Ministria e Shëndetësisë

 

Antiduhani, Ministri Beqaj inspekton Qendrën Tregtare “Galeria” në Tiranë:
“Zbatim i rreptë i ligjit, nuk ka sprapsje përballë asnjë pengese!”

Tiranë, 14/10/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i shoqëruar nga kreu i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor (ISHSH), z. Eltar Deda dhe drejtori i ISHSH-së për Tiranën, z. Gjergj Koja, bëri sot (14/10/2014) një vizitë të palajmëruar në mjediset e Qendrës Tregtare “Galeria” në Tiranë (ish-Kinema “17 Nëntori”) për të inspektuar nga afër zbatimin e ligjit antiduhan në mjediset publike. Duke i’u përgjigjur interesit të mediave të pranishme, Ministri Beqaj tha midis të tjerash se, “jemi praktikisht në javën e shtatë të zbatimit të dispozitave të reja ndryshuese të ligjit për mbrojtjen e shëndetit nga duhani dhe produktet e duhanit,” duke shtuar se, “përgjithësisht, kemi një zbatim shumë të mirë të ligjit në shtatë javë”.

“Në radhë të parë, falenderimi shkon për qytetarët, për sipërmarrësit”, – tha më tej ai, “por edhe brenda këtyre shtatë javëve kemi shenjat e para të përpjekjeve të moszbatimit të ligjit. “Këtu jemi në një qendër tregtare, ku dje inspektorët janë penguar të zbatojnë detyrën e tyre. Unë dua të konfirmoj angazhimin tim dhe të qeverisë në zbatimin edhe të këtij ligji, së pari, për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve shqiptarë. Duhani dhe duhanpirja rezulton shkaktari më i madh se çdo shkaktar tjetër për riskun e sëmundjeve, sidomos për dy grup sëmundjet me prevalencë të lartë në Shqipëri, sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundjet tumorale.

Dua të ftoj çdo qytetar, çdo sipërmarrës, të vazhdojë të denoncojë si deri këto shtatë javë, në numrin e gjelbër pa pagesë 0800 40 40 dhe në aplikimin online dhe mobile www.shqiperiajoduhanit.al.

Ne kemi një shërbim 24-orësh që pranon ankesat dhe trupat e inspektorëve janë në terren. I kërkoj inspektorëve zbatimin rigoroz të ligjit, të mos zmbrapsen përpara pengesave që i’u dalin dhe i bëj thirrje dikujt, që mund të mendojë të pengojë inspektorët në zbatimin e ligjit, se do të ndeshet me ndëshkimin rigoroz të ligjit.

Ndërkohë, Kryeinspektori i ISHSH për Tiranën, z. Gjergj Koja, shpjegoi teknikisht për mediat e pranishme arsyet se përse duhanpirja ndalohet në mjediset e kësaj  qendreje duke nënvizuar se: “ISHSH i Tiranës ju bën me dije qartë se ligji është njësoj për të gjithë dhe do të zbatohet njësoj për të gjithë, sikurse po zbatohet deri më sot.” Neni 3, lidhur me përkufizimet që jep ligji, pika 18, – tha më tej ai, “:përcakton shumë qartë se cilat janë ambjente të hapura dhe cilat janë ambjente të mbyllura.

Këtu ku jemi, ku dje u penguan inspektorët e Inspektoratit të Tiranës, të kryejnë detyrën e tyre sipas ligjit, është absolutisht një mjedis i mbyllur, jo sepse e thotë Inspektorati, por sepse e përcakton ligji shumë qartë, qoftë për sa i përket hapësirave, qoftë për sa i përket rrugëve të përbashkëta dhe mjediseve të tjera. Këtu s’ka asnjë mjedis të hapur, janë të gjitha ambjente të mbyllura. Ligji do të veprojë njësoj për të gjitha subjektet. Nuk do të ketë në asnjë rast, asnjë zbatim selektiv të ligjit. Edhe në këtë qendër multifunksionale, e cila duket qartë,që nga ambjentet konform ligjit është totalisht e mbyllur”.

Në përgjigje të pyetjes nëse janë marrë masa penalizuese, z. Koja tha “Absolutisht po! Dje u penguan inspektorët, sot do të vazhdojë të zbatohet ligji, siç e shikoni, jemi bashkë me inspektorët, të cilët do të vazhdojnë të zbatojnë ligjin në mënyrë të vazhdueshme, sot edhe në vazhdim.

Monitorimi është i përditshëm, paradite, pasdite deri në orët e vona të darkës.” Vumë re parregullsi, sepse të tilla ishin edhe dje, tha më tej ai, duke shtuar se “sot kemi ardhur të zbatojmë ligjin, duke u thënë të gjithëe që nuk është qëllimi ynë të vëmë gjoba. Qëllimi ynë është të ligji të zbatohet njëlloj për të gjithë. Kush i bën karshillëk ligjit, do të presë ndëshkimin përkatës.

Deri dje, që nga data 1 shtator, janë vënë 49 gjoba ndaj subjekteve, shumica private, por edhe shtetërore, që kanë shkelur ligjin, në pika të ndryshme të tij, sikurse e përcaktojnë edhe amendimet që hynë në fuqi me 23 Gusht, tha z. Koja.

—###—{:}