Ministria e Shëndetësisë

Zbatimi i Skemës së Rimbursimit të barnave për rrethin e Tiranës
Beqaj: Jo më alternativat e shtrenjta të barnave për pacientët

Tiranë, 23/07/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj së bashku me drejtorin e Fondit të Sigurimeve Shoqërore, morën pjesë sot (23/07/2014) në një takim të organizuar me drejtues, mjekë e punonjës të sistemit të kujdesit shëndetësor ku denoncuan rastet e lidhjeve korruptive të mes mjekëve, farmacistëve dhe pacientëve.

Në takim kreu i Shëndetësisë bëri me dije se prej një periudhe 3 mujore është analizuar skema e rimbursimit të barnave në gjithë Qendrat Shëndetësore të kryeqytetit ku ka rezultuar se ka disa anomali që lidhen me përshkrimin e alternativave më të shtrenjta të barnave në recetat e pacientëve, ndërkohë që një pjesë e madhe e këtyre recetave ekzekutohen vetëm në disa farmaci. “U përqendruam fillimisht tek Tirana, nuk duam të merremi me zonat e largëta ku mund të jetë vetëm një farmaci, sepse s’kemi pse i biem në qafë, kur themi që ai shyqyr e mban atë farmaci hapur, se kemi dhe zona që ka mungesë të shërbimit farmaceutik.

Apo siç kemi raste, ku ende alternativa më e shtrenjtë, që është 4 herë më e shtrenjtë se ajo që merret falas, merret nga 1/3. Po kjo 1/3, sepse ka raste ku gjysma, apo më shumë se gjysma, i çojnë tek alternativa më e shtrenjtë” pohoi Ministri Beqaj, ndërsa theksoi se “Nuk do ta lejojmë të vijojë kjo dukuri. Do ta ndërpresim. Fillimisht po ju tregojmë që duhet ju vetë, të vetëpastroheni dhe të vetërregulloheni. Informacioni është aty. Nuk mund t’i shmanget më askërkush. I pari unë si Ministër, tani që e kam këtë informacion, i dyti drejtori i Fondit, i treti drejtori i kontrollit, i katërti drejtori i ASHR-së, drejtuesit e qendrave shëndetësore dhe të gjithë mjekët me radhë” z. Beqaj.

Drejtori i Fondit të Sigurimeve, Astrit Beci ka bërë publik edhe emrat e mjekëve në qendrat shëndetësore të cilët kanë abuzuar si me fletët e KEMP-it ashtu edhe me përshkrimin e barnave me rimbuesim. Sipas tij, të gjitha rastet e konstatuara me shkelje te ligjit do të çohen në Prokurori, qofshin këta mjekë apo farmacistë, por edhe pacientë të cilët në disa raste kanë rezultuar se janë bërë pale më bluzat e bardha. “Ne kemi vendosur një herë e plotë e mirë që t’i themi stop këtyre fenomeneve dhe të vëmë para penaliteteve të nevojshme, mjekët, farmacistët, grosistët, kudo që këto fenomene janë” ka theksuar z. Beci ndërsa shtoi se “Vetëm në këtë periudhë 2-mujore ne kemi të penalizuar më shumë se 300 mjekë, vetëm në Tiranë për shkelje dhe mos respektim të procedurave dhe rregullave që ato i mësojnë që në bankat e shkollës” nënvizoi drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj dhe Drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, ku është bërë edhe pasqyrimi i plotë i rasteve abuzive të konstatuara në kryeqytet.

—###—

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj:
Vendosëm bashkë me drejtorin e Fondit ta bëjmë këtë takim bashkarisht, sepse kemi analizuar zbatimin e rimbursimit të barnave nga 1 prilli deri me 30 qershor, pra me fillimin e zbatimit të listës së re, kemi analizuar fillimisht zbatimin në qytetin e Tiranës në mënyrë të detajuar dhe konstatojmë se ka disa anomali, të cilat duam t’i diskutojmë me ju, në mënyrë që të përpiqemi t’i zbusim dhe me tendencë shmangien e plotë. Tashmë nuk është vetëm konkluzion i Ministrisë së Shëndetësisë, por edhe nga një raport i hartuar me konsulencën e Bankës Botërore, që çmimet e barnave në Shqipëri janë më të të shtrenjta se në vendet e rajonit, qoftë për përdorim spitalor apo edhe ato me përdorim ambulator.

