Ministria e Shëndetësisë

Beqaj sot në Kuvend: “Ja si përfituan shqiptarë nga politika e re e taksave”

Diskutimet në Seancë Plenare për Projektligjet: ‘Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”; dhe, “Për një ndryshim në ligjin nr. 9975, datë 28.07.2008, “Për taksat Kombëtare”

Tiranë, 9/4/2015

—###—

[Diskutimet në seancën e paradites, 9/4/2015]

I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj Deputetë,

Sigurisht që, debati për taksat unë besoj se mbetet gjithmonë një debat i shëndetshëm, aq më shumë kur zhvillohet në Kuvend, ku ballafaqojmë pikëpamjet dhe vizionet politike. Megjithatë, bazuar në çfarë është thënë këtu në seancë deri tani, sidomos nga parafolësi (z. Sali Berisha, Deputet i PD-së), i cili për fat të keq nuk është për momentin në seancë, besoj se ia vlen t’i themi disa të vërteta.

Unë dua t’i kujtoj parafolësit, por sidomos opinionit, se çfarë ka ndodhur me taksat, të paktën në këto 19 muaj, bazuar në çfarë është përcaktuar në Programin e Qeverisë.

Ne u angazhuam se do ta heqim taksën e sheshtë dhe se do të kthejmë taksën e ndershme, dhe kjo gjë tashmë është realitet.

Infermierët paguajnë taksa më pak, mjekët paguajnë taksa më pak, mësuesit paguajnë taksa më pak, policët paguajnë taksa më pak.

Ne u angazhuam se do ta hiqnim regresivitetin në kontributet e sigurimeve shëndetësore, dhe këtë gjë e bëmë, sepse kishim situatë paradoksale: Ministri i Shëndetësisë, – për ilustrim, – paguante shumë më pak se sa mjekët dhe infermierët. Ndërkohë, ne u angazhuam se do ta ulim kontributin e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor për të vetëpunësuarit dhe e ulëm me 2,4 herë.

Ne u angazhuam se do ta përgjysmojmë tatimin mbi biznesin e vogël, dhe këtë gjë e bëmë realitet.

Ne u angazhuam se do të shlyejmë borxhet për të sjellë normalitetin tek operatorët ekonomikë, e kemi progresivisht, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë.

Ne u angazhuam se do t’i falim gjobat që u vunë në prag të fushatës elektorale 2013, dhe këtë e bëmë realitet.

Ne u angazhuam se do ta heqim TVSH-në e barnave, dhe e bëmë realitet, madje më tej, vjet në korrik përjashtuam nga TVSH-ja edhe materialet mjekësore të implantueshme, – pra ato materiale mjekësore që bëhen pjesë e funksionimit të trupit të njeriut.

U fol këtu edhe për administrimin fiskal, – të paktën ka një të dhënë të ftohtë të pamohueshme: Skontrinot fiskale që emëtohen sot në Shqipëri janë rritur në 2014, krahasuar me një vit më parë, krahasuar me 40%.

Pra, jo vetëm ka më shumë të ardhura, ka shumë më tepër ligjshmëri dhe ka shumë më tepër barazi të operatorëve ekonomikë kundrejt njëri-tjetrit dhe në treg.

Janë mbyllur ndërkohë 600 kazino, më vjen keq që nuk është deputeti parafolës, por duhet t’i bëj me dije, se ndoshta brenda partisë së tij duhet të ketë noj grup armiqësor, sepse deputetët e tij, dje në Komisionin e Ekonomisë (Komisioni për Ekonominë dhe Financat), kanë mbrojtur të kundërtën e asaj që ai sapo deklaroi këtu.

Ndërsa, po të vijmë tek çmimi i energjisë, të dhënat flasin qartë:

– Në vitin 2006, energjinë e rritët 12%;

– Në vitin 2008 e rritët 15.8%;

– Në vitin 2010 e rritët 12.7% dhe shikoni sa hileqarë dhe tinzarë keni qenë me shqiptarët – nuk e rrisni në 2007-ën, nuk e rrisni në 2009-ën, se janë ligje elektorale, dhe pastaj rrisni me 40% gjatë gjithë periudhës që qeverisni.

Sigurisht që, problemet në energji janë të bartura, të akumuluara, por kolapsi ku u gjet sistemi elektro-energjitik në verën e vitit 2013, të paktën nuk qëndron më. Dhe fakti që nuk qëndron më, konfirmohet shumë thjeshtë: Këtu në Kuvend, kemi miratuar kredi të fuqishme, qindra milionëshe, që do të mbështesin sistemin energjitik, që do të thotë se donatorët kanë garanci tek modeli energjitik që do vemë dhe tek sjellja e Qeverisë, por padyshim sepse OSHEE-në e kemi nxjerrë nga ngërçi që e latë ju.

Ne kishim një situatë, që po të vazhdonim pambarimisht, askërkush nuk do pranonte të investonte në energjitikë asnjë qindarkë, ndërkohë që jemi të vetëdijshëm që kemi nevojë të domosdoshme: në rrjetin e shpërndarjes dhe në rrjetin e transmetimit, për të zhvilluar ekonominë dhe turizmin.

