Ministria e Shëndetësisë

Tryezë e Përbashkët Pune: “Turizëm i Sigurt dhe i Shëndetshëm!”
Mbi konsultimet për sezonin turistik 2015 organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit

Durrës, 14/11/2014 – Në mbështetje të përpjekjeve dhe konsultimeve për t’iu përgjigjur nevojave dhe organizimin e shërbimit shëndetësor në zonat turistike në vend për sezonin veror 2015, zhvilloi punimet sot (14/11/2014) në Durrës një Tryezë e përbashkët Pune e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit.

Në takimin me temë “Turizëm i Sigurt dhe i Shëndetëshëm” morën pjesë Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, znj. Eglantina Gjermeni, Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, si dhe Zëvendësministrat përkatës, z. Alfred Dalipi dhe z. Klodian Rjepaj, drejtuesit kryesorë të institucioneve përgjegjëse të turizmit dhe institucioneve të kujdesit shëndetësor, si dhe drejtues të operatorëve turistikë e përfaqësues të grupeve të interesit në vend.

Në fjalën e saj në takim, Ministrja Gjermeni dha një pasqyrë të punës e rezultateve konkrete, si dhe vëmendjes që i ka kushtuar Qeveria mbarëvajtjes së sezonit turistik. “MZHUT po punon për sigurimin e një turizmi gjithëvjetor, me shërbime me cilësore,” – tha znj. Gjermeni, duke shtuar se duke u bazuar në të dhënat statistikore, sezoni 2014 ishte më i mirë. “Ne, e konsiderojmë bashkëpunimin me Ministrinë e Shëndetësisë të rëndësishëm, jo vetëm në kuadër të garantimit të shërbimit shëndetësor në periudhën e sezonit te veres, por edhe në sherbimin ndaj turisteve përgjatë gjithë vitit,” – tha ajo.

Ndërkohë, Ministri Beqaj foli për angazhimin serioz të institucionit që ai drejton këtë sezon turistik si dhe impaktin pozitiv që nismat që MSH ndërmori për mbarëvajtjen dhe sigurimin e kujdesit shëndetësor gjatë sezonit turistik të verës 2014. “Risia këtë vit,” – tha z. Beqaj, “ishte që shërbimi shëndetësor i urgjencës për sezonin turistik ishte shumë më i organizuar, ku midis të tjerash, MSH organizoi edhe ngritjen e qendrave të përkohshme të urgjencës mjekësore për të përballuar një nga problematikat me rëndësi jetike për popullatën, siç është ndërhyrja e shpejtë dhe me cilësi për shpëtimin e jetëve në rastet e urgjencave mjekësore dhe parandalimin e handikapit”.

Gjithashtu, z. Dalipi, Zv.Ministër dhe njëkohësisht drejtues i Task-Forcës për Turizmin, bëri me dije disa çështje dhe problematika që lidhen me përmirësimin e mëtejshëm të shërbimit, duke analizuar shërbimin shëndetësor të ofruar gjatë sezonit veror 2014, si dhe hodhi ide të reja për planifikim dhe ofrimin e shërbimit edhe përgjatë gjithë sezonit 2015.

Ndërsa, z. Rjepaj, Zv.Ministër i Shëndetësisë paraqiti për pjesëmarrësit në takim një pasqyrë të plotë të Shërbimit Kombëtar të Urgjencës që pritet të fillojë nga puna me miratimin e Ligjit përkatës, si dhe solli për të pranishmit një prezantim të modelit pozitiv të shërbimit të urgjencës mjekësore në Qendrën Shëndetësore të Spillesë, që ofrohet prej disa vitesh tashmë nga ERA (Emergency Response Albania) me mbështetjen e SFI (Swiss Foundation for Innovation).

—###—{:}