Ministria e Shëndetësisë

Prezantohen 6 paketat e para falas të kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë,
Beqaj “Spitalet publike dhe jopublike së bashku në zbatimin e misionit tonë”

Tiranë, 24/11/2014 – Në takimin e organizuar sot (24/11/2014) nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) me temë “Zbatimi i Paketave të Kardiologjisë dhe Kardiokirurgjisë – Institucionet publike dhe jopublike së bashku,” u prezantuan gjashtë paketat e para shëndetësore falas për kardiologjinë dhe kardiokirugjinë. Në konferencën e organizuar në mjediset e FSDKSH-së, merrnin pjesë edhe deputetja Klodiana Spahiu, drejtore e QSUT-së Ogerta Manastirliu, profesorët e njohur kardiologë dhe kardiokirugë të QSUT-së që kanë kontribuuar në hartimin e këtyre paketave, prof. dr. Artan Goda, prof. dr. Arben Baboçi, prof. dr. Ali Refatllari, prof. dr. Edvin Prifti, etj., si dhe përfaqësues te 5 spitaleve jopublike, të cilët kanë lidhur kontratë me Fondin.

Drejtori i Përgjithshëm i Fondit Astrit Beci u shpreh se “sot vijmë me një premtim të mbajtur, atë të ofrimit të paketave të para shëndetësore që do të financohen 100% nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Ne kemi lidhur kontrata me 5 spitale jopublike të cilat do të ofrojnë 10 paketat shëndetësore pa kosto shtesë për pacientët.

Aktualisht po finacojmë paketën e dializës, mbi bazën e çmimit të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, falë së cilës po përfitojnë 900 pacientë të spitaleve publike dhe jopublike, jemi të gatshëm të finacojmë paketat e kardiokirurgjisë. Paketat e financuara janë të vlefshme për kardiokirurgjinë bypass, interventet valvulare dhe ato kongjenentale, ndërsa në kardiologjinë invazive, angrografia koronare dhe angloplastika koronare”, nënvizoi Beci.

Ndërsa në fjalën e tij, Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj u shpreh midis të tjerash, se “ne jemi angazhuar në programin e Qeverisë për të realizuar disa objektiva. Së pari, kemi thënë se do të synojmë drejt krijimit të një institucioni që do të jetë paguesi i vetëm i shërbimit (shëndetësor) dhe fakti që Fondi merr përsipër të paguajë këtë shërbim, institucionet publike dhe jopublike, është realizimi i këtij angazhimi. Së dyti, kemi thënë se ne i vlerësojmë institucionet jopublike si komplimentare. Ne ishim të vetëdijshëm se nuk i plotësojmë dot për nevojat që ka kujdesi shëndetësor vetëm nëpërmjet shërbimeve të ofruara në institucionet publike”.

Ai theksoi gjithashtu se bashkëpunimi mes institucioneve publikeve dhe jopublike do të sjellë një të ardhme të sigurtë dhe me standardet e duhura për kujdesin shëndetësor. Sfida e madhe për vitin e ardhshëm, sipas Beqajt, është realizimi i plotë në të gjithë Shqipërinë i shërbimit të Urgjencës Kardiologjike, kjo në mënyrë të tillë, që në 2015 të bëjmë një hap të rëndësishëm në kurimin e këtyre sëmundjeve me shkallë të lartë rrezikshmërie dhe kosto të larta.

Ndërsa Deputetja Spahiu theksoi në fjalën e saj se, “duke qenë kardiologe, e kuptoj rëndësinë e madhe që ka realizimi i kësaj pakete, nevojat e mëdha që kanë qytetarët për këtë ekzaminim. Jam në një mendje me profesorin, që është një nismë shumë e vështirë, sa e bukur është për t’u realizuar në slide-t e prezantimit, edhe më e vështirë për t’u realizuar në spital. Ndoshta, është sëmundja me prevalencë dhe vdekshmëri më të lartë, ndaj mendoj se ka qenë në prioritetet e qeverisë, realizimi sa më parë i  kësaj pakete”.

Në vijim, fjala e plotë të Ministrit Beqaj dhe diskutimet nga pjesëmarrësit e tjerë në takim.

