Ministria e Shëndetësisë

Pilotimi i DRG-ve dhe Programi “Jo-Kancer”,
Dy projekte fituese të financuara nga Programi IADSA për Shëndetësinë

Tiranë, 23/09/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave për financimin e 12 projekteve fituese, me vlerë 4.6 milionë euro, në kuadër të Programit të Konvertimit të Borxhit për Zhvillim – IADSA (sipas marrëveshjes me qeverinë italiane), që u zhvillua sot (23/09/2014) në mjediset e Ministrisë së Financave, 2 prej të cilave për përmirësimin e sistemit të kujdesi shëndetësor në vend. Nënshkrimi u krye nga ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani, Ambasadori italian, z. Massimo Gaiani, dhe përfituesit përkatës të projekteve, në prani edhe të zv/kryeministrit, z. Niko Peleshi, ministrit të Bujqësisë, z. Edmond Panariti, kryetarëve të bashkive përfituese, OJF-ve, etj.

Projekti i parë i përzgjedhura si fitues në fushën e shëndetësisë lidhen me pilotimin e DRG-ve (Diagnosis Related Groups) në një zonë të vendit për të gjithë aktorët sistemit shëndetësor. Kjo përkon pikërisht me nismën e mininistrisë së Shëndetësisë për të ndërmarrë një reformë të modernizimit të sektorit të shëndetësisë me qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në shëndetin publik.

Nëpërmjet bashkëpunimit me Drejtorinë e Përgjithshme e të Drejtave të Qytetarit dhe Kohezionit Social, në rajonin e Toskanës  si dhe Fondazionit të Zonjës së Këshillit të Mirë, do të zbatohet projekti   “Vendosja e sistemit unik informativ shëndetësor; një qasje moderne për të rritur transparencën dhe shkallën e llogaridhënies në Shqipëri”.

Ky projekt jetëson një nga objektivat themelore të programit qeverisës në sektorin e sistemit të kujdesit shëndetësisë që lidhet me administrimin në mënyrë efikase të spitaleve tona. Synimi ynë është që nga financimi në bazë të paketave të shërbimit, të kalojmë drejt vendosjes së DRG-ve, synim, i cili po materializohet në një pjesë të mirë të shërbimit tonë të kujdesit shëndetësor.

Projekti tjetër i thirrjes së dytë të IADSA-s lidhet me një nga objektivat kryesore qeverisëse mbi rolin e shëndetit publik dhe programeve të parandalimit e promocionit shëndetësor. Sëmundjet jongjitëse kanë rritur përhapjen në Shqipëri, ku veçanërisht sëmundjet kardiovaskulare dhe ato tumorale kanë ndikuar ndjeshëm në shkurtimin e jetëgjatësisë dhe jetës së shëndetshme. Synimi ynë parësor është zgjatja e viteve të shëndetshme të jetës së popullatës shqiptare dhe parandalimi i fataliteteve të parakohshme duke rivendosur, ruajtur dhe përmirësuar shëndetin.

Në këtë këndvështrim, programet kombëtare të parandalimit dhe zbulimit të hershëm të sëmundjeve tumorale do të jenë në fokus të projektit “Jo – Kancer”, i cili synon që jo vetëm të rrisë shkallën e ndërgjegjësimit të grave shqiptare për të kryer në mënyrë të përgjegjshme diagnostikime personale të kancerit të gjirit dhe të qafës së mitrës, por edhe të informojë gratë e prekura nga kjo sëmundje lidhur me ecurinë e saj, duke synuar riogranizimin e ofrimit të shërbimit kemioterapisë ditore. Kjo do të realizohet duke mundësuar praninë e mjekëve me emër në fushën e onkologjisë nga klinikat prestigjioze europiane, por edhe duke trajnuar personelin ndihmës mjekësor, dhe sidomos duke e aftësuar atë në teknika të reja të përkujdesjes onkologjike ambulatore.

—###—{:}