat (sidomos ato të martuara) kanë më shumë njohuri dhe informacion se meshkujt sa u përket këtyre metodave (DHS, 2008-09). Megjithatë, përqindja e përdorimit të metodave moderne të kontracepsionit mbetet ende e ulët.

Vendimi për të patur fëmijë është një drejtë bazë njerëzore. Por, nga kjo e drejtë rrjedhin përfitime dhe rreziqe.

Planifikimi familjar redukton rreziqet shëndetësore për gratë dhe i jep atyre më shumë kontroll mbi jetët e tyre riprodhuese. Me shëndet dhe kontroll më të mirë mbi jetët e tyre ato mund të kenë mundësi për edukim, punësim dhe pjesëmarrje aktive në shoqëri.

Planifikimi familjar u mundëson çifteve të vendosin për numrin e fëmijëve duke mos iu cënuar atyre të drejtën për vetvendosje, si dhe ndikon në zvogëlimin e aborteve dhe komplikimeve të tjera shëndetësore.

Në këtë këndëvështrim, dua të sjell në vëmendje se Shqipëria është ndër vendet që synojnë arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit dhe objektivat madhore të Kombeve të bashkuara për zhvillimin e qëndrueshëm 2015-2030.

Por, veçanërisht çrrënjosja e varfërisë dhe urisë, ulja e vdekshmërisë foshnjore dhe amtare nuk mund të arrihen në se çështjet e planifikimit familjar dhe kujdesit për shëndetin riprodhues nuk adresohen si duhet.

Aktualisht, shërbimet e planifikimit familjar në Shqipëri që ofrohen në sistemin shëndetësor publik janë të shpërndara në tre nivelet e kujdesit shëndetësor: atë parësor, në 430 qëndra shëndetësore në qytet e fshat; atë spitalor, në qendrat e PF të përfshira në maternitetet e rretheve në sistemin shëndetësor publik; si dhe në qendrat e grave pranë SUOGJ-ve në Tiranë.

Shërbimet e planifikimit familjar tashmë janë bërë pjesë integrale e Paketës Bazë të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Parësor që u rishikua dhe u miratua me me VKM nr 101, datë 4.02.2015.

Në paketë është përcaktuar qartë shërbimi planifikimit familjar, keshillimi dhe shpërndarja e kontraceptivëve modernë të integruar në shërbimin e shëndetit riprodhues që duhet të ofrohet nga personeli i qendrës shëndetësore (mjeku i familjes dhe personeli i kujdesit infermieror), sistemi referimit, shërbimet që duhen ofruar në komunitet, standartet që duhet të këtë ky shërbim, pajisjet dhe metodat moderne kontraceptive që duhet të ketë qëndra dhe dokumentacioni mjekësor i unifikuar.

Dua të përgëzoj gjithashtu për punën e tyre në ofrimin e shërbimeve PF edhe OJF-të aktive në këtë drejtim, veçanërisht për të rinjtë edhe në disa rrethe të vendit. Po ashtu, metodat kontraceptive gjenden edhe në rrjetin farmaceutik në të gjithë vendin.

Nga viti 2010 e në vijim, Qeveria Shqiptare siguron 100% mbulesën kontraceptive me fondet e veta për sektorin publik, pa qenë e varur nga ndihma e dhuruesve të huaj, por këtu, dëshiroj të përfitoj nga rasti për të falënderuar të gjithë partnerët dhe veçanërisht USAID-in dhe UNFPA-në, për mbështetjen e ofruar që në vitin 1996 në këtë drejtim.

Në përmbushje të angazhimit të Programit tonë Qeverisës për ofrimin e një sistemi të kujdesit shëndetësor me Mbulim Universal, rritjen e rolit të shëndetit publik dhe programeve të parandalimit e të promocionit shëndetësor, si dhe duke synuar rritjen e përdorimit të metodave kontraceptive, uljen e numrit të aborteve, përmirësimin e shëndetit të gruas, dhe parandalimin e IST-ve dhe HIV/AIDS, me Urdhërin nr. 570, të MSH (datë 21.11.2014 – “Për sigurimin e kontraceptivëve për popullsinë në nevojë nëpërmjet sektorit publik për vitet 2015-2016”) siguruam ndryshimin e parashikimit të fazës së dytë (2014-2016) të sigurimit të kontraceptivëve të targetuar vetëm për grupet më të rrezikuara të popullatës për shërbimet shëndetësore publike, ku edhe për periudhën 2015-2016 kontraceptivët të sigurohen falas për të gjithë popullsinë në nevojë nëpërmjet sektorit publik.

Aktualisht, MSH me mbështetjen e UNFPA-së, ka filluar përpjekjet për adoptimin e konceptit “Total Market Approach”. Qasja Tërësore e Tregut (Total Market Approach) merr në konsiderate rolin e sektorit publik, sektorit tregtar dhe organizatave jo-qeveritare në sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm të popullates me kontraceptivë.

Planifikimi familjar është një e drejtë njerëzore – e drejta e çifteve dhe e individëve për të vendosur mbi riprodhimin e tyre në të ardhmen – por ka ende shumë për të bërë për të siguruar që meshkujt dhe femrat të kenë akses ndaj këtyre shërbimeve dhe informacioneve që ju nevojiten për të ushtruar të drejtat e tyre.

Për të pasur një komb të shëndetshëm, veçanërisht gratë dhe familjet duhet të jenë në gjendje të menaxhojnë numrin e fëmijëve në familje në mënyrë të shëndetshme. Kontraceptivët modernë, të sigurt dhe efektivë, duhet të bëhen pjesë e stilit të jetesës së njerëzve, një alternativë e shëndetshme kundrejt aborteve.

Pa shërbimet e Planifikimit Familjar dhe mjetet kontraceptive ne vëndin, kohën, sasinë dhe çmimin e duhur e DREJTA për Shëndet riprodhues NUK mund të plotësohet dhe SHËNDETI I GRUAS DHE FËMIJËS NUK DO TË PËRMIRËSOHET!

Faleminderit!

—###—

Për foto të tjera nga takimi, ndiqni Profilin zyrtar të MSH në Facebook: http://tinyurl.com/oevumnp

dhe Twitter: @BeqajIlir{:}