Ministria e Shëndetësisë

Rinovohet Kontrata Kolektive mes MSH dhe Sindikalistëve të Shëndetësisë
Ministri Beqaj: “Më shumë të drejta për punonjësit e shëndetit”

Tiranë, 25/02/2015 – U nënshkrua sot (25/0/2015) rinovimi i Kontratës Kolektive të Punës të nivelit të parë lidhur ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Federatës së Sindikatave të Punonjësve të Shëndetësisë të Shqipërisë (FSPSHSH), Anëtare e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH). Në takimin e zhvilluar në mjediset e MSH-së, Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj mikpriti një grup përfaqësuesish të anëtarësisë dhe drejtuesve të FSPSHSH-së dhe KSHSH-së.

Me mbarimin e afatit më 6 shkurt 2015 të Kontratës ekzistuese Kolektive të Punës, rinovimi i këtij akti, i cili ka për qëllim rregullimin e marrëdhënieve juridike të punës dhe respektimin e të drejtave dhe detyrimeve ndërmjet MSH-së, në cilësinë e përfaqësuesit të punëdhënësit dhe FSPSHSH-së, është i vlefshëm për periudhën tre-vjeçare 2015-2018.

Në fjalën e tij në takim, Ministri Beqaj tha midis të tjerash se parimet mbi të cilat bazohet dhe ka fushën e veprimit Kontrata e re mbeten po ato, por ndërkohë, theksoi ai, “ka disa elementë të rinj, që lidhen me sanksionimin e të drejtave që kanë më shumë të punësuarit në shëndetësi, në rastin konkret, për aspektet e sigurisë në punë, të kushteve të punës, të mjedisit të sigurtë të punës dhe sigurisht shmangieve sa më të mëdha të rreziqeve që i vijnë shëndetit të personave, që janë pjesë e punësimit në shëndetësi nga kushtet e punës, apo nga zbatimi i detyrave funksionale”.

Rinovimi i kësaj Kontrate, e cila i shtrin efektet e saj në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit si në spitale, poliklinika, qendra shëndetësore, institucione profilaktike e kërkimi shkencor ku ushtrojnë veprimtarinë  e tyre profesionistët e shëndetësisë, vjen në vazhdën e përpjekjeve që bëhen për të përmirësuar sistemin tonë shëndetësor, dhe veçanërisht, burimet njerëzore në Shqipëri, punësimi i të cilëve, tha më tej kreu i shëndetësisë, duhet të jetë “në përputhje, jo vetëm me rregullat formale, por edhe një proçes transparent dhe sa më shumë konkurues”.

Gjithashtu, në fjalën e tij për mediat, Zv.Presidenti i FSPSHSH-së, z. Petrit Frangu, falënderoi ministrinë e shëndetësisë dhe kreun e saj për disponueshmërinë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me FSPSHSH-në dhe KSSH-në. Njëkohësisht, tha më tej në fjalën e tij z. Frangu, “dua të falenderoj edhe Presidentin e Konfederatave të Sindikatave të Shqipërisë, z. Kol Nikollaj, për kontributin që ka dhënë për forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin në tërësi me MSH-në”.

Ndërsa në fjalën e tij në takim, kreu i KSSH-së, z. Kol Nikollaj, tha midis të tjerash se, “Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë ka të gjithë asistencën e duhur për t’i dhënë të gjithë punonjësve të sistemit shëndetësor nëse u cënohet marrëdhënia e punës, e pagës, e shpërblimit, e sigurisë së shëndetit në punë,” duke garantuar edhe njëherë për mbështetjen, jo vetëm për sektorin e shëndetësisë, por edhe për sektorin e arsimit dhe të reformimit të administratës së shërbimit publik.