Përtej analizës së asaj që ne gjykojmë se ka ende rezervë në çmimet me të cilat shteti negocijon me shtëpitë farmaceutike, besojmë se problematika në shërbimin farmaceutik dhe sidomos në treg, nuk është vetëm tek çmimet me të cilat vendosen në treg fillimisht, apo tek ajo që e diskutojmë si marzhi i grosistëve, por çmojmë se ka edhe në shërbimin parësor.

Analizën e kemi bërë për këto 3 muaj kapilare dhe unë dua të falenderoj ata që punuan për ta bërë këtë analizë. Ndërkohë dua të them se nuk kemi mbledhur asnjë të dhënë më tepër seato që mblidhen në Fond. Por, kemi vendosur që me të dhënat që mblidhen të bëjmë një analizë shumë më të detajuar. Konstatojmë që ka brenda Tiranës sjellje atipike, që do përpiqemi t’i ilustrojmë sot, edhe me mjekë, edhe me farmaci, për të thënë se nëse ka një situatë të një niveli të caktuar mesatar, ka raste me shmangie shumë të ndjeshme.

Kemi marrë fillimisht Tiranën për të mos rënë gabimisht në grackën e ndonjë vlerësimi të nxituar për një territor gjeografik të kufizuar. Ndoshta në një zonë më të largët sigurisht mund të jetë një farmaci, sigurisht aty do shkojnë. Por, do të shikoni se si ka raste brenda qytetit të Tiranës, ku shmangiet janë shumë të mëdha, nga një qendër shëndetësore në një tjetër, nga një mjek në një tjetër, nga një farmaci në një tjetër, brenda të të njëjtit princip aktiv. Do të vazhdojmë ta përdorim këtë informacion, që në audite të jemi më të shënjestruar, por edhe të pasurojmë kontratat e reja që do të lidhim vitin e ardhshëm edhe me kritere të reja, t’i kemi edhe këto gjëra parasysh. Dua t’ia kaloj fillimisht fjalën drejtorit të Fondit, që do të ndajë me ne çfarë problematikash Fondi ka konstatuar në këto 3 muaj të parë të zbatimit të listës së re të barnave të rimbursueshme. Por, pastaj edhe me detaje të tjera.

Drejtori i FSDKSH z. Astrit Beci:
Nga tetori deri në dhjetor-janar, ne u morëm me përpilimin e listës së re të barnave të rimbursueshme dhe e thamë dje, e themi dhe sot dhe do ta themi gjithë kohës, është lista më e mirë e këtyre viteve. Arritëm të kemi 56 alternativa të reja, baraz me numrin e barnave të vendosura në listë për një periudhë 4-vjeçare përpara. Ama, me fillimin e aplikimit të listës, na u paraqitën edhe problemet e para, më shpesh të lidhura me lidhjet e dyshimta të mjekëve me farmacistët, me një mosfunksionim të mirë të sistemit të referimit, veçanërisht në kryerjen e rekomandimeve të mjekut specialist nga mjeku i parësorit, në mënyrë eksplicite pa u thelluar në diagnozë, por duke e marrë si të mirëqenë, në një farë mënyre duke ulur funksionin dhe rolin që mjeku i familjes ka, në funksionin që veçse mjek është edhe avokati i gjendjes shëndetësore të familjeve apo territorit që ai mbulon.

Në këtë kontekst, në momentin e parë të prillit, megjithëse çmimi i ilaçeve realisht kishte rënë, megjithëse TVSH-ja e ilaçeve ishte hequr, impakti i parë në vend që të ishte pozitiv në 2-3 javët e para, ne patëm fenomene negative, pasi shumë prej mjekëve, në vend që të përshkruanin alternativën e parë, në vend që të shpjegonin pse kjo alternativë e parë dhe ky ilaç i parë ka të njëjtat veti kimike dhe farmaceutike si ilaçi tjetër, shpesh i adresonin në ato preparate ku në mënyrë të dyshimtë, ose ne na lënë të dyshojmë për një mosfunksionim të mirë të kësaj situate, pasi nëse një ilaç ka vulën e kontrollit të barnave, nëse një ilaç vjen me pullën fiskale të rregullt, patjetër që e ka kaluar pjesën e kontrollit burokratik dhe teknik të farmakologjisë së tij, është i pranuar, është i miratuar dhe gjithçka ne kemi bërë, e kemi bërë duke marrë paraprakisht mendimin e katedrave. Dhe krahas katedrave universitare të shërbimeve jemi konsultuar edhe me katedrën e farmakologjisë. Një nga titullarët e kësaj katedre është pjesë e komisionit teknik të barnave, vetëm për të shmangur këto lloj interpretimesh. Megjithatë fenomenet janë të shumta, që vlejnë për tu diskutuar dhe ne kemi shumë vende që mund të përmirësojmë pjesën e punës sonë.