—###—

Ministri i Shëdetësisë Ilir Beqaj:

Edhe unë jam shumë i kënaqur që arritëm në këtë pikë. Në fakt, drejtori i Fondit e prezantoi si realizimin e paketave, në fakt, ky është fillimi i realizimit të paketave. Sepse, atëherë kur realisht pacientët do të mund t’i marrin këto shërbime, pavarësisht në institucionet publike apo jopublike, do të jetë realizimi i këtij objektivi. Por sigurisht, edhe puna përgatitore është shumë e rëndësishme. Unë besoj se, në rradhë të parë, duhet të falenderoj bashkarisht Fondin dhe të gjitha shërbimet universitare, sepse ishin ata që i konceptuan, i kostuan dhe i realizuan.

Falenderoj, gjithashtu, të gjitha spitalet jopublike, që pranuan të jenë pjesë e kësaj oferte që ne kemi sot në shërbimin e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë në vend.

Jemi angazhuar në programin e Qeverisë për disa objektiva, dhe besoj se sot është momenti të shikojmë se si lidhen bashkë (me njëra-tjetrën) tre prej tyre.

Së pari, kemi thënë se do të synojmë drejt krijimit të një institucioni që do të jetë paguesi i vetëm i shërbimit. Dhe fakti që Fondi ka marrë përsipër vetë të paguajë këtë shërbim, në institucionet publike dhe jopublike, është realizimi i këtij angazhimi.

Së dyti, ne kemi thënë se i vlerësojmë institucionet jopublike si komplementare në përmbushjen e misionit tonë.

Dhe praktikisht, të vetëdijshëm se nuk i plotësojmë dot sot dhe në një të ardhme të afërt, por edhe afatmesme, nevojat që ka kujdesi shëndetësor vetëm në institucionet publike, pranojmë të bashkëpunojmë me institucionet jopublike. Sepse, në fund të fundit, edhe ato janë investime të bëra në Shqipëri, nga shqiptarët për Shqipërinë, që të realizohet kujdesi shëndetësor, edhe aty ka mjekë dhe infermierë të përkushtuar.

Së treti, ne kemi thënë se janë dy grup-sëmundjet që do t’i trajtojmë më shumë, sepse kanë prevalencë më të lartë në Shqipëri, krijojnë më shumë kosto në shëndet, krijojnë më shumë fatalitete, shkurtojnë më shumë vite jetë të shëndetshme, – siç janë sëmundjet tumorale dhe ato kardiovaskulare.

Praktikisht sot, jemi në momentin kur bëhemi gati, që nga java e ardhshme, në bazë të regjistrit kombëtar të nevojave për këto shërbime, që janë përcaktuar dhe që ne i kemi realizuar si bashkëpunim nëpërmjet Fondit dhe shërbimit universitar, do të fillojmë të ofrojmë paketat, – fillimisht, lehtësojmë listën e pritjes që është për këto shërbime në QSUT.

Besoj se sfida e madhe e përbashkët, që vitin e ardhshëm, është realizimi në mënyrë të plotë në të gjithë Shqipërinë, i Urgjencës Kardiologjike.

Kush e ka ndjekur nga ju diskutimin që kemi bërë në komisionin e shëndetësisë, kur diskutuam buxhetin, edhe komisioni i shëndetësisë na kërkoi ne dhe na vuri si detyrë, duke na ofruar mbështetjen për të parë sa hapësira mund të ketë rishikimi i buxhetit derisa të miratohet ditën e enjte në Kuvend, që të mund të realizojmë (shërbimin e) urgjencën në të gjithë Shqipërinë për sëmundjet e zemrës, në mënyrë të tillë, që të paktën ta quajmë që, në vitin 2015, të bëjmë një hap shumë të rëndësishëm në trajtimin e këtyre sëmundjeve, që siç e thamë, janë sëmundjet që kanë shkallën më të lartë të përhapjes në Shqipëri dhe krijojnë kosto shëndetësore, shoqërore dhe ekonomike.

Nuk doja të zgjatesha shumë, do të dëshiroja t’ia kaloja fjalën profesor Godës, por sigurisht, do të isha shumë i kënaqur të merrja edhe komentet e gjithë njerëzve të pranishëm.

