Ministria e Shëndetësisë

Vijon në Elbasan rrugëtimi i nismës #ShqipëriaJoDuhanit

Elbasan, 24/01/2015 – “Masat e forta për duhanin kanë dhënë rezultate”- është shprehur sot (24/01/2015) nga qyteti i Elbasanit Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, duke i’u bashkuar grupit nismëtar të shoqërisë civile, deputetëve të këtij Qarku, autoriteteve të qeverisjes vendore dhe nxënësve të shkollave 9-vjeçare e gjimnazeve të Elbasanit në aktivitetet ndërgjegjësuese të organizuara në kuadrin e nismës “Shqipëria Jo Duhanit!”.

Aktiviteti, i cili pritet të rrugëtojë në të gjithë vendin, pas atyre të organizuara në qytetet e Tiranës, Korçës, Beratit dhe Vlorës, synon rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit të opinionit publik për zbatimin e ndryshimeve që kanë hyrë rishtazi në fuqi në Ligjin për Mbrojtjen e Shëndetit nga produktet e Duhanit, duke përcjellë mesazhin e një jete të shëndetshme pa duhan.

Në fjalën e marrë me këtë rast ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ftoi qytetarët e Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë që të mbështesin aktivisht këtë nismë të shoqërisë civile, të mbështesin ligjin anti-duhan pasi, duhanpirja mbetet burim sëmundjesh të rënda dhe përkeqëson cilësinë e jetës në komunitet.

“Shkencërisht, është provuar dëmi që shkakton pirja e duhanit; sëmundjet e zemrës dhe mushkërive janë provuar shkencërisht se shkaktohen kryesisht nga pirja e duhanit,” tha midis të tjerash ministri i Shëndetësisë, duke shtuar se “ndryshimet në ligjin për duhanin u bënë për të forcuar zbatimin e tij,” por siç theksoi ministri, “një falënderim për sensibilizimin e mospirjes së duhanit i shkon qytetarëve dhe  sipërmarrësve të ndërgjegjshëm që po e zbatojnë rigorozisht këtë ligj.”

Ne si ministri do të punojmë në tre drejtime, informimin, shtrenjtim të kostos së duhanit dhe inspektime dhe ndëshkime për ata që e thyejnë ligjin. Këto masa jemi të bindur se do të na japin efekte të kënaqshme” – tha më tej ai.

”Do të shkojmë drejt mbulimit universal që do të thotë e ftojmë shoqërinë shqiptare të kontribuojë bashkërisht për nevojat e çdo individi të shoqërisë. Është edhe programi i kontrollit bazë i shëndetit për moshat 40-65 vjeç,” – është shprehur për të pranishmit ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.

Gjithashtu, folësit e tjerë në takim dhe kreu i bashkisë, z. Qazim Sejdini, i ftuan qytetarët dhe pronarët e lokaleve, të ndërgjegjësohen dhe të ndalojnë pirjen e duhanit në ambjente publike, pasi sipas tyre, ky sensibilizim është në të mirë të ruajtjes dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së komunitetit.

—###—{:}