Unë nuk do të doja ta tregoja si pjesë e luftës, por e vërteta është se ne kemi trefishuar penalitetet në këtë periudhë, të matur me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ama, ky trefishim penalitetesh, krahas kësaj ne duhet të bëjmë shpjegimin, pasi shumë më mirë, mund të na ndihmojë shpjegimi i mirë i situatës në të cilën ndodhemi dhe shumë më mirë do të na ndihmonte shpjegimi dhe trajtimi i drejtë i nozologjive, me preparatet e duhura dhe me alternativat e duhura dhe të rekomanduara.

Shpesh, fenomene të tilla, si trajtimi i diabetit me insulinat më të shtrenjta që në momentet e para; mosndjekja hap pas hapi e të sëmurit; mos komunikimi dhe rekomandimet dhe letrat e referëncës në momentin që kalon nga mjeku i përgjithshëm tek mjeku specialist dhe kthimi i rekomandimit të mirëplotësuar nga mjeku specialist tek mjeku i familjes, krijon një bazë burokatrike të nevojshme, të domosdoshme dhe ligjore që ndjekja e të sëmurit të bëhet më e mirë. Por, ne kemi edhe çudira të tilla, si: veteranët çuditërisht trajtohen me alternativën më të shtrenjtë. Trajtimi i tyre me alternativën më të shtrenjtë, nuk dimë nëse bëhet në të mirë të shëndetit, apo nëse bëhet që mjeku është i justifikuar ligjërisht duke e përshkruar këtë alternativë të shtrenjtë në numrin shpesh dhe maksimal të ilaçeve.

Në këtë anë do të thoja, që edhe mjekët vetë duhet të luftojnë dhe mbidozimin apo dhënien e ilaçeve pa kriter. Futemi në vendet që japim sasitë më të mëdha të antibiotikëve pa analiza dhe kontrolle bazë, ku pjesa e avokacisë që duhet t’i bëhet të sëmurit, nuk bëhet në nivelin e kërkuar dhe pacienti shkon te specialisti, specialisti i shkruan një insulinë të shtrenjtë, nuk e ndjek mbrapa me nivelet e hemoglobinës së glukozuar, nuk bën analizat e nevojshme, dhe nëse efekti i pozitiv i mjekimit nuk është arritur nëpërmjet kësaj insulinë dhe kjo hemoglobinë e glukozuar nuk është kontrolluar, në vend që pacienti, sipas rregullores, të kthehet në mjekimin që ishte, vazhdon me atë lloj mjekimi.

Po kështu, edhe dhënia gjithmonë e preparateve të mbidozuara, kemi vënë re edhe tek diferenca apo tek ajo që është me marzhin e fitimit. Kemi patur një nivel “Ketosterili” të rimbursuar në shkallë vendi, dyfish më të madh se sa e kemi sot. Dhe kjo ngaqë ketosterili ishte në rrjetin e farmacive të hapura. Në momentin që ketosterili do të merret në spitale, jo vetëm që marzhi u ul, por u sqarua edhe situata tjetër: numri i atyre që e merrnin “Ketosterilin” ishte dyfish më i madh se sa i atyre që vërtet e kërkonin. Dhe kështu mund të vazhdonim edhe me preparate të tjera të trajtimit të shumë nozologjive dhe me fenomene të mosrespektimit të kritereve dhe aspekteve ligjore shumë mirë të përcaktuar nga Fondi.

