Ministria e Shëndetësisë

Bashkëpunimi ndërkombëtar, Marrëveshje e re shumëplanëshe Shqipëri-Umbria
Ministri Beqaj: “Modeli shëndetësor i Umbrias, pikë  referimi për ne“
Presidente Marini: “Shqipëria, partner i privilegjuar për ne”

Tiranë, 11/12/2014 – Është nënshkruar sot (11/12/2014) një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Qeverisë Shqiptare, të përfaqësuar nga Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, dhe Qarkut të Umbrias, Itali, të përfaqësuar nga znj. Catiuscia Marini, Presidentja e këtij Qarku, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Shqipëri me ftesë të kreut të shëndetësisë shqiptare. Në ceremoninë e zhvilluar për këtë qëllim, morrën pjesë edhe znj. Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës, z. Edmond Panariti, Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ambasadori i Italisë në Tiranë, z. Massimo Gaiani, si dhe drejtuesë të tjerë të lartë e përfaqësues të ministrive të mjedisit, arsimit dhe sportit, atë të zhvillimit ekonomik, tregëtisë dhe sipërmarrjes, dhe miq e sipërmarrës nga Qarku i Umbrias, Itali.

Memorandumi i ri, i  parashikon forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zbatimin e nismave të përbashkëta në kuadrin social-shëndetësor, sigurinë dhe cilësinë e produkteve ushqimore, forcimin e marrëdhënieve ekonomike, bashkëpunimin në sektorin e mjedisit si dhe atë ndërmjet Universiteteve dhe Institucioneve Kulturore kryesore të dy Vendeve.

Modeli i shëndetësisë në disa rajone të Italisë, i cili është rrjedhojë e një reforme që Italia e ka filluar që në vitin 1978 na shërben si pikë referimi, – tha midis të tjerash në fjalën e tij Ministri Beqaj. “Kështu, edhe modeli shëndetësor i Umbria-s, mund të shërbejë si model edhe për Shqipërinë, për sa kohë janë disa rajone italiane, që nga pikëpamja e përmasave të territorit dhe të popullsisë, janë të përafërt me territorin dhe përmasat e Shqipërisë, edhe si popullsi, por edhe përgjithësisht si karakter sëmundshmërie”, tha ai.

Ndërsa Presidentja Marini, theksoi në fjalën e saj lidhjet “e forta dhe të lashta” që ekzistojnë ndërmjet Umbrias dhe Shqipërisë, dhe vuri në dukje praninë e qenësishme të komunitetit shqiptar në këtë rajon, i cili pas emigrimit të madh të viteve ’90, ka arritur një shkallë të konsiderueshme të integrimit në Itali dhe veçanërisht, në Umbria.”  Për këtë arsye, – shtoi më tej Marini, “Shqipëria është një partner i privilegjuar për ne”.

Ky Memorandum është pjesë e një Marrëveshjeje me te gjerë të nënshkruar më 19 nëntor 2007, në Tiranë mes Ministrisë së Shëndetësisë italiane dhe asaj Shqiptare, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalesh në fushën e shëndetësisë dhe të shkencave shëndetësore, si dhe për të promovuar lidhjet midis institucioneve, spitaleve dhe organizatave që veprojnë në fushën e shëndetësisë të të dy veendeve.

Kjo eshte paraprirë edhe nga një Protokoll Bashkëpunimi i nënshkruar më 18 dhjetor 2013 mes Universitetit të Bologna-s dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me “Polo Biomedical Umbria” – e cila numëron më shumë se 20 kompani të Umbria-s të sektorit shëndetësor e biomjekësor – në mënyrë që të zhvillojnë bashkëpunimin dhe kooperimin në sektorët e logjistikës spitalore, të inxhinierisë klinike dhe shkencave veterinare.

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takim.

—###—

Mirëdita!

E nderuar Presidente Marini,

I nderuar zoti Ambassador (Massimo) Gaiani, kolegë ministra, zonja, zotërinj zëvendësministra apo përfaqësues të ministrive të mjedisit, ekonomisë, kulturës dhe arsimit,

Të nderuar miq sipërmarrës nga Rajoni i Umbrias,

Sot është nënshkrimi i një marrëveshje bashkëpunimi midis Qeverisë Shqiptare dhe Rajonit të Umbrias, që është, në fakt, dhe kurorëzimi i një pune paraprake të bërë prej disa muajsh. Sigurisht, që është koinçidencë e mirë edhe kjo nënshkrim marrëveshje që përkon me simestrin e Presidencës Italiane të Bashkimit Europian.