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takim:

—###—

Përshëndetje,

Jemi sot këtu për të formalizuar Kontratën e re të punës, që lidhet midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Federatës së Sindikatave të Punonjësve të Shëndetësisë së Shqipërisë. Ka patur një Kontratë ekzistuese që ka mbaruar në ditët e para të shkurtit, në mos gaboj në 6 shkurt. Ka qenë për 2 vjet dhe kjo Kontratë e re, që lidhet sot me këtë Federatë (FSPSHSH), e cila ka në anëtarësinë e vet rreth 7-8 mijë vetë profesionistë të shëndetësisë, do të jetë për një periudhë tre-vjeçare.

Praktikisht, bazohet në legjislacionin që në Shqipëri rregullon marrëdhëniet midis punëdhënësve dhe punëmarrësve dhe të organizimit sindikal të Kodit të Punës dhe të rregullimit të kontratave kolektive.

Në Kontratën e re, sigurisht që parimet mbeten po ato, por ka disa elementë të rinj, që lidhen me sanksionimin e të drejtave që kanë më shumë të punësuarit në shëndetësi, në rastin konkret, për aspektet e sigurisë në punë, të kushteve të punës, të mjedisit të sigurtë të punës dhe, sigurisht, shmangieve sa më të mëdha të rreziqeve që i vijnë shëndetit të personave, që janë pjesë e punësimit në shëndetësi nga kushtet e punës, apo nga zbatimi i detyrave funksionale.

Sigurisht, në vazhdën e përpjekjeve që bëhen për të përmirësuar sistemin tonë shëndetësor, padyshim të rëndësishme janë edhe burimet njerëzore në Shqipëri.

Në radhë të parë, punësimi i tyre në përputhje, jo vetëm me rregullat formale, por edhe një proçes transparent dhe sa më shumë konkurues, sidhe me përpjekjet për të mbajtur në mënyrë të vazhdueshme njohuritë sa më të përditësuara.

Sigurisht, që këtu, Ministria e Shëndetësisë duhet të bëjë përpjekje sa më të mëdha, që do të fillojnë nga alokimi i fondeve të nevojshme për trajnim, dhe pastaj, sigurisht, zbatimi i programeve të mirëhartuara dhe të shënjestruara për formimin profesional; përmirësimi i shpërblimit të profesionistëve të shëndetësisë.

Sigurisht, në një kontekst jo shumë të favorshëm që kalon vendi, unë besoj se vitin e kaluar, vendosja e taksës progresive, ka qenë një ndihmë e drejtpërdrejtë për buxhetet familjare të profesionistëve të shëndetësisë.

Praktikisht, infermierët kanë marrë, – po t’i marrim përfitimet nga taksa progresive çdo muaj, – që në fund të vitit kanë marrë praktikisht një pagë neto më shumë, dhe mjekët gjysmë page më shumë.

Megjithatë, në prioritetet e Qeverisë, është padyshim edhe përmirësimi i shpërblimit financiar të të gjithë punonjësve publikë, por sot, specifikisht, jemi këtu për të folur për profesionistët e shëndetësisë.

—###—

Shfrytëzoj pjesën e fundit të asaj çfarë tha Presidenti i Konfederatës (z. Kol Nikollaj, KSSH), për të rikonfirmuar tre momente, që janë të ndjeshme dhe në këtë diskutimin e nxehtë që lidhet me testimin.

Flasim fillimisht për testimin e infermierëve që do të fillojë këtë javë. Janë tre momente të rëndësishme që besoj se duhet të rikonfirmojmë:

Nga proçesi i testimit nuk ndryshojnë marrëdhëniet e punës, nuk ndryshon shpërblimi ekzistues që infermierët marrin, nuk ndryshon as e drejta e ushtrimit të profesionit.

Janë tre gjëra shumë të rëndësishme, për të cilat është pretenduar se mund të cënohen dhe për pasojë të kemi cënim të sigurisë juridike.

Secili nga ata që sot janë duke punuar, të nesërmen e testimti apo të daljes së rezultateve, nuk i ndryshon, po e ripërsëris: Kontrata e punës, përfshirë edhe pagën, që është një nga elementët më thelbësore të Kontratës së punës dhe nuk i ndryshon e drejta e ushtrimit të profesionit.

Kalojmë në firmosje.

Faleminderit!

—###—{:}