Unë kam marrë sot dy shembuj të KEMP-it të Tiranës, ku në vend që, sipas rregullave të jepet rimbursimi për sëmundjen bazë, shkruhen dhe diagnoza të tjera dhe jepet mjekimi në mënyrë të gabuar në këto receta dhe për diagnoza të tjera, që i kushton shtetit jo pak dhe që është veprim i dënueshëm kur kapet nga ana jonë. Por duhet shpjeguar dhe interpretuar drejt, në mënyrë që ky gabim të mos reflektohet në të ardhmen. Po ta shikoni në slidin sipër, në vend të një diagnoze kryesore, keni dy diagnoza. Po të shikoni ku është shigjeta sipër, i keni të shkrura aty që me këtë 2554 të shtohet edhe ulcër duodeni. Dy diagnoza pa lidhje me njëra-tjetrën. Ti nuk mund të thuash që i sëmuri doli dhe mori invaliditet për ulcër duodeni apo e mori për zemrën. Në një rast të tillë duhet të jetë mirë e përcaktuar nga gjithë mjekët e parësorit, që ne rimbursojmë sëmundjen bazë. Gjithmonë flas për sëmundjen bazë që ka shkaktuar invaliditetin.

Në tabelat e dyta, do të shikoni që në të njëjtën datë, në datën 21.01.2014, KEMP-i i reumatologjisë jo të barabartë, jo me të njëjtën diagnozë, me të njëjtin numër protokolli dhe që dokumenti i dytë nuk është si i pari. Dhe në po të njëjtën datë, në një format tjetër, që do të thotë se ne kemi probleme në formatimin saktë të shkresave, nuk mund të kemi dy lloj formatesh për të njëjtin problem, dhe në trajtimin drejt të këtyre shkresave. Numri i invalidëve nuk është i vogël, të gjithë mund ta kemi të qartë efektin financiar të panevojshëm që shkaktohet nga ky problem.

Kemi marrë tre raste që do të doja t’i shpjegoja, që pak a shumë shpjegojnë më qartë për të gjithë kolegët e mi këtu fenomenin. Mjeku P.F përshkruan recetën me rimbursim të plotë me diagnozën HTA, mjekim me Valsartan Hidroklortiazid 165 25, 30 tableta, që sipas listës së barnave të 2014 i takon kod bari 390 200. Të gjitha këto receta ekzekutohen në një farmaci dhe bar kodi ndryshohet duke vendosur 390 92. Në rastin konkret disponojmë të gjitha këto receta, me vendosjen e bar kodeve të gabuara, trajtimin e gabuar, fenomen që është rreptësisht i gabuar dhe që te subjektet që vihet re, u hiqet licenca dhe mbyllin aktivitetin e tyre. Këtë e them që të gjithë të jeni të saktë në këto përshkrime, pasi ne kemi gjithë të drejtën pastaj të dyshojmë për lidhje të dyshimta mes mjekut dhe farmacistit, nuk ka si shpjegohet ndryshe që këto receta shkojnë në X farmaci dhe jo në një vend tjetër.

Do marrim një mjek tjetër, mjekun P.F që përshkruan po për diagnozën HTA ilaçin “Lercanidipine” 10 mg nga 60 tableta, e kam theksuar dhe dje për dhënien maksimale të dozës, por sot do ndalem në fenomenin tjetër. Në qoftë se kod bari i tij është 380 200, tashmë këtij kodi i vëmë numrin 380 16, ky veprim bëhet për një periudhë 3-mujore duke shkaktuar një dëm ekonomik 19 mijë e 624 lek. Dhe të tilla receta në sistem kemi goxha. Ne e kemi diskutuar dje edhe me ministrin, edhe me drejtorin e kontrollit të barnave, në mënyrë që të bëjmë gërshetim të këtyre kontrolleve, sepse shpesh hallka të ndryshme, kontrollohen nga kontrollorë të ndryshëm.

Ato farmaci që kanë kontratë me ISKSH i kontrollojmë ne, farmacitë që nuk kanë kontratë me ISKSH-në i kontrollon Drejtoria e Kontrollit të Barnave. Ama, shpesh luhet që, ilaçe të rimbursuara trajtohen në farmaci pa rimbursim, duke bërë pastaj vetëm transfertën e recetave në mënyrë fiktive, duke i shkaktuar jo vetëm një dëm ekonomik shtetit, por duke qenë të padrejtë në mënyrën e tatimeve dhe duke e futut gënjeshtrën në sistem.

