Ministria e Shëndetësisë

 

Tetori muaji kundër kancerit të gjirit, Ekonomi: “Mamografi falas për gratë mbi 50 vjeç”

Tiranë, 07/10/2014 – Për të gjitha gratë dhe nënat shqiptare të cilat nuk kanë mundësi të shkojnë tek mjeku apo pranë një qendre shëndetësore për të kryer mamografi, tashmë mamografët do të shkojnë tek ato. Zëvendësministrja e Shëndetësisë znj. Milva Ekonomi tha se shumë shpejt dy mamografë do vihen në dispozicion të grave në të gjithë vendin, në zonat rurale dhe të largëta.

Por në rastet kur kjo sëmundje ka avancuar, zv/ministrja Ekonomi tha se për të lehtësuar dhimbjen në listën e barnave të rimbursueshme do të shtohen edhe katër barna të reja për kujdesin paliativ.

“Përfitoj nga ky rast t’i bëj një thirrje edhe grave që janë mbi 50 vjeç në Republikën e Shqipërisë për të cilat gjatë këtij muaji të shkojnë në bëjnë një mamografi falas në të gjitha spitalet rajonale, dhe kësaj nisme i është bashkuar edhe Spitali Amerikan që vlen për tu përshëndetur,” sqaron zëvendësministrja Ekonomi, duke shtuar se “prioriteti për të hyrë në këtë radhën e mamografisë për këtë vit i është dhënë arsimtareve, dhe natyrisht që ky është një prioritet që lëviz për çdo vit.”

Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, pjesë e fushatës sensibilizuese është bërë edhe Forumi i Gruas Socialiste. Deputetja e PS-së Blerina Gjylameti, e cila është edhe kryetarja e këtij forumi për Tiranën deklaroi se gruaja për parandalimin e kësaj sëmundje duhet të jetë e bashkuar pavarësisht ngjyrave politike.

“Kur ne flasim për gruan, gruaja është e majtë, është e djathtë dhe nuk ka ngjyra. duhet të ishim të gjitha bashkë do të jemi besoj në momente të tjera. I rëndësishëm është momenti sot. Një moment sensibilizimi, ndërgjegjësimi ku secila prej nesh të mendojë që thjesht ti kushtojë pak minuta vetes për të ndërgjegjësuar edhe gratë e tjera që një moment përcakton jetën”- u shpreh deputetja e PS-së Blerina Gjylameti.

Në të gjithë muajin tetor për të gjitha gratë dhe nënat mbi 50 vjeç në çdo spital publik dhe qendra shëndetësore ofrohen mamografi falas. Edhe Spitali Amerikan i është bashkuar fushatës për parandalimin e kancerit të gjirit. Këtë vit ky spital ofron 400 mamografi dhe ekografi falas gjatë këtij muaji.

—###—

 {:}