Ndërkohë, edhe pagat. Sigurisht që, unë besoj se taksa e ndershme i ka rritur të ardhurat neto të shqiptarëve. Me taksën e ndershme, vetëm në 2014-ën, infermierët e kanë marrë pagën e 13-të neto në dorë, mjekët kanë marrë gjysmën e pagës dhe kështu që, të ardhurat reale janë rritur. Iku koha kur u merresh shpërblimi – paga e 13-të mësuesve, – që të financoheshin detyrimet e përmbytjeve të Shkodrës.

Ajo çfarë kemi marrë si angazhim, jua rendita në 7 raste, në 19 muaj janë zbatuar një për një angazhimet e Programit Qeverisës, sepse në radhë të parë, besojmë se shqiptarët e meritojnë dhe sepse së dyti, ne jemi të vendosur që të rivendosim edhe paqen sociale, edhe barazinë sociale.

Faleminderit!

—###—

[Diskutimet në seancën e pasdites, 9/4/2015]

Zoti Drejtues i Seancës,

Zonja dhe Zotërinj Deputetë,

Pati një pyetje nga deputetët parafolës, Deputeti i Qarkut të Fierit, se ku është Qeveria. Atëherë, unë e ndjej për detyrë të shpjegoj se kush janë veprimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe sektorit të shëndetësisë që nga data 1 Prill e në vijim.

Sigurisht që, me marrjen e njoftimit për ndodhjen e incidentit atje, edhe Drejtoria e Shëndetit Publik të Fierit, edhe Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë, edhe Instituti i Shëndetit Publik, filluan monitorimin e situatës, – ashtu siç qendra shëndetësore dhe Spitali Rajonal i Fierit, u vunë në dispozicion të gatishmërisë së urgjencave të mundshme.

Praktikisht, që ditën e parë, edhe pse analizat fiziko-kimike të ujit nuk tregonin për ndotje, fakti që kishte patur shpërthime dhe mund të ishin dëmtuar tubacionet, një nga ujësjellësat, puset, u bllokua, ndërsa dy të tjerët u vunë në monitorim.

Që nga data 1, u vendos që njëri pus të mos përdoret, ndërsa që nga data 3 është këshilluar që në puset e tjerë, uji të përdoret vetëm për qëllime komunale, uji i pijshëm të furnizohet me autobot për banorët, dhe ndërkohë strukturat e shëndetësisë monitorojnë edhe furnizimin e autobotëve.

Rastet e paraqitura në Spitalin Rajonal të Fierit janë 24, – deri sot që flasim, – nga të cilat kanë patur shqetësime të marrje mendsh dhe të dhimbjes së kokës, janë trajtuar në mënyrë ambulatore dhe janë kthyer në familje.

Në qendrën shëndetësore, që nga dita e hënë, ka oksimetër dhe bombël oksigjeni të disponueshme për raste të mundshme, – të cilat për fat deri më sot nuk ka patur.

Sot është dita e parë, që nuk ka më asnjë rast të referuar në Spitalin Rajonal të Fierit, numri i vizitave në qendrën shëndetësore. Megjithatë, duke qenë se situata ishte e ngarkuar edhe në aspektin psiko-social, duke filluar që nga dita e djeshme, dy njësi të lëvizshme kanë filluar të bëjnë vizita edhe pranë banorëve, – çdo ekip ka mjek, infermier dhe psikolog ose punonjës social.

Gjithashtu, duke filluar që nga dita e djeshme, është furnizuar qendra shëndetësore, me barna, material mjekësore dhe pajisje shtesë, sepse ka një fluks në rritje dhe sigurisht, që javën e kaluar u është dashur të konsumojnë më shumë se konsumi i tyre normal.

Ndërkohë, kanë vazhduar analizat edhe më të specializuara, qoftë në Institutin e Shëndetit Publik, apo qoftë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, nga të cilat rezulton që uji duhet të vazhdojë të mos jetë i konsumueshëm, përveçse për nevoja komunale.

Nuk ka deri tani shfaqje të patologjive, që vijnë nga rreziqe të mundshme të gazrave apo lëndëve që janë atje. Dhe sigurisht që situatën do të vazhdojmë ta monitorojmë ditë pas dite. Në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, kemi spostuar një njësi, që monitoron ajrin në mënyrë të përditshme, dhe gjithashtu vazhdojmë të mbajmë nën kontroll zonën rreth ujësjellësave.

Ndërkohë që, sigurisht në disa familje që janë atje, kanë edhe puse familjare, të cilëve u është këshilluar të mos i përdorin. Dhe ndërkohë, po shpërndajmë edhe lëndë, të cilat u përdorën edhe në përmbytjet e fillimit të shkurtit, për të bërë pastrimin e mjediseve ku ata vazhdojnë të jetojnë.

Kështu që, besoj se pjesën e parë të përgjigjes normale, që institucionet shtetërore duhet të bëjnë, ne e kemi bërë.

Për fat të mirë, nuk kemi pasur asnjë problem as atë ditë, as në vijim, me shëndetin. Ndërsa sigurisht, Qeveria është e angazhuar që gjithë problemet e tjera që lidhen me rikuperimin e zonës, me vlerësimin e dëmeve në banesa, por edhe në zonën bujqësore dhe blegtorale, t’i vlerësojë një më një dhe t’i kompensojë.

Faleminderit!

—###—

Gjithashtu, në linqet vijim mund të ndiqni videon e plotë:

Seanca e paradites: https://youtu.be/923wQhMRlaw

Seanca e pasdites: https://youtu.be/I4Ne9BFBsv4{:}