Ministria e Shëndetësisë

Pajisje të reja mjekësore e infrastrukurë moderne për QSH e Specialiteteve Nr. 3 Tiranë
Ministri Beqaj: “Jemi në drejtimin e duhur për përmirësimin e kujdesit shëndetësor”
Ambasadori Gaiani: “11 milion euro, ndihma italiane në sektorin socio-sanitar”

Tiranë, 06/05/2015 – Qytetarët e Tiranës do të përfitojnë tashmë shërbim të plotë e cilësor të kujdesit shëndetësor parësor në Qendrën Shëndetësore të Specialiteteve Nr. 3 të kësaj bashkie. Lajmi u bë i ditur gjatë vizitës që zhvilluan sot (06/05/2015) Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, dhe Ambasadori Italian në vendin tonë, z. Massimo Gaiani, për të përuruar mbylljen e projektit për rikonstruksionin dhe furnizimin me pajisje mjekësore të këtij institucioni shëndetësor me mbështetjen teknike e financiare të Zyrës së Bashkëpunimit Italian për Zhvillim (Cooperazione Italiana allo Sviluppo).

Ndërhyrja në Qendrën Shëndetësore të Specialiteteve Nr. 3 të Tiranës, pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe asaj Italiane për “Rikonstruksionin dhe pajisjen e 5 Poliklinikave në Tiranë, Korçë, Dibër dhe Gjirokastër” me një vlerë prej 5,080,000 Euro, përfshin rikonstruksionin dhe rehabilitimin e ndërtesës së këtij institucioni, furnizimin me pajisje mjekësore, Radiografi, Radioskopi dhe ECO të Përgjithshme, si dhe furnizimin me pajisje mobiljesh, të përfunduara në prill të vitit 2015.

“Është pjesë e një investimi të rëndësishëm që falë ndihmës bujare të popullit italian nëpërmjet Zyrës së Bashkëpunimit Italian për Zhvillim (Cooperazione Italiana allo Sviluppo) jepet në disa qytete të Shqipërisë, në Tiranë, në Korçë, në Gjirokastër dhe në Peshkopi,” – tha midis të tjerash Ministri Beqaj në takim, duke shtuar se “sigurisht që ne do të vazhdojmë të përmirësojmë shërbimet e kujdesit shëndetësor, dhe besoj se jemi në drejtimin e duhur me atë çka po bëjmë edhe për shërbimin parësor”.

Me sjelljen më pranë qytetarëve të këtij shërbimt të specializuar, ne sigurojmë uljen e ngarkesës, shpeshherë edhe të panevojshme, që kanë spitalet tona, shtoi z. Beqaj, duke theksuar se kështu “u japim edhe mjekëve shumë të zotë specialistë që janë në këtë poliklinikë mjete të cilat i ndihmojnë të jenë më të saktë dhe më të sigurtë në diagnozat që japin, pastaj për të përcaktuar në mënyrë më të drejtë dhe më optimale edhe terapitë e mëtejshme”.

Ndërkohë, Ambasadori Gaiani vuri në dukje se angazhimi i përgjithshëm i ndihmës italiane në sektorin socio-sanitar arrin vlerën e përgjithshme prej 11 milion Euro, duke theksuar se në të njëjtën kohë, “është edhe po aq i rëndësishëm kontributi i të gjithë mjekëve që punojnë ditë për ditë në këto qendra shëndetësore, dhe sigurisht mbështetja që siguron Ministria e Shëndetësisë për qëndrueshmërinë e këtyre projekteve.”

Mendojmë pra, se të gjithë së bashku, tha më tej ai, se Ministria e Shëndetësisë, mjekët që punojnë në këto struktura dhe Zyra Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim me anë të pajisjeve mjekësore, të gjithë kemi kontribuuar në përmirësimin e shërbimit që i jepet  qytetarit, në rastin konkret, qytetarëve të Tiranës, por në rastet e tjera, edhe qyteteve të tjera të Shqipërisë.

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takim.

—###—

Sot ka një lajm tjetër të mirë për qytetarët e Tiranës.

Në këtë klinikë që në fakt, – për të ne gjithë që kemi lindur në Tiranë, por edhe për ata që kanë ardhur më vonë, – është një pikë referimi, sepse është poliambulanca, apo klinika e specialiteteve, për një pjesë të rëndësishme, gati për 1/3 e banorëve të qytetit të Tiranës, falë ndihmës bujare të popullit italian vëmë në punë disa pajisje të reja të rëndësishme ekzaminuese, të cilat e forcojnë kujdesin shëndetësor që ofrohet në shërbimin tonë parësor.

Sigurisht, që është një shërbim i specializuar më pranë qytetarëve. Përpiqemi të ulim pak ngarkesën, shpeshherë edhe të panevojshme, që kanë spitalet tona. Por unë besoj se u japim edhe mjekëve shumë të zotë specialistë që janë në këtë poliklinikë mjete të cilat i ndihmojnë të jenë më të saktë dhe më të sigurtë në diagnozat që japin, pastaj për të përcaktuar në mënyrë më të drejtë dhe më optimale edhe terapitë e mëtejshme.

Është pjesë e një investimi të rëndësishëm që falë ndihmës bujare të popullit italian nëpërmjet Zyrës së Bashkëpunimit Italian për Zhvillim (Cooperazione Italiana allo Sviluppo) jepet në disa qytete të Shqipërisë, në Tiranë, në Korçë, në Gjirokastër dhe në Peshkopi. Sigurisht, që ne do të vazhdojmë të përmirësojmë shërbimet e kujdesit shëndetësor, dhe besoj se jemi në drejtimin e duhur me atë çka po bëjmë edhe për shërbimin parësor.

Praktikisht, në Tiranë tashmë programi i kontrollit bazë pa pagesë (për grumposhat 40-65 vjeç) funksionon normalisht, dhe mua, – në një kabinet (një kat) më poshtë, atë të Kardiologjisë, – mjekët më thanë që kanë filluar të vijnë njerëzit që pas rezultateve të check-up-it ju rezulton se kanë nevojë për një vizitë më të specializuar.

Por besoj, se nga ana tjetër, edhe masat e fundit administrative që kemi marrë, qoftë kalimi nga receta me rimbursim një-mujore në dy-mujore, qoftë zëvendësimi i Librezës Shëndetësore me Kartën e Shëndetit, janë përpjekje në drejtimin e duhur që mjekët të kenë më pak kohë për të shpenzuar  për akte burokratike dhe të merren më shumë me pacientin, me qytetarin, drejtpërdrejtë me ofrimin e kujdesit shëndetësor, duke patur kështu, – besoj unë, – edhe më shumë kohë për të rritur aftësitë e tyre profesionale, sepse duhet të pranojmë që në pesë-vjeçarin e parë, cikli i parë i edukimit në vazhdim ka funksionuar me disa probleme.

—###—{:}