Ministria e Shëndetësisë

Lufta kundër kancerit, klinikë e re kimioterapie në Spitalin e Durrësit

Durrës, 22/10/2014 – Hapet klinika e shërbimit të kimioterapisë në Spitalin Rajonal të Durrësit. Pas QSUT-së, ky spital është i pari që ka një klinikë të tillë ku do të ofrohet edhe shërbimi i kujdesit paliativ. Ky lajm u bë i ditur sot (22/10/2014) nga Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj në takimin e organizuar për këtë qëllim në Spitalin Rajonal të Durrësit.

Të pranishëm në këtë takim ishin Kryetari i Bashkisë Durrës, z. Vangjush Dako, Deputetja e PS-së për Durrësin, Dr. Klodiana Spahiu, Shefi i Shërbimit Onkologjik, Dr. Agim Sallaku, Drejtore e Spitalit Rajonal të Durrësit, znj. Ardiola Frashëri, Drejtori i DRSH Durrës, Dr. Kristo Huta, si dhe mjekë e punonjës të sistemit të kujdesit shëndetësor në Durrës.

Me hapjen e kësaj klinike jashtë Qendrës Universitare duke filluar nga Durrësi, tha midis të tjerash në fjalën e tij Ministri Beqaj, “ofrojmë një vlerë të shtuar në gjithë zinxhirin e shërbimit spitalor që ofrohet në Shqipëri”. Në Programin e Qeverisë, tha më tej ai, janë të identifikuara si grup sëmundjet ku ne do të bëjmë më shumë, duke theksuar se, “tashmë që jemi 13 muaj në detyrë në Qeveri, mund të tregojmë që ia kemi dalë të fillojmë të bëjmë gjëra të prekshme. Sidomos, lidhur me sëmundjet tumorale, unë besoj se në 13 muaj ne kemi qenë në gjendje të mbulojmë në mënyrë të plotë, 180 gradë nga parandalimi deri te kujdesi paliativ”.

Eksperiencat, jo vetëm të vendeve shumë të zhvilluara, por edhe të vendeve të rajonit, ky lloj kanceri është në gjendje të përballohet edhe duke shëruar, apo duke i dhënë grave, motrave dhe vajzave, vite shumë të tëra jetë normale.

Besoj se shërbimi i kimioterapisë, që do të fillojmë të aplikojmë në Spitalin e Durrësit, është në radhë të parë një ndihmë për vetë qytetarët e qytetit të Durrësit, por gradualisht do ta zgjerojmë gjeografinë.

Së dyti, do të lehtësojë në mënyrë indirekte edhe mbingarkesën që ka sot shërbimi onkologjik. Besoj se shërbimi universitar në Spitalin “Nënë Tereza”, do të na mbështesë të paktën gjatë vitit të ardhshëm sa të fillojmë të transferojmë gradualisht, fillimisht pacientët, pastaj protokollet dhe mjekimet bazë. Gradualisht, dora-dorës, në bazë të rezultateve që do të arrijmë, ta shtrijmë edhe më gjerë.

Çdo muaj nisen drejt Tiranës 15 pacientë për të përfituar shërbimin e kimio-terapisë. Tashmë, ata do ta marrin këtë shërbim në qytetin e tyre, në Durrës. Në 2013 janë raportuar 234 raste të reja të diagnostikuara me kancer në Durrës, ose 25% më tepër se në 2012.

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takim.

—###—

Mirëdita,

Duke filluar nga Durrësi, kemi arritur të ofrojmë kështu një vlerë të shtuar në gjithë zinxhirin e shërbimit spitalor që ofrohet në Shqipëri. Tetori është muaji i ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit, dita e djeshme është edhe Dita Kombëtare që është përzgjedhur në Shqipëri.

Sigurisht që, qoftë sëmundjet tumorale, qoftë sëmundjet kardiovaskulare, janë dy shkaktarët kryesorë të sëmundshmërisë së lartë, të invaliditetit të hershëm, të shkurtimit të viteve të jetës së shëndetshme dhe madje edhe të fataliteteve të parakohshme.

Për këtë qëllim, këto dy grup sëmundje, në Programin e Qeverisë janë të identifikuara si grup sëmundjet ku ne do të bëjmë më shumë. Besoj se, tashmë që jemi 13 muaj në detyrë në Qeveri, mund të tregojmë që ia kemi dalë të fillojmë të bëjmë gjëra të prekshme. Sidomos, lidhur me sëmundjet tumorale, unë besoj se në 13 muaj ne kemi qenë në gjendje të mbulojmë në mënyrë të plotë, 180 gradë nga parandalimi deri te kujdesi paliativ.

Sigurisht, në mënyrë të veçantë, falenderimi i shkon Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, sigurisht pjesës së mazhorancës, se opozita ka ik në punë të vet, për gjithë kontributin dhe ndihmën që kanë dhënë. Pra, praktikisht unë mund të them me mburrje që, si Ministri Shëndetësie, jemi ministria që kemi miratuar më shumë ligje të reja.

Sigurisht, këtu kemi një vlerë të shtuar se Dr. Kristaqi ka angazhuar një pjesë të madhe të karrierës së tij për këtë kujdes, që më së fundmi tani ka një bazë ligjore. Mbështetjen që ka vënë edhe profesor Agimi, i cili si puna ime ka një krushqi në Durrës, ka një lidhje më shumë dhe vlerë të shtuar.

Megjithatë, unë besoj se falenderimi kryesor ju shkon juve mjekëve, infermierëve, profesionistëve të shëndetësisë, sepse ju jeni ata që përballeni përditë me të sëmurët, me këtë sëmundje që për fat të keq, ne vazhdojmë ta zbulojmë në stad shumë të avancuar.

Eksperiencat, jo vetëm të vendeve shumë të zhvilluara, por edhe të vendeve të rajonit, ky lloj kanceri është në gjendje të përballohet edhe duke shëruar, apo duke i dhënë grave, motrave dhe vajzave, vite shumë të tëra jetë normale.

Besoj se shërbimi i kimioterapisë, që do të fillojmë të aplikojmë në Spitalin e Durrësit, është në radhë të parë një ndihmë për vetë qytetarët e qytetit të Durrësit, por gradualisht do ta zgjerojmë gjeografinë.

Së dyti, do të lehtësojë në mënyrë indirekte edhe mbingarkesën që ka sot shërbimi onkologjik. Besoj se shërbimi universitar në Spitalin “Nënë Tereza”, do të na mbështesë të paktën gjatë vitit të ardhshëm sa të fillojmë të transferojmë gradualisht, fillimisht pacientët, pastaj protokollet dhe mjekimet bazë. Gradualisht, dora-dorës, në bazë të rezultateve që do të arrijmë, ta shtrijmë edhe më gjerë.

Nuk dua të zgjatem më shumë, faleminderit për gjithë punën dhe përpjekjet që bëni. Ndjesë që ju morëm rreth 35 minuta nga puna që duhet të vazhdoni të bëni me pacientët.

Do t’i kërkoja drejtoreshës që të na përcjellë dhe të na tregojë mjediset e reja.

Faleminderit!

—###—{:}