Ministria e Shëndetësisë

Spitali i Durrësit me Kabinet të ri Diabeti dhe Pediatri të rinovuar

Durrës, 03/06/2015 – Përurohet sot në spitalin rajonal të Durrësit kabineti i ri i diabetit dhe mbyllja e punimeve për rehabilitimin e shërbimit të Pediatrisë. Lajmi u bë i ditur gjatë takimit që Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i shoqëruar nga kreu i Bashkisë së Durrësit, z. Vangjush Dako, Deputetja e PS-së, znj. Klodiana Spahiu, zhvilluan sot (03/06/2015) me mjekë, infermierë e punonjës të këtij spitali.

Në fjalën e saj përshëndetëse Drejtorja e Spitalit Rajonal Durrës, znj. Ardiola Frashëri, theksoi ndërmjet të tjerash se “në Pediatri nuk ishte bërë asnjë investim prej 12 vitesh, ndërkohë që tani ky shërbim ka ndryshuar tërësisht pamjen, nga muret plot lagështi dhe mjediset që lini për të dëshiruar”. Pediatria është lyer tërësisht, janë pikturuar e vizatuar muret me motive për fëmijë, është vendosur sinjalistika, janë riparuar krevatet e vendosur perdet, duke e rehabilituar tërësisht këtë shërbim falë një bashkëpunimi të menaxhimit të spitalit me sipërmarrjen private të qytetit. Vetëm për këtë vit, në shërbimin e pediatrisë janë vizituar rreth 13 mijë femijë dhe janë shtruar 900.

Ndërsa Ministri Beqaj shprehu kënaqësinë në fjalën e tij përshëndetëse në takim për projektet inovative të shëndetësisë shqiptare që lancohen nga Durrësi, siç ishte rasti i instalimit për herë të parë i kabineteve të kardiologjisë jashtë Tiranës, apo shërbimit të kimioterapisë dhe shërbimit paliativ, projekti pilot të recetës elektronik, apo qoftë tani së fundi, edhe kabinetin e këshillimit për diabetin.

“Unë besoj se tashmë në 20 muaj”, – tha më tej z. Beqaj, “mund të rendis jo pak gjëra, të cilat besoj se kanë sjellë një përmirësim të ndjeshëm të kujdesit ndaj qytetarëve, por që njëherazi kanë bërë që puna juaj të jetë më shumë evidente, dhe madje efektiviteti i saj të jetë më i ndjeshëm.

Takimin e përshëndetën edhe kryebashkiaku i qytetit bregdetar, z. Dako dhe deputetja znj. Spahiu, të cilët shprehën mirënjohjen dhe falënderimin për punën dhe projektet e ministrisë së shëndetësisë dhe kudjesin e veçantë ndaj sektorit të shëndetësisë në Durrës.

Gjithashtu, për herë të parë në këtë spital, u hap sot një kabinet diabeti me një dhomë të veçantë konsultash për pacientët që kanë nevojë për këtë shërbim të specializuar. Personeli i specializuar mjekësor që do të ofrojë shërbim përgjatë gjithë kohës, duke ofruar këshillim të posaçëm për sëmundjen, dietat që duhen ndjekur, aktivitetet fizike që duhet të kryejnë pacientët, etj. Për të sëmurët diabetikë, do të shpërndahen, gjithashtu, dhe materiale informative për të njohur më mirë diabetin dhe kurimin e tij.
—###—

Fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takim

Në fakt, Vangjushi (z. Vangjush Dako, kryetar i Bashkisë së Durrësit) tha që faleminderit ministrit që i fillon nga Durrësi nismat, por unë besoj se përtej vizionit të Qeverisë, përtej një lidhjeje të hershme familjare që unë kam me Durrësin, përtej angazhimit politik,-se në fund të fundit jam ministër me votat e Durrësit brenda 1 milion votave,-unë besoj se arsyeja kryesore jeni ju.

Unë jam i kënaqur që kërkoni brenda vetes sfida për të bërë diçka më shumë, dhe që përgjithësisht, sifdave edhe kur s’i kërkoni vetë, i prisni me pozitivitet dhe përpiqeni që t’i ndiqni sepse është e vërtetë që, qoftë fillimin e instalimit të kabineteve të kardiologjisë jashtë Tirane e nisëm nga Durrësi, qoftë kimioterapinë dhe shërbimin paliativ, apo qoftë tani, që po fillojmë edhe me kabinetin e këshillimit për diabetin.

