Ministria e Shëndetësisë

Ndryshim radikal i shërbimit, tani ECHO 4D në maternitet

Tiranë, 18/05/2015 – Ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqaj vizitoi sot (18/05/2015) Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, ku pa nga afër funksionimin e ECHO-s së parë 4D (4-dimensionale) në Qendrën e Shëndetit të Gruas të këtij institucioni. Z. Beqaj u shpreh se në këto 20 muaj janë investuar 250 mijë dollarë, duke përmirësuar ndjeshëm shërbimin në këtë spital, ndërkohë që më herët, ky institucion është keqmenaxhuar dhe trajtuar si një pronë private nga ish-drejtuesit. Ndërsa drejtori i Maternitetit “Mbretëresha Gerladinë u shpreh se kjo aparaturë e re është mundësuar falë të ardhurave dytësore dhe menaxhimit të mirë të të ardhurave bërë nga stafi i këtij spitali”.

Fjala e ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj
Sigurisht që, në këto 20 muaj ka një ndryshim radikal të funksionimit të këtij spitali, por sidomos të shërbimeve që ofrohen në këtë spital. Këto 20 muaj janë rreth 250 mijë dollarë investime që janë bërë, përfshirë inkubatorët, përfshirë laboratorët, sallat e kirurgjisë obsetrike dhe tashmë eshtë edhe një ECHO e re e cila është një teknologji e përparuar, që prej vitesh në fakt ekziston, por që më në fund, kanë mundësinë ta përfitojnë gratë që vijnë në këtë spital, por sidomos edhe mjekët e këtij spitali kanë mundësi që të bëjnë ekzaminime me teknologji më të përparuar.

Sigurisht që, falë punë shumë të mirë që bëhet në spital, shërbimi është përmirësuar; shërbimi është rritur në volum, po të krahasojmë volume e 2014 me 2013 janë të rritura ndjeshëm, gjë që pasqyrohet edhe në menaxhimin shumë më të mirë që i është bërë spitalit.

Beqaj: Spitali është keqmenaxhuar nga ish-drejtuesi
Për fat të keq, përtej fasadës, rezulton që ky spital në shumë shumë vite është keqmenaxhuar. Ne kemi këtu pajisje mjekësore me vlerë rreth 500 mijë USD që janë jashtë përdorimit dhe ende janë në inventar kontabël, sepse deri në vjeshtën e vitit 2013 nuk ekzistonte koncepti i inventarizimit në këtë spital. Në periudhën 2008-2009 ne kemi gjetur këtu barna të skaduara në vlerën 100 mijë dollarë. Këtu është një autoambulancë që prej 10 vitesh as nuk punon, as nuk kolaudohet, as nuk paguan taksa, por që deri në vjeshtën e 2013 shpenzonte karburant. Gjithashtu një sërë pajisjesh mjekësore të ardhura dhuratë, nuk janë inventarizuar kurrë, që gjë ka bërë që ata që e kanë drejtuar më parë këtë spital, ta trajtojnë si një pronë të tyre private, madje ta keqtrajtojnë si një pronë të tyre dhe t’i përdorin pajisjet që kanë ardhur dhuratë për spitalin, pra për gratë e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë që trajtohen këtu, sikur ta kishin një pronë të tyren.

Unë dua të falenderoj ekipin e mjekëve dhe infermierevë që shërbejnë në këtë spital, që mbështetjen që ne i kemi dhënë me më shumë barna, më shumë materiale mjekësore, më shumë pajisje, e kanë përkthyer në shërbim shumë më të mirë për gratë dhe për bebet që lindin këtu. Edhe treguesit -që zakonisht vlerësohen në të tilla institucione shëndetësore- të vdekshmërisë amtare dhe foshnjore janë përmirësuar ndjeshëm.

Fjala e z. Bernard Nonaj, drejtor i SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”
Sot jemi këtu në institucionin “Mbretëresha Gerladinë” për përurimin e një ECHO 4D. Kjo është falë të ardhurave dytësore të Qendrës së Gruas dhe laboratorit. Falë menaxhimit të këtyre të ardhurave nga stafi i maternitetit, kemi arritur të fusim një ECHO 4D për të përmirësuar diagnozën prenatale. Kjo ekografi ekziston në disa spitale dhe klinika private, por në institucionin tonë mungonte, ndaj tani me këtë aparaturë mendojmë të rrisim sa më shumë diagnozën prenatale për të ndihmuar nënën dhe fëmijën.

—###—{:}