Sigurisht që, Shqipëria dhe Italia kanë marrëdhënie tradicionale shumë të hershme, historike, të cilat pa dyshim janë fuqizuar shumë 24 vitet e fundit.

Është, sigurisht, rasti gjithmonë për të falënderuar, atë çfarë Italia, Qeveria e Italisë, populli italian kanë bërë duke ndihmuar Shqipërinë dhe popullin shqiptar në këto 24 vjet, qoftë në programet e para të emergjencës në fillimin e viteve ’90, apo qoftë edhe me bashkëpunimin e qëndrueshëm afatgjatë që është krijuar.

Edhe pse në fakt, Profesor Panariti (z. Edmond Panariti, Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave) na tregonte dje, që midis Shqipërisë dhe Umbrias, apo praktikisht Perugias, lidhjet janë edhe në vitet ’80 me shkëmbimin e studentëve shqiptarë që kanë studiuar në Universitetin e Perugias.

Unë pata privilegjin që të përfaqësoj Qeverinë Shqiptare në nënshkrimin e kësaj marrëveshje, e cila në fakt përbëhet nga pesë fusha, sigurisht në radhë të parë përbëhet nga:

– Fuqizimi i marrëdhënieve ekonomike;

– Pastaj janë çështjet shumë të rëndësishme të sigurisë ushqimore;

– Janë çështjet e mjedisit;

– Janë çështjet e kulturës dhe arsimit të lartë;

– Dhe, sigurisht, edhe çështjet e shëndetësisë, edhe për faktin, – siç ju e dini, – në Itali shëndetësia është shumë e administruar në nivelin e rajoneve.

Dua të falënderoj në rradhë të parë Presidente Marinin, ekipin e saj të afërt të bashkëpunëtorëve për nxitjen që i dhanë fillimit të këtij bashkëpunimi derisa arritëm sot në këtë marrëveshje. Padyshim, falënderoj edhe programet konkrete që ne kemi filluar të iniciojmë edhe pa arritur në këtë nënshkrim të marrëveshjes së sotme.

Sigurisht, dua të falenderoj edhe Ambasadorin Gaiani, i cili të paktën, në këto 15 muaj që unë drejtoj Ministrinë e Shëndetësisë, ka qenë një mbështetës shumë i madh i zgjerimit dhe fuqizimit të marrëdhënieve midis shëndetësisë italiane dhe asaj shqiptare.

Por, edhe padyshim midis sipërmarrësve të ndryshëm që punojnë në fushën e shëndetësisë. Sigurisht që, në të dy vendet ne kemi shumë prezencë të shëndetësisë publike, edhe pse në nivele të ndryshme të kujdesit shëndetësor që ofrojmë.

Edhe modeli që ne si qeveri, duam të shkojmë drejt shëndetësisë, është diçka që Italia e ka filluar si reformë që në vitin 1978, pra shërben si pikë referimi.

Por, nga ana tjetër, në disa rajone të Italisë dhe kokretisht edhe në Umbria, ka një sistem shëndetësor, – i cili mund të shërbejë si model edhe për Shqipërinë, – për sa kohë janë disa rajone italiane, që nga pikëpamja e përmasave të territorit dhe të popullsisë, janë të përafërt me territorin dhe përmasat e Shqipërisë, edhe si popullsi, por edhe përgjithësisht si karakter sëmundshmërie. Sepse edhe ne si vend, po hyjmë pak nga pak në tendencat e sëmundshmërisë që kanë vendet e zhvilluara.

Sigurisht që, pas nënshkrimit, puna kryesore na mbetet ne, për të filluar sa më shpejt me jetësimin e programeve të bashkëpunimit.

Edhe njëherë mysafirëve që kanë udhëtuar nga Italia dhe të shpresojmë që të kemi një bashkëpunim shumë të frytshëm konkret, duke filluar që nga janari, në përfitim të qytetarëve të dy vendeve tona.

—###—

Për foto të tjera nga takimi, konsultoni faqen zyrtare të MSH në Facebook: http://tinyurl.com/kndjvo4

dhe Twitter: @BeqajIlir{:}