Ministria e Shëndetësisë

2 Prill, Dita Botërore e Autizmit – Organizohet në Lushnje Tryeza e Rrumbullakët “Autizmi Flet”. Beqaj: “Në 2 Prill 2016 sigurojmë ofrimin e shërbimit të specializuar të kujdesit”

Lushnje, 2/4/2015 – Në kuadrin e aktiviteteve ndërgjegjësuese që po zhvillohen për 2 Prillin – Ditën Botërore të Autizmit, – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë dje (1/4/2015) në Tryezën e Rrumbullakët me temë “Autizmi Flet”, të organizuar në qytetin e Lushnjës nga Shoqata “Prindër Së Bashku për Zhvillimin e Fëmijëve” në bashkëpunim me Komitetin Kombëtar të Shëndetit Mendor.

Në takimin që synonte rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit të popullatës rreth këtij çrregullimi bioneurologjik të trurit, i cili bëhet shkak për një aftësi të përhershme të kufizuar të zhvillimit të fëmijëve të njohur si gjendja shëndetësore e “autizmit”, morën pjesë edhe z. Klodian Rjepaj, Zv.Ministër i Shëndetësisë dhe njëkohësisht Drejtues i Komitetit Kombëtar për Shëndetin Mendor, z. Petrit Vasili, Deputet i LSI dhe ish-Ministër i Shëndetësisë, znj. Klodiana Spahiu, Nënkryetare e Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale, si dhe drejtues të qeverisjes vendore të rrethit të Lushnjes, prindër, aktivistë e qytetarë të rrethit të Lushnjes.

Duke falënderuar organizatorët e takimit, dhe veçanërisht prindërit pjesëmarrës në takim për të gjithë përpjekjet për vetëdijësim e qasje të informuar ndaj pasojave dhe mënyrave se si mund të trajtohet ky çrregullim, Ministri Beqaj theksoi se përtej asaj çka këta prindër bëjnë, që është diçka e mrekullueshme, ka ardhur momenti që edhe vetë shteti apo qeveria duhet të bëjnë më shumë.

“Sigurisht që shteti duhet të bëjë më tepër,” – tha më tej z. Beqaj, duke shtuar se “profilet politike të dy partive që përbëjnë koalicionin tonë, janë profile që tregojnë se sa më shumë që është në gjendje shoqëria të ndihmojë shtresat në nevojë, personat me aftësi të kufizuar, aq më shumë është i ngjizur vetë indi social i shoqërisë, dhe në fund të fundit, këtu bëhet dallimi i një shoqërie të zhvilluar me një shoqëri më pak të zhvilluar”.

Kreu i shëndetësisë siguroi pjesëmarrësit në takim se MSH ka gati tashmë një plan pune, i cili parashikon që, duke filluar nga viti tjetër, të marrë përsipër financimin e një pjese të shërbimit të specializuar shëndetësor që kërkohet në këtë rast. Gjithashtu, do të vazhdohet edhe me punën për rritjen e mëtejshme të kapaciteteve të mjekëve të përgjithshëm dhe pediatërve për ta zbuluar këtë çrregullim në një stad sa më të hershëm, dhe sigurimin e një shkalle më të lartë e më të gjerë bashkëpunimi ndërsektorial dhe të specializuar të të gjithë strukturave qeveritare.

Në fjalën e tyre, z. Vasili dhe znj. Spahiu e vunë theksin tek rëndësia që ka përherë e më tepër decentralizimi i shërbimeve shëndetësore dhe sjellja e kujdesit shëndetësor sa më pranë njerëzve për trajtimin e këtyre rasteve, zhvillimet e fundit që lidhen me rritjen e shkallës së njohjes së metodikave e praktikave të trajtimit të saj, si dhe rëndësinë që merr vigjilenca mjekësore, por edhe roli i pazëvendësueshëm i prindërve në këtë drejtim.

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takim.

—###—

Përshëndetje,

Së pari, unë dua të falënderoj Margaritën (znj. Margarita Sema, Presidente e Shoqatës “Prindër Së Bashku Për Zhvillimin e Fëmijëve”), por edhe të gjithë ju prindërit për të gjithë përpjekjet e përditshme që bëni për lehtësimin e barrës që kanë fëmijët tuaj dhe, padyshim edhe ju vetë.

Por, siç e tha dhe Zëvendësministri (z. Klodian Rjepaj, Zv.Ministër i Shëndetësisë), i cili në fakt drejton Komitetin Kombëtar për Shëndetin Mendor, realiteti tregon që këta fëmijë me këtë gjendje shëndetësore, – sigurisht që ndoshta ne nuk duhet të frikemi shumë sepse po shtohet numri, – unë besoj se një pjesë e shtimit të numrit, vjen nga fakti se kemi rritur në vite kapacitetet e shërbimit shëndetësor edhe të mjekëve pediatër, edhe mjekëve të përgjithshëm për ta zbuluar në një stad më të hershëm.