Sepse, në fund të fundit, jemi të vetëdijshëm që ajo çfarë do të bëhet, megjithë vizionin dhe mbështetjen parlamentare, jeni ju ata që e ofroni shërbimin.

Dhe unë besoj se tashmë në 20 muaj, të paktën unë si ministër, mund të rendis jo pak gjëra, të cilat besoj se kanë sjellë një përmirësim të ndjeshëm të kujdesit ndaj qytetarëve, por që njëherazi kanë bërë që puna juaj të jetë më shumë evidente, dhe madje efektiviteti i saj të jetë më i ndjeshëm.

Pavarësisht se mund të duket sikur është mëse normale se mund të themi sot se kemi barna dhe materiale mjekësore, përderisa në shumë vite nuk i kishim, dhe tani që (spitalet) i kanë, është një gjë e mirë.

Apo fakti që pajisjet e rëndësishme ekzaminuese funksionojnë normalisht, edhe nëse defektohen, nuk është më lajm, u prish dhe do të rregullohet, por ka një proçes që i mirëmban, është edhe ky i rëndësishëm. Por dua të ndalem pak te ajo çfarë fillojmë këtu me kabinetin (e këshillimit) e diabetit.

Unë jam i vetëdijshëm që çdo mjek, në çdo shërbim apo çdo specialitet, ka kërkesat e veta të drejta dhe të përligjura, por që brenda mundësive dhe burimeve të kufizuara, qoftë financiare, qoftë materiale, apo qoftë njerëzore, është normale që ne të prioritizojmë.

Dhe prioritizojmë minimalisht në dy gjëra. Së pari, sipas barrës që grup-sëmundjet përkatëse kanë përgjithësisht në shkallën e sëmundshmërisë, në shkurtimin e viteve të jetës së shëndetshme apo në mortalitet, dhe që pastaj zgjidhet sipas mundësive financiare që kemi.

Sigurisht, që diabeti përveç asaj barre që ka vetë, ka edhe rrezikun e madh që përcjell dhe sëmundje të tjera, dhe përgjithësisht, të sëmurët kronikë diabetikë, në njëfarë mënyre duhet të kthehen në mjekë të vetvetes dhe prandaj, ky kabinet që përurojmë sot, që mund të jetë simbolik nga pikëpamja e investimit është shumë i rëndësishëm.

Ne kemi filluar, besoj, një qasje të re shumë inovatore me kontrollin e shëndetit bazë (për grup-moshën 40-65 vjeç), apo check-up siç e quajnë përgjithësisht. Por, po ju them që të paktën nga të dhënat e deritanishme, ajo çfarë konstatoj është që në çdo tre veta, deri tani, dy janë grad he një është burrë.

Apo, ka shumë më tepër pjesëmarrje mbi 50 vjeç dhe shumë më pak për momentin, interes në 40-50 vjeç. Por, në fakt, në këto mosha fillon shfaqet dhe prandaj, duke qenë se statistikisht është provuar kjo, ne i përfshijmë në këtë kontroll.

Për të krijuar në rradhë të parë një kulturë të re të qytetarit me shëndetin e tij, me vetveten e tij. Sepse tek kontrolli shëndetësor bazë është hera e parë që qytetarët vijnë duke qenë qytetarë jo pacientë.

Shpresojmë sa më pak të jenë pacientë, por statistikisht do dalin, prandaj po e bëjmë. Por, për më tepër edhe me mjekun e familjes, fillojmë dhe e bëjmë pjesë të kujdesit shëndetësor, dhe e shkëpusim nga hallkat burokratike. Për këtë gjë, bëmë edhe heqjen e librezës (së shëndetit) dhe e zëvendësuam me kartën e shëndetit. Për këtë gjë, edhe recetat e përmuajshme i kaluam në dy muaj që t’i lëmë shumë më tepër kohë mjekëve të merren me shëndetësinë dhe mjekësinë.

Dhe sigurisht, që kontrolli shëndetësor bazë ka edhe një element tjetër shumë të rëndësishëm që është fillimi i krijmit të dosjes elektronike. Kush ka bërë check-up nga ju sot dhe nesër pas 6 muajsh do të vijë në spital, kur të jetë edhe rrjeti elektronik i këtij spitali i lidhur me regjistrin kombëtar të check-up, mjeku do të mund të shohë edhe se si i ka pasur (pacienti) rezultatet e analizave të fundit.