Prof. Dr. Artan Goda, Shef i Shërbimit të Hemodinamikës dhe Kardiologjisë në QSUT:

Ju falenderoj për ftesën në këtë takim historik mund të themi, që për herë të parë në vendin tonë, arrihet të realizohet një shërbim i subvencionuar nga shteti si në sektorin publik, (ashtu) dhe atë privat. Bërja e këtyre paketave financiare, ka qenë një sfidë për të gjithë ne, sepse ishte eksperiencë për herë të parë. Sigurisht, do të ketë përmirësime në vazhdim, në përputhje me nevojat e pacientëve.

Për herë të parë ndërtohet një treg shëndetësor, i cili ka munguar në vendin tonë, normalisht do të vijë duke u zgjeruar, ku shteti merr përgjegjësitë e veta, për mbulimin e plotë të shpenzimeve të pacientit.

Pyetje nga Gazetar #1:

Si do të funksionojë, unë si paciente, që dua të marr një shërbim që përfshihet në paketë, do vij të kryej proçedurat në QSUT, kur unë kam dëshirën të shkoj në një spital privat, si do funksionojë?

Ministri i Shëdetësisë Ilir Beqaj:

Pyetja është me interes. Profesor Goda drejton një shërbim, i cili nga pikëpamja e funksionimit të shërbimit, përveç misionit të shërbimit universitar, është i barabartë edhe me shërbimet jo publike. Sigurisht, aty, në atë shërbim kombëtar, në bashkëpunim me Fondin, krijohet regjistri i personave që mund të përfitojnë nga kjo paketë.

Pastaj, shpërndarja në institucione të ndryshme bëhet nga Fondi, pra nuk është detyrë e shërbimit. Radha e pritjes është një çështje që zgjidhet midis shërbimit dhe QSUT-së, pra nuk është çështje mjekësore referimi. Ajo që ne do të bëjmë fillimisht, – sepse jemi në momentin e parë, –  do t’i ofrojmë mundësinë, që institucionet jo publike, të mund të marrin pjesë të barabartë nga lista e pritjes. Pastaj, dora-dorës do të shikojmë se si do të shkojë zbatimi në institucionet jo publike.

Ne kemi krijuar në Fond një sektor të veçantë që monitoron zbatimin e paketave dhe praktikisht, bashkë me dializën, janë dy paketat kryesore nga pikëpamja e volumit. Dhe dora-dorës, do fillojmë të shohim kush e bën në mënyrë korrekte dhe kush nuk ka kapacitetet të bëjë të njëjtën sasi. Sepse, lista e pritjes është e tillë që të kemi këtu përveç shërbimit në QSUT, por siç kemi bërë të njohur, brenda vitit, hapim shërbim të dytë publik në Sanatorium. Ne synojmë, që brenda vitit të ardhshëm të hapim një të tretë në Shkodër, në Spitalin Publik Rajonal të Shkodër.

Pa u zgjatur, dua të them, se administrimi i listës së pritjes, pra mirëmbajtja bëhet nga Fondi.

Në shërbim fillimisht, jepet momenti i të drejtës për të përfituar këtë paketë. Por, sigurisht, nëse ne synojmë të shkojmë në urgjencën kardiovaskulare, nuk mund t’i themi dikujt që ka urgjencë në qytet, shko njëherë në QSUT, dhe pastaj ku do të zgjidhim.

Sepse, urgjenca do të përcaktohet me protokolle. Nuk dua të flas këtu përpara kardiologëve, por për të quajtur urgjencë të sëmundjeve të zemrës, do të kemi 1, 2 dhe 3 kritere teknike. Në momentin që përkufizohet dhe kjo gjë mund të bëhet edhe nga kardiologët në spitalet tona rajonale, ngremë një sistem kombëtar, sipas shpërndarjes që do të ketë urgjenca atë ditë, atë orë të ditës, do të referohet në qendrën që është e gatshme ta presë atë urgjencë.

Gazetar #1:

Po në rast se unë po kurohem në spitalin privat dhe mora vesh se duhet të bëj një koronarografi, çfarë duhet të bëj?

