Ministria e Shëndetësisë

Fjala e Ministrit Beqaj në Seancë Plenare të Kuvendit të Shqipërisë
Diskutimi i P/Ligjit të Urgjencës Kombëtare Mjekësore

Beqaj: “Sigurimi i kujdesit të urgjencës mjekësore të përshtatshme shpëton jetë!”

Tiranë, 30/10/2014

—###—

I nderuar zoti Drejtues i Seancës,

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Projektligji që Qeveria paraqet sot është në vijim të përmbushjes së angazhimeve programore, që sigurisht, janë votuar nga ky Kuvend në shtator të vitit të kaluar.

Sigurimi i kujdesit të urgjencës mjekësore adekuate dhe efektive shpëton jetë njerëzish dhe shkurton invaliditet.

Ky është dhe duhet të jetë lejtmotivi kryesor i zhvillimit të Shërbimit të Urgjencës Mjekësore sipas vizionit që kemi shprehur qartësisht edhe në Programin tonë qeverisës, dhe ky projektligj që po sillet sot para jush për miratim (në Kuvend) është instrumenti bazë për vendosjen e këtij vizioni në shinat e një rrugëtimi intensiv për të ofruar shërbimin e urgjencës mjekësore pranë qytetarëve shqiptarë, me standarde bashkëkohore, efikas, të shpejtë, të sigurt dhe me cilësinë e kërkuar.

Kapaciteti i një sistemi shëndetësor për të siguruar shërbime të shpëtimit të jetës në mënyrë që të jenë efikase dhe efektive është një shenjë e maturimit të çdo sistemi shendetësor, të kujdesit për shëndetin në çdo vend të botës.

 

Ka shumë arsye për të zhvilluar Shërbimin Kombëtar të Urgjencës:

Qytetarët kërkojne shërbim cilësor dhe rezultativ për ta dhe për të afërmit e tyre në rastet e një problemi shëndetësor me pasoja traumatike.

Profesionistët e përkushtuar kërkojnë të ofrojnë shërbimin më të mirë të mundshëm për qytetarët e tyre dhe ndihen të frustruar dhe të kërcënuar kur nuk arrijnë të ofrojnë ndihmën e kërkuar profesionale për arsye të mungesave në burime dhe mungesës së mbështetjes.

Politikanët dhe ekonomistët duhet ta shohin Shërbimin Kombëtar të Urgjencës si një benchmark të maturitetit të shërbimit kombëtar shëndetësor.

Gjithashtu, është edhe më e vështirë të tërheqësh investime të huaja dhe të zhvillosh turizmin, pa një sistem të zhvilluar të urgjencës mjekësore në veçanti.

Ndërkohë që, arsyet e sipërpërmendura e shohin zhvillimin e Shërbimit Kombëtar të Urgjencës Mjekësore nga këndvështrime të ndryshme, ato bashkohen në një pikë, pasi e shohin mbrojtjen e shëndetit të popullatës si një mundësi dhe instrument për përmirësimin e standardit të jetesës dhe si një mundësi për rritjen e besimit qytetar ndaj strukturave të tyre qeverisëse.

Mjekësia e Urgjencës, si një specialitet i veçuar brenda praktikës mjekësore, është një fushë relativisht e re. Përdorimi i personelit të aftësuar për të dërguar kujdes mjekësor jashtë njësisë spitalore, është zgjidhja më optimale, e cila mundëson praninë sa më herët pas një urgjence të kapaciteve të përparuara të kujdesit tek pacienti.

Edhe kështu, kjo fushë ka zhvilluar një bazë të fortë dhe të kënaqshme për shumë nga komponentët kyç të saj, ndërmjet të tjerave:

