Ministria e Shëndetësisë

Beqaj në aksionin e OSHEE për ndaljen e abuzimit dhe vjedhjes së energjisë:
“Humbjet prej €150m, sa ½ e shpenzimeve vjetore të shëndetësisë, ose baraz me gjithë shpenzimet për administrimin spitalor në vend, ose sa dyfishi i shpenzimeve akutale për rimbursimin e barnave”

Tiranë, 09/11/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, ndoqi nga afër sot (09/11/2014) aksionin e inspektorëve të drejtorisë rajonale të Tiranës, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), për ndaljen e abuzimit dhe vjedhjes me energjinë elektrike në zonën e Komunës së Saukut, Rrethi i Tiranës.

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj për mediat e pranishme.

—###—

Mirëdita!

Sot në mbështetje të gjithë operacionit që po zhvillohet në gjithë vendin, për të rivendosur rregull në sistemin energjitik, po asistoj në punën që po bëhet nga ekipet e Operatorit të Shpërdarjes së Energjisë Elektrike, për të ndërprerë lidhjet e paligjshme dhe për të rikthyer normalitetin, qoftë ligjor, qoftë nga ana teknike, edhe në këtë zonë të Tiranës.

Sigurisht, që për t’i ardhur në ndihmë edhe banorëve, është rënë darkord që të vazhdojë puna në të shtatë ditët e javës, sepse është e domosdoshme që të kemi edhe një kontakt të përditshëm nga afër me qytetarët, me ata që kanë nevojë që pasi rregullohen nga ana e dokumentacionit dhe pagesave me zyrat përkatëse, vijnë në terren për të stabilizuar (lidhjet e energjisë).

Problematika që kemi në sistemin energjitik, humbjet që janë vit-pas-viti kanë arritur shifra alarmante. Tashmë publiku është i njohur se vlerësimi (i humbjeve) është rreth 150 milion euro. Dhe padyshim që, edhe në detyrën e ministrit të shëndetësisë, jam jashtëzakonisht i interesuar që kjo çështje të stabilizohet një herë e më parë.

Mjafton t’ju them që 150 milion euro është gjysma e shpenzimeve vjetore të shëndetësisë në Shqipëri; apo t’ju them që 150 milion euro është e barabartë me të gjithë shpenzimet që bëhen për administrimin e spitaleve në Shqipëri; apo t’ju them që 150 milion euro është dy herë më shumë se shpenzimet aktuale të rimbursimit të barnave.

Pra është e domosdoshme që të kthejmë normalitetin, të vendosim një sistem të ndershëm, sepse padyshim që ka shumë shqiptarë që janë të rregullt me pagesën e energjisë, nuk bëjnë lidhje të paligjshme, dhe gjithashtu, edhe për të rikthyer një shoqëri që bazohet te ndershmëria, te zbatimi i ligjit.

Unë dua të falënderoj edhe drejtuesit e rajonit të Tiranës (OSHEE) për sistemin e shpërndarjes së energjisë që janë në krye të këtij operacioni. Ju faleminderit!

—###—{:}