Po shpjegoj edhe rastin e tretë. Për diagnozën HTA, mjeku P.F përshkruan barin Amplodipinë 10 mg 30 tableta, që sipas listës së barnave 2013-1014 i takon bar kodi 75 105. Këto receta ekzekutohen në farmaci në Vaqarr, dhe nga ana e farmacistit ndryshohet kod bari duke i vënë kodin 75 79 dhe 376 73. Ky veprim bëhet për një periudhë 6-mujore dhe dëmi ekonomik i këtij veprimi është 5 mijë e 697 lekë.

Këto fenomene të tilla abuziviste nuk do të ndahen pa u ndëshkuar, masat do të jenë sipas ligjeve në fuqi. Ama, ne kemi vendosur një herë e plotë e mirë që t’i themi stop këtyre fenomeneve dhe të vemë para penaliteteve të nevojshme, mjekët, farmacistët, grosistët, kudo që këto fenomene janë. Vetëm në këtë periudhë 2-mujore ne kemi të penalizuar më shumë se 300 mjekë, vetëm në Tiranë për shkelje dhe mos respektim të procedurave dhe rregullave që ato i mësojnë që në bangat e shkollës. Duke ju falenderuar, po i kaloj fjalën Ministrit.

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj:
Po ndalemi pak, meqënëse doktor Astriti e preku “Lercanidipinën”. Nëse ju kujtohet, në muajin prill ishte goxha i përmendur për këtë arsye, po e them më shumë për publikun se ju e dini. Deri në 31 mars, kishte vetëm një alternativë për këtë princip aktiv. Me 1 prill, u gdhi me 5 alternativa, ku ajo e vetmja ishte më e shtrenjta dhe ishte rreth 4 herë më e shtrenjtë se alternativa më e lirë. Tradicionalisht, që kur funksionon sistemi i rimbursimit, më e lira rimbursohet 100%, të tjerat rimbursohen me bashkëpagesë. Çfarë na rezulton 3 muajt e parë? 3 muajt e parë na rezulton që qytetarët në rrethin e Tiranës, në 30% të rasteve kanë vazhduar të marrin lercanilin, alternativën më të shtrenjtë, duke qenë të detyruar të bashkëpaguajnë. Sigurisht, për sa kohë është zgjedhje e qytetarit, nuk ka ndonjë problem. Por, nëse kjo ndodh për arsye të mjekut, sigurisht ka një problem. Atëherë, po vazhdojmë ilustrimin me 2 raste konkrete.

Kemi një mjek me emrin E.N, punon te poliklinika numër 4. Në 55% të recetave të lëshuara, ka dhënë vetëm alternativën më të shtrenjtë, pra më shumë se gjysma e pacientëve që shkojnë, nëse kishim gjithë Tiranën, 1/3 ka marrë më të shtrenjtën, tek ky mjek, më shumë se gjysma ka marrë më të shtrenjtën. Dyshimi për të shtrenjtën bëhet më i theksuar, nëse shikojmë se në cilën farmaci ekzekutohen këto receta me rimbursim. Dhe na rezulton se sasia e gjithë recetave që lëshon ky mjek, në 94% të rasteve, përfundojnë vetëm te farmacia NEK. Pra, E.N, jo vetëm që përshkruan barin më shtrenjtë, por çuditërisht të gjithë këta, në një zonë urbane të qytetit të Tiranës, përfundojnë te farmacia NEK.

Marrim një mjek tjetër. Ky është mjeku I.E. Në 5.5% të rasteve ka dhënë barin më të shtrenjtë. Pra, ai kishte 55%, ky ka 5%. Pra, brenda Tiranës, po mjekë të ASHR-së Tiranë, në dy poliklinika të ndryshme, e kanë raportin alternativë më e shtrenjtë apo jo, 1 me 10 me njëri-tjetrin. Pastaj fillojmë bëjmë një tjetër analizë të fenomenit. Ky është mjeku I.I në poliklinikën nr. 1. Edhe ky e ka bollshëm përshkrimin e më të shtrenjtit, por ama ka një gjë, recetat e tij janë të shpërndara në 70 farmaci të Tiranës. Pra, ka një shpërndarje normale, pra një qytetar merr alternativën më të shtrenjtë, por shkon gjithandej.