Ministri i Shëdetësisë Ilir Beqaj:

Atëhre edhe njëherë, për ato gjashtë ndërhyrjet që janë aty, ti i drejtohesh, – jo në urgjencë flasim, por në ditë normale, – drejtohesh në shërbimin universitar, aty e merr deri më sot pa pagesë, aty përcaktohet që “Po, ke të drejtë ta marrësh këtë shërbim”, hyn në regjistër dhe Fondi administron shpërndarjen e pacientëve midis institucioneve të ndryshme.

Unë në fakt do të doja që zj. Spahiu të na thoshte diçka, sepse në radhë të parë është kardiologe, përveçse drejtuese e komisionit.

Deputete e PS-së, zj. Kodiana Spahiu:

Së pari, doja t’ju falenderoja për këtë organizim. Falenderoj Ministrin, Drejtorin e Fondit, Profesor Godën dhe gjithë stafin e vet që ka punuar për kostifikimin në kohë record të kësaj pakete.

Duke qenë kardiologe, e kuptoj rëndësinë e madhe që ka realizimi i kësaj pakete, nevojat e mëdha që kanë qytetarët për këtë ekzaminim. Jam në një mendje me profesorin, që është një nismë shumë e vështirë, sa e bukur është për tu realizuar në slide, aq e vështirë është për tu realizuar në spital. Ndoshta është sëmundja me prevalencë dhe vdekshmëri më të lartë, ndaj mendoj se ka qenë në prioritetet e qeverisë, realizimi sa më parë i  kësaj pakete.

Edhe njëherë shpreh mirënjohjen e thellë për stafin që ka punuar për realizimin e kësaj pakete dhe shpresoj që të jetë gjithmonë në objektivat e qeverisë dhe të Fondit, në mënyrë që qytetarët që janë në radhë pritje, ta marrin sa më shpejt këtë shërbim.

Faleminderit!

Ministri i Shëdetësisë Ilir Beqaj:

Nuk ka ndonjë gjë të veçantë, s’është e thënë të kërkoj me insistim, por unë do të thoja, në të njëjtin format, në fund të shkurtit, do të bëjmë një takim tjetër, për të bërë një analizë, kush do të jetë eksperiencë e parë, e kësaj periudhe. Sepse sigurisht, edhe pse nga ana mjekësore është diçka e njohur, administrimi i gjithë kësaj sipërmarrje sigurisht do të ketë problemet e veta.

E rëndësishme është që, ne do të përpiqemi, që gjithçka që do të marrim përsipër, ta shlyejmë nga ana financiare, brenda gjithë afateve normale të përcaktuara. Duam që t’i lemë pas historitë e vjetra të borxheve të shëndetësisë. Kur filluam vjet detyrën në Ministri, ne gjetëm $40 mln borxhe, kemi shlyer deri sot rreth $23 mln, këtë javë shlyejmë edhe $9 mln të tjera, që do të thotë, janë fondet e nevojshme, që deri në fund të vitit, ne t’i shlyejmë borxhet e 2013. Të paktën, nëse do të flasim për 2014, ne e mbyllim pa krijuar borxhe. Pra, kemi ofruar shërbim shumë më të mirë, meqënëse jemi këtu, ne arrijmë këtë vit 3000 ndërhyrje, – që është hera e parë që arrijmë këtë nivel.

Më shumë kujdes për qytetarët dhe pa krijuar kosto financiare për operatorët. Besoj se bashkarisht, ato që po synojmë të bëjmë, e flasim për dy grup-sëmundjet, janë nisma pozitive që i forcojnë dhe i zgjerojnë – qoftë angiografi që do të zëvendësojmë në QSUT, ai që do të marrim në Shkodër, në kardiokirurgji po bëjmë një përmirësim të sallave, vënia në punë e kabinetit të hemodinamikës në Sanatorium.

Por , besoj se edhe rifillimi i specializimeve, do të bëjë të mundur që një pjesë e tyre, – aty janë një grup i mirë edhe për kardiologjinë, – të mund të kemi edhe brezat e rinj të mjekëve. Kemi folur me Profesor Godon, kemi qenë shumë të interesuar për të hapur kabinetin në Spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe pika më delikate ka qenë burimet njerëzore.

