Ministria e Shëndetësisë

Masat për zbatimin dhe monitorimin e kërkesave të Ligjit të ri anti-duhan,
Z/Ministri Rjepaj: “Monitorim i rreptë i zbatimit të kërkesave të ligjit”

Tiranë, 15/08/2014 – Dy ditë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjit të ri anti-duhan, Zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rrepaj thotë se po zhvillohen inspektime në të gjithë vendin për zbatimin e tij. Në një vizitë të zhvilluar sot (15/082014) në Poliklikën Qëndrore të Specialiteteve të Tiranës, i shoqëruar nga Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror të Shëndetësisë (ISHSH) Eltar Deda dhe Drejtori i ISHSH-së për Tiranën Gjergj Koja, zëvendësministri tha për mediat e pranishme në takim se ekzistojnë të gjitha mekanizmat e duhura për zbatimin e kërkesave të Ligjit të ri të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më datë 10/7/2014, “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 9636, datë 6/11/2006, ‘Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit’, të ndryshuar”, – ose të njohur ndryshe edhe si Ligji Anti-Duhan, i cili për herë të parë parashikon vendosjen e gjobave edhe për duhanpirësit që e konsumojnë atë në mjediset e ndaluara. Masa e gjobës do të jetë 5,000 lekë, ndërkohë që objekt i gjobitjes do të jenë edhe administratorët e lokaleve.

“Nga dita e shtunë janë futur në fuqi amendimet që i janë bërë ligjit ekzistues antiduhan,” – vuri në dukje numri dy i shëndetësisë, duke shtuar se këto amendime synojnë forcimin e zbatimit të këtij ligji, i cili ka pasur probleme në të kaluarën. “Shpresojmë dhe besojmë që me ndryshimet e bëra do të kemi një monitorim më të rreptë, më pranë qytetarëve, më pranë insitucioneve për zbatimin e ligjit antiduhan,” vuri në dukje z. Rjepaj, duke nënvizuar se “nuk do jenë vetëm amendime që do sigurojnë zbatimin e ligjit, por në radhë të parë dhe sensibiliteti i shtuar qytetar.

“Ministria e Shëndetësisë, trupa e ISHSH, atij qëndror dhe trupa të tjera të inspektoriateve të cilat janë të përfshira në monitorimin e zbatimit të ligjit kanë bërë një punë të shkëlqyer në terren gjatë gjithë javëve të kaluara për të sensibilizuar të gjitha institucionet, strukturat, subjektet private në Tiranë dhe qytete të tjera,” – tha më tej ai. “Për modalitetet besoj se ka një sqarim si anjë herë tjetër. Sot jemi në një institucion që është varësi e sistemit shëndetësor, pra e fillojmë nga vetja. Po ashtu inspektorë shtetërorë janë shpërndarë sot në Tiranë dhe rrethe të tjera për të sensibilizuar në radhë të parë. Nuk është ligj penalizues, penalizimi do të viojë nëse nuk ka reagim pas sensibilizimit, por besoj që është një fillim i mirë. Nuk është fushatë, por një punë e përditshme në zbatimin e ligjit antiduhan. Besoj se në 10 ditëshin e parë të shtatorit do të shihni një reagim të fortë qytetar nga shoqëria civile që është bërë pjesë e kësaj lëvizje” – tha zëvendësministri.

Sipas ligjit të ri, shkelja e nenit të ri ku përcaktohen mjediset ku ndalohet pirja e duhanit, parashikon gjobitjen e subjekteve të tatueshme me 300,000 lekë, 50,000 lekë gjobë për personin përgjegjës në institucionet publike si dhe 50,000 lekë për administratorin në banesat me bashkëpronësi të detyrueshme. Po ashtu, ligji i ri përcakton se pronari ose administratori i mjediseve ku ndalohet duhani është personi përgjegjës për vendosjen në një vend të dukshëm të listës së trupave inspektuese për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit, të shenjave të dukshme, që tregojnë se pirja e duhanit në këto mjedise është e ndaluar, si dhe të heqë e të mos lejojë vendosjen e tavllave të duhanit në këto mjedise. Shkelja e këtij neni dënohet me 300,000 lekë gjobë për subjektin e tatueshëm dhe 50,000 lekë gjobë për administratorin apo personin e caktuar përgjegjës.

—###—{:}