Shikoni se ç’ndodh me një tjetër. Ky është mjeku B.T në Shkozë, 80% e recetave të tij përfundojnë tek farmacia Geni & Lori. Shkoza ka 10 farmaci, por njëra prej tyre, Geni & Lori merr 4/5 e recetave që rimbursohen.

Nuk dua të më ngrini supet, as të më flisni nën zë. Për Tiranën kemi të analizuar në mënyrë kapilare, farmaci për farmaci, princip aktiv për princip aktiv, alternativë për alternativë, mjek për mjek. Me një informacion që ishte i mbledhur në Fond prej vitesh për të gjithë Shqipërinë. U përqëndruam fillimisht tek Tirana, nuk duam të merremi me zonat e largëta ku mund të jetë vetëm një farmaci, sepse s’kemi pse i biem në qafë, kur themi që ai shyqyr e mban atë farmaci hapur, se kemi dhe zona që ka mungesë të shërbimit farmaceutik. Apo siç kemi raste, ku ende alternativa më e shtrenjtë, që është 4 herë më e shtrenjtë se ajo që merret falas, merret nga 1/3. Po kjo 1/3, sepse ka raste ku gjysma, apo më shumë se gjysma, i çojnë tek alternativa më e shtrenjtë. Nuk do ta lejojmë të vijojë kjo dukuri. Do ta ndërpresim. Fillimisht po ju tregojmë që duhet ju vetë, të vetëpastroheni dhe të vetërregulloheni. Informacioni është aty. Nuk mund t’i shmanget më askërkush. I pari unë si Ministër, tani që e kam këtë informacion, i dyti drejtori i Fondit, i treti drejtori i kontrollit, i katërti drejtori i ASHR-së, drejtuesit e qendrave shëndetësore dhe të gjithë mjekët me radhë.

Sigurisht që shërbimi farmaceutik është treg i lirë. E zgjedhin vetë se ku do të shkojnë. Por, nëse të gjithë pacientët e një doktori shkojnë vetëm tek NEK-u, apo tek Geni & Lori, ndërsa të një doktori tjetër shkojnë në farmaci të ndryshme, kjo do të thotë që këtë dukuri do ta stopojmë dhe sigurisht duke filluar dhe përfshirë në kriteret e vlerësimit të punës, e lidhjes së kontratës me mjekët e qendrave shëndetësore apo edhe me farmacitë, duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm kur të miratojmë fillimisht draftet e reja të kontratës në Këshillin Administrativ të Fondit dhe pastaj edhe më tej.

Përpara se të hynim, doktori po më shpjegonte edhe një fenomen, që lidhet më shpërndarjen shumë të pabarabartë, shumë të zhdrejtë të rimbursimit të barnave, brenda farmacive të qytetit të Tiranës.

Drejtori i FSDKSH, z. Astrit Beci:
Ne kemi parë dhe dy fenomene goxha negative për sistemin. Po të marrim lagjen nr. 1 në Tiranë, nëse 36 farmaci në atë lagje, kanë një rimbursim prej 74 milion lekësh, 4 farmaci dhe për të qenë konkretë, Elezifarma, Spahiu 2, Teuta dhe Lira, respektivisht nga 4 milion e gjysëm, 6 milion, 2.2 milion dhe 4.1 milion, marrin në total 1/5 e rimbursimit në total të gjithë kësaj lagjeje.

Besoj se mjafton shifra për të treguar se sa vend ka që të forcohet kontrolli, për të treguar se sa vend ka që të shtohet profesionalizmi i mjekëve, të luftojmë fenomene si ato të korruptuarit, adresimi shpesh bëhet me rekomandim: “Do merrni ilaçet në X farmaci”! Pjesa tjetër që e kemi diskutuar me Ministrin dhe që po na shqetëson dhe që po studiojmë si fenomen.

