Ministria e Shëndetësisë

Përurohen pajisjet e reja në Poliklinikën e Specialiteteve nr. 2 në Tiranë
Beqaj: Vijon puna për përmirësimin e Kujdesit Parësor, jemi në drejtimin e duhur!

Tiranë, 25/05/2015 – Ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqaj, përuroi pajisjet e reja të radiologjisë dhe dy ECHO të reja në Qendrën Shëndetësore të Specialiteteve nr. 2 në Tiranë, në vijim të përmbushjes së angazhimit për përmirësimin e kujdesit shëndetësor Parësor me aparatura, pajisje dhe shërbim më cilësor për qytetarët.

Me një fond prej 800 mijë eurosh, kontribut i Zyrës së Bashkëpunimit Italian për Zhvillim (Cooperazione Italiana allo Sviluppo), shërbimi shëndetësor ndryshon në mënyrë cilësore në Poliklinikën nr 2, e cila mbulon 1/3 e popullatës së kryeqytetit me shërbim të specializuar.

Fjala e ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj:

Vijojmë të përmirësojmë ndjeshëm kujdesin shëndetësor Parësor. Vetëm javët e fundit kemi vënë në punë në 3 poliklinika specialitetesh në Tiranë, dhe në Korçë, pajisje të reja ekzaminuese. Bëhet fjalë për një investim prej 800 mijë eurosh, pjesë e një programi për shërbimin Parësor prej 5 milion eurosh, e cila, siç edhe u pa, përmirëson ndjeshëm cilësinë e shërbimit në këtë poliklinikë specialitetesh.

Së pari, përfitojnë qytetarët e Tiranës dhe kjo poliklinikë nga pikëpamja e shërbimeve mbulon një territor shumë të gjerë të qytetit të Tiranës.

Por, përveç përfitimit që kanë direkt pacientët për një shërbim më të mirë, për një shërbim më afër vendbanimit të tyre, për një shërbim që ofrohet brenda regjimit të sistemit të referimit pa pagesë, është edhe një ndihmë e shtuar për mjekët, radiologët, të cilët me këto pajisje kanë mundësi të shprehin më qartë dijet, aftësitë dhe eksperiencën e tyre.

Unë besoj se kjo është një dëshmi që jemi në drejtimin e duhur për t’i dhënë edhe personelit mjekësor instrumentet dhe kushtet për të punuar me mjete bashkëkohore, për të patur ekzaminime të sakta, për të patur diagnozatë sakta dhe më pas për të përcaktuar terapi sa më të përshtatshme.

Sigurisht që, me përmirësimin që ju bëjmë poliklinikave të specialiteteve, me shtrirjen në të gjithë vendin të programit të Kontrollit Mjekësor Bazë pa pagesë për popullatën 40-65 vjeç, me shmangien e librezës dhe kalimin te karta e shëndetit, me kalimin nga receta me rimbursim një mujore në dy mujore, ne e rrisim ndjeshëm cilësinë e shërbimit shëndetësor Parësor, madje e vendosim atë në fokus të kujdesit shëndetësor, për të dhënë më shumë përkujdesje për qytetarët për të parandaluar e diagnostikuar hershëm, por sigurisht, edhe për të rritur ndjeshëm kujdesin që qytetarët shqiptarë meritojnë.

Ne do të vijojmë edhe me programe të tjera zhvillimi. Tashmë, është realitet që kantieri i shëndetësisë është hapur. Vetëm me Zyrën e Koperacionit Italian ne kemi programe në zbatim me vlerë 10 milion euro dhe unë dua të përfitoj nga rasti për të shprehur falenderimet për Koperacionin Italian, për popullin mik Italianm për mbështetjen që na jep.

Ju lutem përcillini dhe Ambasadorit (z. Massimo Gaiani, Ambasador i Italisë në Tiranë) falënderimet e mia.

Fjala e z. Andrea Senatori, Drejtor Zyrës së Tiranës për Prgramin e Bashkëpunimit Italian për Zhvillim (Cooperazione Italiana allo Sviluppo):

Do të doja fillimisht t’ju përcjell përshëndetjet e Ambasadorit, z. Massimo Gaiani që për fat të keq nuk pati mundësi të vijë sot, por më delegoi mua këtë nder që të përurojmë këtë poliklinikë së bashku me ju z. Ministër.

Me kënaqësi të madhe, përurojmë pajisjet e reja që janë mundësuar falë bashkëpunimit me Cooperazione Italiana. Bëhet fjalë për pajisje të radiologjisë, ekografisë, por edhe pajisje të tjera mobilimi.

Kjo poliklinikë, përfiton për herë të dytë nga kontributi i Cooperazione Italiana, pasi në fillim është bërë ristrukturimi, po me një fond të Cooperazione Italiana, dhe tani janë siguruar edhe pajisjet.

Është e treta poliklinikë që përurojmë në një kohë të shkurtër, pas poliklinikës qendrore, asaj të Korçës, tani është radha e kësaj poliklinike, ku investimi shkon rreth 800 mijë euro.

Popullsia e Tiranës do ketë mundësi të ketë akses në këto pajisje të një cilësie shumë moderne, të një cilësie shumë të lartë dhe, në radhë të pare, kjo do të lehtësojë punën e stafit mjekësor, që do t’i garantojë një shërbim shumë më të mirë popullatës.

Në të ardhmen do të kemi përurime të tjera. Shpresoj së shpejti edhe poliklinikat e Gjirokastrës dhe Peshkopisë, dhe më pas, edhe pajisjet e Qendrës Kombëtare të Traumatologjisë. Në total është një investim të përgjithshëm të Cooperazione Italiana prej 10 milion euro.

—###—

 {:}