Ministria e Shëndetësisë

Ministri Beqaj në Takimin Ndërkombëtar për Shëndetin e të Rinjve, HBSC:
“Rinia ka nevojë dhe meriton të kenë një zë të vetin dhe vëmendjen e duhur!”

Tiranë, 12/11/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë sot (12/11/2014) në sesionin e hapjes së Seminarit Ndërkombëtar për Shëndetin e Fëmijëve dhe të Rinjve, në kuadrin e Takimit të Përvitshëm të Rrjetit Ndërkombëtar të Studimeve Europiane HBSC (Health Behaviour in School Age Children), i cili organizohet nga Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim me Fakultetin e Shëndetit Publik, në datat 12-14 tetor në Tiranë.

Në fjalën e tij përshëndetëse për pjesëmarrësit, Ministri Beqaj e vuri theksin tek vëmendja që shoqëria dhe politikëbërësit t’i kushtojnë shëndetit të 10-19-vjeçarëve, teksa hartojnë dhe zbatojnë politikat e shëndetit publik në vend, prandaj, edhe e vlerësoi kët seminar ndërkombëtar për shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve, si një nismë të qënësishme në përpjekjet institucionale globale të shëndetit publik që synojnë ta ndryshojnë këtë situatë.

“Ky është një apel drejtuar të gjithë shoqërisë sonë dhe politikëbërësve,” – tha midis të tjerash në fjalën e tij Ministri Beqaj, “për ta dëgjuar më shumë zërin e fëmijëve tanë që vjen përmes të dhënave të studimit të HSBC-së dhe për t’u siguruar se këto zëra do të shërbejnë si bazë e mirëinformuar të dhënash për hartimin e nismave e projekteve për përballimin dhe trajtimin e problemet e shëndetit në të gjithë gjerësinë e vet, sot dhe në të ardhmen”.

Sipas kreut të shëndetësisë në vend, gjetjet e studimeve të tilla, janë një hap i mëtejshëm për ofrimin e të dhënave më të plota, të cilat shërbejnë për mbështetjen e projektimin e politikave dhe programeve që synojnë përmirësimin e shëndetit të fëmijëve dhe të rinjve. Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e këtyre të dhënave për t’i orientuar drejt autoritetet shëndetësore në hartimin e strategjive të promocionit të shëndetit për identifikimin e prioriteteve që lidhen më shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve.

“Nga ana tjetër,” – vazhdoi më tej ai, “shpresojmë që burime të tilla dhënash të plotësojnë boshllëkun e informacionit shëndetësor për këto grupmosha, që në shumë raste jepen bashkuar me statistikat e të rinjve. Gjithashtu, këto forume bashkëpunimi dhe platforma shkëmbimi përvojash hulumtuesisht, sjellin së bashku kërkues me një ekspertizë të lavdërueshme në fusha të tilla si, mjekësi klinike, epidemiologji, biologji njerëzore, pediatri, pedagogji, psikologji, shëndet publik, politika publike dhe sociologji, tha z. Beqaj.

Gjetjet e studimit të HBSC-së mbi “Sjelljet e shëndetshme tek fëmijët e moshës shkollore 11, 13 dhe 15 vjeç”, të prezantuar për publikun shqiptar më 20 tetor, hedhin dritë mbi sjelljet që lidhen me shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve në periudhën e adoleshencës, periudhë kjo, e ndryshimeve të rëndësishme jo vetëm fizike, por edhe e rritjes së pavarësisë.

Kjo është hera e parë që të dhënat e studimit do t’i bashkohen të dhënave të të gjithë vendeve që kanë aplikuar dhe kryer këtë studim, duke u bërë kështu edhe pjesë e raportit evropian të studimit të HBSC-së për vitin 2013-2014.

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takim.

—###—

E nderuar znj. Pernille Due, (Zv.Koordinatore Ndërkombëtare e HBSC-së)

I nderuar, z. Rauf Dimraj, (Zv.Ministër i Arsimit dhe Sportit)

I nderuar z. Enver Roshi, (Dekani i Fakultetit të Shëndetit Publik)

E nderuar znj. Manuela Bello, (Përfaqësuese e Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri)

Një në çdo gjashtë njerëz në botë është një adoleshent. Thënë ndryshe, sot në Botë ka më tepër se sa një miliard të rinj. E megjithatë, ne ende i kushtojmë shumë pak vëmendje shëndetit të 10-19-vjeçarëve, individualisht dhe kolektivisht.

Prandaj, besoj se ky seminar ndërkombëtar për shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve, si dhe takimi i rrjetit ndërkombëtar të HBSC-së, është një nismë e qënësishme në përpjekjet institucionale globale të shëndetit publik që synojnë ta ndryshojnë këtë situatë.

Gjithashtu, edhe gjetjet e studimit të HBSC-së mbi “Sjelljet e shëndetshme tek fëmijët e moshës shkollore 11, 13 dhe 15 vjeç”, të prezantuar për publikun shqiptar më 20 tetor, hedhin dritë mbi sjelljet që lidhen me shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve në periudhën e adoleshencës, periudhë kjo, e ndryshimeve të rëndësishme jo vetëm fizike, por edhe e rritjes së pavarësisë.

Siç vënë në dukje gjetjet e studimeve të njëpasnjëshme në këtë fushë, ne priremi të mendojmë – dhe jo krejtësisht pa arsye, – se rinia është koha më e shëndetshme e jetës.

Por vitet e adoleshencës nuk janë vetëm hormonet, aknet e fytyrës apo zhgënjimet emotive të moshës. Adoleshentët përballen me një mori sfidash të shëndetit, dhe këto çështje, me shumë gjasë, do të ndikojnë tek ata për gjithë pjesën tjetër të jetës.