Dhe këtu është momenti për të falenderuar të gjithë ata që janë marrë në vite me këtë gjë, apo që e kanë sjellë deri në këtë stad, apo e kanë shtyrë më lart, sepse në fund të fundit nuk është një shërbim që filloi kur unë fillova të drejtoj ministrinë. P.sh., këtu është kolegu Vasili (z. Petrit Vasili, Deputet i LSI dhe ish-Ministër i Shëndetësisë), i cili në periudhën që ka drejtuar ai ministrinë ka dhënë kontributin për ta shtyrë edhe më tej, apo është edhe Dr. Arieli (Dr. Ariel Çomo, Shef i Shërbimit të Psikiatrisë për fëmijët dhe Adoleshëntët, QSU “Nënë Tereza”, Tiranë), i cili nga pikëpamja e shërbimit profesional, është i angazhuar në vite për këtë gjë.

Por, përtej asaj çfarë bëni ju, – që është diçka e mrekullueshme, – sigurisht ka ardhur momenti që edhe vetë shteti apo qeveria duhet të bëjë më shumë.

Aty, një nga nënat që foli tha: “Pse të mos bëhet, gjithë bota bën, pse të mos bëjë dhe shteti jonë?”

Sigurisht që shteti duhet të bëjë më tepër, dhe madje, profilet politike të dy partive që përbëjnë koalicionin tonë, janë profile që tregojnë se sa më shumë që është në gjendje shoqëria të ndihmojë shtresat në nevojë, personat me aftësi të kufizuar, aq më shumë është i ngjizur vetë indi social i shoqërisë, dhe në fund të fundit, këtu bëhet dallimi i një shoqërie të zhvilluar me një shoqëri më pak të zhvilluar.

Por, ne jemi të vetëdijshëm se ajo çfarë ju bëni nuk mjafton, sepse minimalisht, ky lloj shërbimi kushton dhe besoj se është i papërballueshëm edhe për familjet me të ardhura të nivelit të mesëm, jo më pastaj edhe për familje të tjera. Apo është një problem që i ndodh një familjeje, i ndodh prindërve në Tiranë, në Lushnjë, por edhe në një fshat dhe, siç me të drejtë tha Mariola kur ka folur me z. Vasili më parë, është një problem që nuk duhet të ndeshë barriera gjeografike, apo një problem qoftë i të ardhurave financiare të familjes, sepse mund t’i ofrojmë një shërbim shumë të mirë në Tiranë, por është një shërbim që e meriton cilido fëmijë.

Dhe unë besoj se, në fakt, me punën përgatitore që është bërë, ne kemi gati një plan pune, dhe besoj se kemi diskutuar me zëvendësministrin, të paktën kur të jetë vitin tjetër, ne do të kemi marrë përsipër si kujdes shëndetësor, të financojmë një pjesë të shërbimit të specializuar që nevojitet edhe për rastin tuaj.

Sigurisht, nga ana tjetër do vazhdojmë të rrisim punën tonë të rrisim kapacitetet e mjekëve të përgjithshëm dhe pediatrëve për ta zbuluar në një stad sa më të hershëm.

Por, sigurisht, është një çështje që do në radhë të parë edhe një bashkëpunim më të gjerë ndërsektorial, dhe unë këtu në emër të Qeverisë, shpreh angazhimin se, qoftë në arsimin e detyrueshëm, do ketë më shumë prezencë të njerëzve të specializuar, që do të merren vetëm me raste të veçanta, por edhe Ministria e Çështjeve Sociale dhe Mirëqenies, në shoqërinë sociale do të fuqizojë kapacitetet për t’u marrë me këto raste.

Por, besoj se me fillimin e shtatorit, kur do të krijohen njësitë e reja që do të dalin nga zgjedhjet e reja të qershorit, do të zbatohet edhe një nga parimet e reformës që ka qenë, fuqizimi edhe i këtyre njësive edhe me kapacitete që mund të ofrojnë edhe shërbime sociale. Dhe besoj se, një sinergji e tillë do të jetë një ndihmë, edhe pse ndoshta jo maksimumi i asaj që është e nevojshme, për të garantuar një jetë më të mirë për fëmijët, një jetë më të lehtë për prindërit, por edhe për të filluar për të menduar, ndoshta se vitet ikin, edhe si duhet të përshtatet shërbimi shëndetësor, apo edhe shërbime të tjera, me këta njerëz kur të vijë në një moshë më adulte.

Një nënë e tha që e kam nëntë (vjeç), por pas disa vitesh vjen në adoleshencë, kur fillojnë edhe problemet e veta. Tek ne janë kryesisht të fëmijëve, sepse 10-15 vjet ka që kemi filluar ta zbulojmë këtë sëmundje, por sigurisht do të fillojmë, – tani që e dimë këtë problem, duhet të jemi pak më largpamës, që të përpiqemi me aq sa mundemi, brenda kontekstit të gjithë vendit, të parashikojmë aq sa mundemi të bëjmë. Por, për ta mbyllur, unë dua edhe njëherë të falenderoj të gjithë juve, për dashurinë që falni përditë, për nxitjen që na jepni edhe ne të tjerëve për të falur dashuri, dhe me më shumë se premtimin, por me angazhimin se në 2 prill të vitit të ardhshëm do të kemi filluar ofrimin real të këtyre shërbimeve.

—###—{:}