Pajisja ishte, e vumë në punë, gjetëm furnizimin e nevojshëm me materiale mjekësore, kur vjen puna tek burimet njerëzore, vetëm ato nuk i krijojmë dot për një ditë. Praktikisht, ne jo vetëm që zgjidhim një hall të madh për qytetarët, por besoj se edhe plotësimi i këtij lloj shërbimi, do të pakësojë shumë edhe perceptimin,- nganjëherë të padrejtë – që krijohet, jo vetëm për shëndetësinë, por edhe për këtë pjesë.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm, që kudo ku krijohet një radhë, sidomos kur është fushë shëndeti, të gjithë përpiqen ta kapërcejnë sa më shpejt këtë radhë. Dhe të kapërcesh sa më shpejt, pastaj përdor forma, ndoshta nuk janë transparente, besoj se këto krijojnë një imazh të keq.

Besoj se, edhe në drejtim të administrimit më të mirë të gjithë listës së pritjes, edhe kjo do të na ndihmojë.

Përfaqësues i Spitalit Gjerman Besjan Lala:

Ju uroj për punën e mirë që po bëni në këtë fillim. Doja të bëja një pyetja, a ka kosto shtesë për pacientët, çfarë nënkupton?

Ministri i Shëdetësisë Ilir Beqaj:

Unë e di që ju e keni firmosur kontratën, që do të thotë: Kur është miratuar paketa, në fund të muajit maj në Këshillin e Ministrave, është miratuar edhe protokolli i saj dhe aty janë përcaktuara, sipas rastit, se çfarë përfshihet në atë paketë. P.sh, unë mbaj mend, në rastin e një ndërhyrje, janë edhe dy ditë shtrim. Pra, gjithçka që është e përfshirë në atë paketë, është pjesë e asaj që financohet nga Fondi dhe vetë vendimi i qeverisë është shumë i qartë:

Mbulimi i kostos së paketës, është 100% nga Fondi, – këtë donte të thoshte drejtori kur tha pa kosto shtesë për pacientin. Besoj se kur keni firmosur kontratën, duhet të keni qenë të qartë dhe duhet t’i keni bërë këto pyetje në momentin e negocijimit.

Përfaqësues i Spitalit Gjerman Besjan Lala:

Po nëse do të ketë komplikacione?

Ministri i Shëdetësisë Ilir Beqaj:

Ato çfarë të përcaktuara aty, janë të përfshira dhe çfarë janë komplikacione dhe çfarë nuk janë komplikacione.

Drejtori i Fondit Astrit Beci:

Një sqarim për fjalën “komplikacione” – në letrat që ju do t’i bëni konsensuale pacientit, duhet t’i sqaroni shumë mirë se sa dhe çfarë përfitojnë nga paketa. Nëqoftëse pacienti do të ketë nevojë për diçka tjetër plus, qoftë për trajtimin e komplikacionit, atij do t’i bëhet qartë, që ka një vend ku ky komplikacion mund ta trajtojë pa pagesë, që është shteti, në rastin konkret QSUT-ja. Unë do përfitoj nga ana ime, për t’ju garantuar juve si të interesuar, në përfitimin nga paketa dhe shërbimi, Ministrin dhe katedrën, për gjithë angazhimin tonë maksimal, që proçesi të shkojë në vijimësi mirë.

Për efekt vendesh, unë këtu nuk mora as nëndrejtorët, as drejtorët, kam marrë vetëm një djalë të ri, që quhet Kristi Xhunga, të cilin së bashku me një grup mjekës të rinj, me dëshirën e mirë për të bërë një ndryshim për të gjithë situatën dhe për ta mbajtur këtë situatë në mënyrë sa më korrekte nën kontroll, shpreh bindjen që do të jetë angazhimi i një grupi mjekësh të rinj në moshë, por me plot dëshirë për realizimin me sukses të këtij proçesi.

Faleminderit!

—###—

Për foto të tjera, mund të konsultoni profiling zyrtar të MSH në Facebook:

https://www.facebook.com/media/set/?set=a.644417315669349.1073741888.453892661388483&type=3

dhe Twitter: @BeqajIlir{:}