Rreth 1,3 milion adoleshentë vdesin çdo vit dhe ajo çka është me të vërtetë tragjike, është fakti se pothuajse çdonjëra prej këtyre vdekjeve është e parandalueshme, thotë raporti i Majit 2014 i OBSH-së, “Shëndeti i Adoleshentëve në Botë: Një shans i dytë në dekadën e dytë”.

Por sigurisht, vdekshmëria nuk është mënyra e vetme për të vlerësuar e matur shëndetin e një popullate, dhe veçanërisht, të një grupi demografik tipikisht të shëndetshëm siç janë adoleshentët.

Adoleshentët janë zakonisht sypatrembur ndaj rreziqeve – falë ndryshimeve që lidhem me gjendje psiko-somatiko fizike në zhvillim e sipër, – dhe vendimet që ata do të marrin në lidhje me pirjen e duhanit, pijet alkoolike, drejtimin e automjeteti apo edhe seksit (mes të tjerash), do të kenë një ndikim të thellë gjatë gjithë jetës për shëndetin e tyre fizik, mendor dhe ekonomik. Po ashtu, edhe sëmundjet që mund të zhvillohen në adoleshencë, të tilla si, obeziteti apo depresioni.

Kështu, studimi i HBSC-së, dhe takime të rëndësishme si ky i sotshmi, synojnë të shpjegojnë mënyrën sesi këta faktorë përcaktues socialë arrijnë të ndikojnën në shëndetin dhe mirëqenien e të rinjve, për të tashmen, si dhe perspektivën e zhvillimit të tyre.

HBSC-ja është gjithashtu një apel drejtuar të gjithë shoqërisë sonë dhe politikëbërësve, për ta dëgjuar më shumë zërin e fëmijëve tanë që vjen përmes të dhënave të studimit në fjalë dhe për t’u siguruar se këto zëra do të shërbejnë si bazë e mirëinformuar të dhënash për hartimin e nismave e projekteve për përballimin dhe trajtimin e problemet e shëndetit në të gjithë gjerësinë e vet, sot dhe në të ardhmen.

Gjetjet e studimeve të tilla, janë një hap i mëtejshëm për ofrimin e të dhënave më të plota, të cilat shërbejnë për mbështetjen e projektimin e politikave dhe programeve që synojnë përmirësimin e shëndetit të fëmijëve dhe të rinjve.

Është gjithashtu e rëndësishme të theksojmë, rëndësinë e këtyre të dhënave për të na orientuar drejt në hartimin e strategjive të promocionit të shëndetit për identifikimin e prioriteteve që lidhen më shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve. Nga ana tjetër, shpresojmë që burime të tilla dhënash të plotësojnë boshllëkun e informacionit shëndetësor për këto grupmosha, që në shumë raste jepen bashkuar me statistikat e të rinjve.

Gjithashtu, këto forume bashkëpunimi dhe platforma shkëmbimi përvojash hulumtuesisht, sjellin së bashku kërkues me një ekspertizë të lavdërueshme në fusha të tilla si, mjekësi klinike, epidemiologji, biologji njerëzore, pediatri, pedagogji, psikologji, shëndet publik, politika publike dhe sociologji.

Si të tilla, këto forume janë produkte të grupeve tematike të fokusuar që bashkëpunojnë për të zhvilluar themelet konceptuale të studimeve të shëndetit të të rinjve dhe adoleshentëve, për të identifikuar pyetje kërkimore, për të vendosur që metodat dhe matjet të jenë të lehta për ata që i kryejnë dhe të dhënat e analizat të gjejnë shpërndarje sa më të gjerë.

Kjo është hera e parë që të dhënat e studimit do t’i bashkohen të dhënave të të gjithë vendeve që kanë aplikuar dhe kryer këtë studim, duke u bërë kështu edhe pjesë e raportit evropian të studimit të HBSC-së për vitin 2013-2014. Pra, falë këtij studimi, Shqipëria bëhet për herë të parë pjesë e rrjetit të HSBC-së më një anketë të denjë për t’u vendosur në hartën e vendeve evropiane që e kryejnë shkencërisht dhe rregullisht këtë studim.

Gjithashtu, më lejoni të falënderoj të gjithë kontribuuesit në kryerjen e këtij studimi, duke përfshirë ekipet e specialistëve të ISHP-së, të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Arsimit, UNICEF-it dhe UNFPA-së, të gjithë profesionistët e shëndetit dhe të arsimit si dhe grupin e punës që realizoi këtë studim.

Ky studim është realizuar në periudhën prill/maj 2014. Unë besoj se nga studimi der më sot që ne flasim, Qeveria ka qënë e bindur  se do të zhvillojë tre procese paralele qe besojnmë që në studimin e ardhshëm do të fillojnë të japin treguesit e parë të fryteve të saj.

Ne kemi tashmë që nga fundi i Korrikut një sjellje të re të ndryshme në sens pozitiv kundrejt duhanpirjes në të gjithë shoqërinë tonë. I githë opinioni është i njohur plotësisht me operacionin shëmbullor rrënjësor të filluar në Qershor për të kufizuar kultivimin e kanabisit, si një nga drogat më të përhapura në Shqipëri si dhe vendimin e marë së fundmi nga Qeveria shqiptare që pasqyrohet në buxhetin e viti 2015, se që nga Janari, 750 mësues të rinj të edukimit fizik do të jenë pjesë e zbatimit të kurrikulave të reja që ne kemi për sportin në shkolla.

Adoleshentët dhe të rinjtë kanë sot modele dhe meritojnë diçka që nuk e kanë pasur kurrë në politikat publike, një zë të tyre dhe vëmëndjen e duhur. Besoj se edhe ky raport e sjell ketë gje.

Duke ju uruar suksese me punimet e seminarit,

Ju faleminderit!

—###—{:}