Ministria e Shëndetësisë

Vizita në Korçë, Ministri Beqaj përuron zyrat e reja të pritjes së qytetarëve:
“Marrëdhenie e re profesionale dhe normale me pacientët”

Korçë, 28/06/2014 –  Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, vizitoi sot (28/06/2014) Drejtorinë e Shëndetit Publik dhe Spitalin “Engels Baruta” të qytetit të Bilishtit në rrethin e Devollit ku u njoh nga afër me punën dhe nevojat e mjekëve dhe punonjësve të këtyre institucioneve shëndetësore. Më tej, Ministri Beqaj e vazhdoi vizitën në qytetin e Korçës, me rastin e organizimit të ceremonisë së përurimi të Zyrave të reja të Pritjes së pacientëve në Spitalin Rajonal të këtij qyteti, të rinovuara me mbështetjen dhe ndihmën e Projektit “Mbështetje e Reformës në Shëndetësi” të financuar nga USAID-i.

Duke falënderuar USAID-in dhe qeverinë e popullin amerikan për mbështetjne e vazhdueshme të sistemit të kujdesit shëndetësor në Shqipëri, Ministri Beqaj theksoi se modele të tilla administrimi dhe menaxhimi si ky projekt i zbatuar në Spitalin e Korçës, dhe më herët edhe në Spitalin e Lezhës dhe SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”, ofrojnë mundësinë që shërbimet spitalore që duam të ndërtojmë të jenë të suksesshëm, duke treguar një kujdes të veçantë dhe një qasje të re në qëndrimin ndaj pacientëve dhe komunikimin me komunitetin për t’i shërbyer më mirë nevojave të tij.

“Duke filluar që sot,” tha z. Beqaj, “edhe në Spitalin Rajonal të Korçës, me ndihmën bujare të popullit amerikan, nëpërmjet USAID-it, agjencisë së ndihmës amerikane, vihen në punë zyrat e pritjes me pacientin, duke ndërtuar një marrëdhënie më të rregullt, më profesionale, më normale, me të gjithë të sëmurët e këtij spitali. Ne do të shikojmë sot të tre mjediset që janë përgatitur për të krijuar që në momentin e parë të pritjes një mënyrë të re të organizimit të të gjithë zinxhirit të kujdesit shëndetësor brenda spitalit.”

“Sigurisht që është pjesë e përmirësimit të infrastrukturës spitalore që po ndërtojmë, bashkë me përmirësimin e ndjeshëm të shërbimit spitalor,” vazhdoi më tej ai, duke theksuar se, “praktikisht, të paktën prej disa javësh, ne kemi arritur të vëmë në funksion një mekanizëm që garanton një furnizim të vijueshëm të spitaleve me barna; po bëhemi gati shumë shpejt të kemi edhe kontrata afatgjata të mirëmbajtjes së pajisjeve të rëndësishme biomjekësore, në mënyrë që të paktën, pjesën e barnave, materialeve mjekësore të imazherisë dhe të laboratorit, si shërbime bazë horizontale që u shërbejnë të gjithë të tjerëve, të mund t’i garantojmë në mënyrë normale në spitalet tona.”

Besoj se, këtë që bëjmë sot këtu në Korçë, tha ai, “është diçka që do të na ndihmojë për të rritur cilësinë e shërbimit. Është më shumë siguri për pacientët, por besoj se ndërkohë është edhe më shumë siguri edhe për vetë mjekët. Me furnizim të vijueshëm me barna, me imazheri dhe laborator që funksionon, edhe vetë mjekët ndihen më të sigurtë në përcaktimin e diagnozës, dhe më tej në përcaktimin e terapisë,” përfundoi fjalën e tij për mediat ministri.

—###—

Për informacion dhe foto të mëtejshme nga takimi, mund të konsultoni:

Faqen zyrtare në Facebook të MSH:

https://www.facebook.com/media/set/set=a.571574626286952.1073741863.453892661388483&type=3&uploaded=24

Profilin zyrtar të MSH në Twitter: @BeqajIlir

 {:}