Ministria e Shëndetësisë

Ministri Beqaj viziton Spitalin e qytetit Bajram Curri, “Do të plotësohen mjekët e specialiteteve që mungojnë”

Bajram Curri, Tropojë, 25/04/2015 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, ishte ditën e shtunë (25/04/2015) për një vizitë pune në Spitalin e qytetit Bajram Curri, ku inspektoi nga afër mjediset dhe kushtet e pajisjes me barna, pajisje e materiale mjekësore dhe u takua me drejtues, mjekë e punonjës të të këtij institucioni.

Në përgjigje të interesit të gazetarëve të pranishëm në takim, Ministri Beqaj shprehu mirënjohjen për të gjithë personelin shëndetësor që punon në këtë spital dhe ofron kujdes shëndetësor për banorët e rrethit të Tropojës.

“Dua t’i shpreh falënderimin tim për përmirësimin e ndjeshëm që  kanë bërë krahasuar me rreth 13-14 muaj më parë, kohë kur unë kam qenë këtu për vizitë,” tha më tej z. Beqaj, duke shtuar se “përgëzimet i shkojnë në rradhë të parë për angazhimin e saj personal Drejtores së Spitalit (znj. Naile Balilaj, Drejtore e Spitalit Bajram Curri); së dyti, edhe të gjithë personelit mjekësor.”

Në përgjigje të interesi të gazetarëve për nevojat e këtij spitali për personel të specializuar mjekësor, Ministri shprehu besimin se “në javët që vijnë, muajt që vijnë, do të kemi edhe më shumë punë për të bërë këtu,” – duke u shprehur se shpreson që “me specializimet e reja që përfundojnë këtë muaj, këtij spitali do t’i shtohen edhe të tjerë mjekë që mbarojnë specializimet dhe kanë kontratë me spitalin për të ofruar një gamë më të gjerë shërbimesh në spital, në mënyrë që qytetarët të mos kenë nevojë për të kaluar në Kukës, Tiranë apo edhe për në Gjakovë për të përfituar shërbim të specializuar mjekësor.”

Ministri Beqaj konfirmoi në takim se me mbarimin e studimeve të specializantëve të rinj, shërbimi i Pediatrisë, ai i Kirurgjisë dhe Reanimacionit, do të plotësohen me profesionistë të rinj.

Gjithashtu, kreu i shëndetësisë u interesua edhe për ecurinë e ekzaminimeve nëpërmjet dy njësive të mamografëve të lëvizshëm, të cilët janë vendosur prej dy javësh në këtë zonë. Të dhënat flasin për 124 ekzaminime të kryera për zonën e Kukësit dhe 135 për rrethin e Tropojës, ndërkohë që të dyja këto njësitë lëvizshme do të vijojnë përmbushjen e kalendarit të përcaktuar nga Instituti i Shëndetit Publik nëpër të gjithë territorin e vendit për këtë qëllim.

—###—

Për foto të mëtejshme nga takimi, mund të konsultoni profilin zyrtar të MSH në Facebook:

https://www.facebook.com/media/set/?set=a.392974527557270.1073741862.127646634090062&type=1

https://www.facebook.com/media/set/?set=a.392971447557578.1073741861.127646634090062&type=1

dhe Twitter: @BeqajIlir{:}