  • Kujdesi i hershëm dhe definitiv për kushtet e emergjencës do të thjeshtojë vuajtjet e pacientit dhe do të përmirësojë rezultatet e trajtimit të pacientit;
  • Programi i trajnimit të popullsisë në Ringjalljen Kardio-Pulmonare (CPR) do të përmirësojë rezultatet në pacientë për viktimat me arrest kardiak jashtë spitalit;
  • Kujdesi ndaj viktimave të traumave në mjedisin paraspitalor do të zvogëlojë vdekshmërinë, sëmundshmërinë dhe handikapin e post-traumës;
  • Përdorimi i defibrilatorëve në trajtimin e arrestit kardik jashtë spitaleve, nga personeli i specializuar do të rrisë në mënyrë të qenësishme shkallën e mbijetesës;
  • Teknika agresive dhe përfundimtare të menaxhimit të rrugëve të ajrit gjatë ringjalljes së hershme të një pacienti të sëmurë ose të dëmtuar në gjendje kritike do të zvogëlojë sëmundshmërinë, vdekshmërinë dhe do të rrisë dobishmërinë;
  • Pranimi dhe zbatimi i procesit të standartizuar të Sigurimit të Cilësisë me zhvillimin e metodave të Përmirësimit të Cilësisë, do të përmirësojë shpërndarjen e kujdesit shëndetësor dhe, gjithashtu, do të përmirësojë rezultatet e pacientit. Këto metoda duhet që, natyrisht, të bazohen në një standard kujdesi të kuptueshëm nga publiku i gjerë;
  • Administrimi i sistemit kombëtar të urgjencave mjekësore nuk është një punë e pjesshme. Bashkërendimi i sistemit të kujdesit shëndetësor i ngarkuar posaçërisht me kujdesin e pacientëve më të sëmurë ose të dëmtuar kërkon një strukturë kombëtare siç është Shërbimi Kombëtar i Urgjencës Mjekësore që do të ngrihet vitin e ardhshëm;
  • Po ashtu, është e domosdoshme një ngritje nga themelet e një sistemi të ri të komunikimit dhe transportit për urgjencat mjekësore, e cila pasqyrohet në këtë p/ligj, dhe që gjatë vitit 2015 do të zbërthehet në aktet e nevojshme ligjore dhe nënligjore për të bërë të mundur që funksioni i plotë i këtij sistemi të jetë data 1 Janar 2016.

Shërbimi i urgjencave mjekësore, në gjithë vendin është sot i atashuar pranë spitaleve, ndërsa në Tiranë është i ndarë ambulatori  nga ai spitalor (urgjenca spitalore funksionon pranë spitaleve universitare, trauma pranë SUT-së, ndërsa ambulatori pranë Autoritetit Shëndetësor Rajonal).

Në shërbimin e urgjencës në të gjithë vendin  priten afërsisht 350 000 vizita në vit, ku raporti thirrje telefonike me ato të paraqitura drejtpërdrejt në departamentet e urgjencës është 30/70%. Pra, kemi ende një shkallë shumë të lartë të rasteve ku njerëzit shkojnë vetë pa kërkuar paraprakisht thirrjen e urgjencës dhe komunikimin me kontaktet shëndetësore aty ku ndodh trauma apo invaliditeti.

Një peshë të madhe në përballimin e urgjencave madhore, mban  Qendra Kombëtare e Traumës, pranë ish-Spitalit Ushtarak.

Shërbimi i Urgjencës në shkallë vendi përballohet nga 180 autoambulanca, 20% prej të cilave janë të pajisura për të dhënë ndihmë të avancuar mjekësore, ndërsa të tjerat, me paisjet bazë.

Për shkak të shkallës së ulët të shfrytëzimit të Shërbimit të Urgjencave Mjekësore në përgjithësi, dhe cilësisë së ulët të shërbimit në Departamentet e Urgjencës, bëhet i nevojshëm ndryshimi i sistemit shtetëror të urgjencës më qëllim përcaktimin e shërbimit të garantuar falas për të gjithë pacientët e Shërbimit të Urgjencave Mjekësore në Shqipëri.

Përgjigja ndaj urgjencave nga telefonatat do të prioritizohen sipas urgjencës dhe shkallës së rëndesës së gjendjes së pacientit mbi bazën e supozimit që një përgjigje e shpejtë ndaj urgjencave që kërcënojnë jetën mund të çojnë në rritjen e numrit të jetëve të shpëtuara.

Një numër telefoni unik, i promovuar në publik, do të jetë në dispozicion për urgjencat shëndetësore. Thirrja do të kalojë automatikisht nga operatorët e ndryshëm të telefonisë fikse apo asaj të lëvizshme në vend, në Qendrën Kombëtare të Bashkërendimit/Koordinimit të Urgjencave Mjeksore.

