Ministria e Shëndetësisë

Beqaj: Personel mjekësor në helikopterët e urgjencës shëndetësore

Në zonat ku nuk ka qendra shëndetësore dhe mjekë, në bordin e helikopterëve do të ketë personel mjekësor. Kjo u bë e ditur nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i shoqëruar nga zv.ministri Klodian Rjepaj dhe z. Christian Vogeli, Drejtor i shërbimit vullnetar të urgjenës mjekësore, “Emergency Response Albania” në një vizitë në Njësinë e Transportit Mjekësor me Helikopter të Ministrisë së Shëndetësisë në Ditën Botërore të Ndihmës së Shpejtë, 13/9/20914. Duke folur për mediat e pranishme, Ministri Beqaj shtoi se transporti i urgjencës me helikopter do të fokusohet kryesisht në zonat ku nuk ka qendra shëndetësore.

Janë mjaft rajone, – tha ai, – në të cilat mungon shërbimi mjekësor, por tashmë me helikopterët e urgjencës, situata do të ndryshojë. “Në çdo fluturim që helikopterët mjekësorë do të bëjnë në vendet ku nuk ka qendra shëndetësore, do të jenë të shoqëruar gjithmonë me një nga vullnetarët, të cilët janë të arsimuar për kujdes mjekësor”, tha Ministri Beqaj.

Më tej kreu i Shëndetësisë theksoi se do të nisë trajnimi i mjekëve dhe i infermierëve për t’u specializuar në dhënien e ndihmës së parë. Personeli mjekësor do të jetë në gatishmëri dhe i trajnuar në mënyrë që qytetarë të marrin një shërbim sa më të mirë. “Do të nisë trajnimi i grupit të vullnetarëve, mes tyre mjekë dhe infermierë dhe ky është një hap shumë i rëndësishëm për të dhënë ndihmën e shpejtë për çdo qytetar”, shpjegoi Beqaj.

Platforma e shërbimit kombëtar të urgjencës synon të rrisë shpejtësinë e komunikimit dhe transportin e të sëmurëve. Ministria e Shëndetësisë ka vendosur numrin 112 për emergjenca shëndetësore dhe po punon për ndryshimin e elementëve bazë të shërbimit të urgjencës. Ky shërbim është një bashkëveprim midis “Njësisë së transportit me helikopter” të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe “Emergency Response Albania”. Misioni është mbulimi i urgjencave mjekësore kur paraqitet nevoja për ofrimin e një shërbimi të tillë.

Përpos kësaj, veprimtaria kryesore e urgjencave me helikopter është transporti i specializuar mjekësor i pacientëve në rastet akute. Kjo njësi është e një rëndësie të madhe, pasi në situata emergjente, transporti me helikopter është elementi kyç. Gjithashtu në zona dhe rajone ku është e pamundur të futen mjetet e zakonshme, transporti me helikopter është thelbësor. Rëndësia e shërbimit të urgjencës me helikopter vihet re gjatë stinës së dimrit, ku në zonat e thella, për shkak të dëborës, është praktikisht e pamundur lëvizja e ambulancave, në rastet e emergjencës. Pikërisht ato rajone janë edhe fokusi kryesor i shërbimit.

“Në çdo fluturim që helikopterët mjekësorë do të bëjnë në vendet ku nuk ka qendra shëndetësore, do të jenë të shoqëruar gjithmonë me një nga vullnetarët”. Më tej, ministri i Shëndetësisë theksoi se do të nisë trajnimi i mjekëve dhe i infermierëve për t’u specializuar në dhënien e ndihmës së parë.

—###—

 {:}