Minimalisht, edhe kjo është një lehtësi, në rradhë të parë për mjekun, por edhe për uljen e barrës së lëvizjeve të tepërta në hallkat administrative të sistemit tonë të referimit.

Megjithatë, ka edhe tre projekte të tjera të rëndësishme që po zbatohen, që unë besoj se do të jenë shumë të rëndësishme për spitalet tona, por sidomos, për këtë spital:

Është projekti kombëtar i Shëndetësisë Elektronike (e-Health) që ka filluar të zbatohet;

Është projekti i hartimit,-më në fund,-të kostove të detajuara të spitaleve tona (DRGs – Diagnosis Related Groups), ku Durrësi është zgjedhur së bashku me Tiranën në fazën e parë;

Dhe, gjithashtu, sapo kemi miratuar një financim nga qeveria italiane, që do të mbështesë duke filluar nga muaji shtator fuqizimin e urgjencave spitalore në 5 spitale bregdetare: Shkodër, Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Sarandë;

Dhe besoj, se edhe fuqizimi i shërbimit të urgjencës në pritje, 4 qendrat shëndetësore që fillojnë të hapen këtë javë përgjatë gjithë vijës bregdetare me shërbimin 24 orë dhe planin e ri të funksionimit të shërbimit kombëtar të urgjencës, do të jetë padyshim një ndihmë e shtuar për qytetarët, por edhe më efektive për punën tuaj.

Besoj se edhe qeverisja e re vendore që do të dalë nga zgjedhjet e 21 qershorit do të ketë më shumë prezencë në administrimin e shëndetësisë, por kryesisht në kujdesin Parësor, jo në spitale.

Ne do të vazhdojmë të optimizojmë rrjetin spitalor, por të paktën vendodhja e qendrave shëndetësore në një territor shumë më të madh, janë bashkitë e reja, mënyra e funksionimit të shërbimit në këto qendra, do të jetë gjithmonë e më tepër kompetencë e pushtetit vendor.

Nuk ka më kuptim që në sezoni turistik këtu në Durrës, ta vendos unë si ministër se kush do të të jetë orari i shërbimit. Apo nuk ka më kuptim që në shkurtin e ardhshëm kur të jetë shumë më e madhe shkalla e përhapjes së gripit sezonal ta vendos unë orarin (e shërbimit).

Jo, këtu qeverisja e re vendore to të jetë prezente në admistrimin e shëndetësisë në kujdesin shëndetësor Parësor, sepse ne duam të ndjekim një model, sidomos ju që e njihni shumë më mirë se sa unë Italinë, të fillojmë të krijojmë në territor ndërmarrjet e shëndetësisë, sepse praktikisht sot, e kemi qendrën shëndetësore në fund të territorit të një komune, sepse qendrat shëndetësore tona në Parësor janë siç i ka lënë harta kur u prishën kooperativat në ’91-shin qoftë dhe 200m më tutje, për arsye se i përkiste një komune tjetër të vogël, nuk ishte aktive.

Dhe kjo është një nga arsyet, veç të tjerash, se përse u ndërmorr kjo reformë. Unë nuk dua të zgjatem më shumë.

Dua, sigurisht, t’ju falënderoj për punën shumë të mirë që bëni përditë.

Jam i bindur se shumë prej jush në çdo reformë që ndërmarrim, jo që ditën e parë e kuptojnë, e pranojnë apo e mirëkuptojnë, megjithatë, unë besoj se qoftë përmirësimi i ndjeshëm i furnizimit të spitaleve, qoftë përmirësimi i teknologjisë në spitale, apo qoftë proceset e tjera që do të fillojnë të zbatohen shumë shpejt,-siç është p.sh., ndryshimi radikal në të gjithë Shqipërinë i instrumentarit kirurgjikal bashkë me një sistem krejt modern sterilizimi, apo më vonë kur të flasim më konkretisht me detaje për shërbimin laboratorik spitalor,-të cilët do të rrisin shumë më tepër cilësinë e shërbimit që ju ofroni dhe do t’ju vënë përherë e më pak me të padrejtë deri më sot përballë pacientit për mungesa që i ka sistemi dhe jo ju.

Faleminderit, dhe punë të mbarë!

—###—{:}