Në bazë të marrëveshjeve që do të ketë për këtë qëllim me të gjitha kompanitë e komunikimit, ky numër do të jetë falas për popullatën.

Të nderuar deputetë,

Nga viti i ardhshëm, urgjenca mjekësore është një program buxhetor më vete (në buxhetin e shëndetësisë), ashtu siç edhe ju do të njiheni javën e ardhshme – siç e deklaroi edhe Kryeministri, – Qeveria sjell të hënë projekt-buxhetin në Kuvend.

Ashtu siç është bërë publike edhe më herët, edhe me aktin normativ që Ju miratuat në shtator, janë dhënë fonde shtesë pikërisht për të filluar që këtë vit hapat e parë për ngritjen e këtij sistemi. Është përzgjedhur godina ku do të jetë Qendra Kombëtare (e Urgjencës); po bëhet që këtë vit preventivi për rikonstruksionin e saj, dhe në buxhetin e ardhshëm janë të përfshira fondet për këtë rikonstruksion.

Ndërkohë, me aktin normativ janë bërë procedurat e prokurimit për blerjen e 20 autoambulancave dhe vazhdojnë procedurat (për blerjen) e helikopterit të urgjencës, sepse, për nga vlera e fondit, ky është një tender ndërkombëtar, dhe kërkon më shumë kohë.

Janë nisma e projekte që do t’i vazhdojmë, dhe ndërkohë, që nga muaji Prill, për të parapërgatitur bazë ligjore, kurrikulat dhe programet e trajnimit, është marë dhe po zbatohet një program asistence prej 500 000 mijë dollarësh nga programet e USAID-it në Shqipëri.

Këto, dhe më shumë, janë arsye që na bindin ne kur premtojmë se më 1 Janar 2016 do të jetë momenti i veprimit operacional të urgjencës kombëtare.

Ajo çka propozon në thelb ky projekligj është hapja e një faqeje tërësisht të re të urgjencave mjekësore; një sistem i cili bashkëpunon me të gjithë aktorët, për shkak se urgjencat mjekësore nuk janë tërësisht vetëm spitalore, por janë urgjenca të cilat janë shumë-dimensionale, dhe përfshirja vetëm e personelit mjekësor nuk është gjithçka.

Por megjithatë kjo është edhe një çështje shumë-sektoriale. Ne që tani kemi filluar bashkëpunimin me autoritetet e transporit rrugor, policisë rrugore, zjarrfikësve dhe operatorët e telekomunikacioneve. Për një arsye shumë të thjeshtë: na duhet të kemi rrugë të mira, rrugë të përshkueshme, në mënyrë që të përgjigjemi në kohë.

Shpeshherë njerëzit ankohen se ka vonesa në mbërritjen e urgjencave, sepse në rradhë të parë nuk ka koordinim, dhe së dyti, unë bësoj se ka ende shumë më tepër hapësirë për të përmirësuar qarkullimin rrugor në Shqipëri.

Për këtë arsye, edhe propozimet për ndryshimet në Kodin Rrugor apo vlerësimet për masën e gjobës, Ju’a kërkoj t’i shikoni edhe me këtë sy. Nëse kërkojmë që të ketë rrugë të lira për të lëvizur urgjencat duhet të mos bllokojmë trafikun në mënyrë të paligjshme, dhe për më tepër, duhet të jemi të vetëdijshëm që kostot në shëndetësi nga traumat janë shumë të mëdha.

Është e vërtetë, – jo vetëm me këtë projekligj, por edhe më parë, – urgjenca mjekësore i ofrohet falas çdo pacienti, por, kushdo që me veprimet e tij të papërgjegjshme dhe të jashtëligjshme krijon eksternalitete negative në sistem do të duhet të marrë më shumë përgjegjësi për shoqërinë.

Ju faleminderit!

—###—

Në link-un e mëposhtëm, video e plotë e fjalës së Ministrit Beqaj sot në Kuvernd:

http://www.shendetesia.gov.al/al/multimedia/video-galeri/sigurimi-i-kujdesit-te-urgjences-mjekesore-te-pershtatshme-shpeton-jete-30-10-2014{:}