E dini që njerëzit e periferisë së Tiranës paguajnë shumë më tepër se sa banorët e bllokut? Kjo, sepse luhet me fukarallëkun e tyre, shpesh me padijen dhe është detyrë e jona qytetare, humanitare, mjekësore të ndërgjegjësojmë dhe të bëjmë atë punë për të cilën kemi bërë një betim: për ta çuar misionin tonë fisnik të mjekut në ato nivele e kërkesa të kohës, për të shmangur dhënien tepër të ilaçeve, për të kontribuar të gjithë së bashku në një mirë administrim të shëndetit të popullit tonë, me qëllim funksionimin më të mirë të shëndetësisë, për të arritur në ato objektiva që do ia arrijmë të gjithë së bashku, nuk i arrijmë dot tek e tek. Faleminderit!

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj:
Sigurisht që, ne do të vijojmë edhe me analiza më të thella, patjetër me shënjestrim të përgjegjësive, duke identifikuar ku ka nevojë për rregullim procedurash, ku ka nevojë për rregullim dokumentacioni, ku ka nevojë për përdorim teknologjish të reja, por në fund të fundit duke u përpjekur të krijojmë një mjedis ku, ai që është korrekt mbështetet, promovohet dhe ai që nuk është korrekt ndëshkohet. Këto që dëgjoni shpesh nëpër farmaci, njësh e dysh e tresh, në fakt janë mbyllja e një farmacie dhe po nesër hapet një tjetër me licencë tjetër. Kështu që kjo nuk është betejë vetëm e ministrisë, nuk është vetëm e autoriteteve publike shëndetësore.

Ne jemi prej kohësh në një komunikim të vazhdueshëm, hera-herës duket pak si i ashpër, me grupe të ndryshme, apo aktorë që janë pjesë e këtij shërbimi. Unë me keqardhje konstatoj, që këta ende nuk kanë thënë asnjë fjalë për këto fenomene. Asnjë fjalë për discountet shumë të mëdha që përfitojnë, asnjë fjalë për këto dukuri negative, që ndodhin në fund të fundit nga përfaqësues të këtyre grupeve të interesit. Ata që i bëjnë këto gjëra janë farmacistët. Ai farmacist tek i cili përfundojnë 90% e recetave të një mjeku, është një farmacist, ka një licencë, është anëtar i Urdhrit të Farmacistit.

Përpjekja jonë për të identifikuar fillimisht, kufizuar dhe ndëshkuar këto dukuri, mundet pa dashje ta bëjë padashje të gjithë tregun, gjë që nuk është e vërtetë. Por, ne nuk mund të kemi droje që të mos bëhet pis i gjithë tregu dhe të vazhdojmë të bashkëjetojmë me këto lloj dukurish negative. Duhet që edhe vetë grupet e interesit të zhvillojnë një proces vetëpastrimi, ose përndryshe do të duhet të bashkëjetojnë me barrën e të qenurit pis të gjithë si grup.

—###—

Pyetje-përgjigje, gazetarë

Gazetar #1:
Disa pacientë janë ankuar edhe nëpër media për mungesën e alternativave të para në farmaci, se qendra e barnave nuk ka bërë barna, nuk e di se sa e vërtetë është?

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj:
E kam dëgjuar edhe unë. Në fakt, kjo është përgjegjësi e depove farmaceutike, të cilat po shkelin kontratën që kanë me Fondin, duke u justifikuar që nuk ka pullë barnash në QKKB. Nuk ka asnjë kërkesë të plotësuar më shumë se pas pesë ditësh nga dita e kërkesës. Pavarësisht se kush është gjendja e disponibilitetit të pullave brenda qendrës së barnave, me drejtorin e qendrës kemi arritur të mbajmë me prioritet furnizimin e barnave spitalore dhe të barnave të listës së rimbursueshme, por edhe për barnat e tjera, pasi edhe barnat e tregut të lirë janë të domosdoshme për sa kohë vendosen në treg. Unë mund t’ju them që, prill-maj-qershor, QKKB ka emëtuar 30% më shumë pulla se prill-maj-qershori i vitit të kaluar. Sigurisht, mund të mos jetë situata shumë homogjene, sepse ne patëm një lloj kufizimi të importit deri në mars, sepse pritën të importonin fillimisht pa TVSH.

Pastaj, edhe lista e re me zgjerimin e alternativave hyri në fuqi me 1 prill dhe përkoi që prilli dhe një pjesë e majit, të kishin nevojë më të madhe për pulla, pikërisht për këto arsye. Në fund të majit dhe qershor, filloi edhe furnizimi i spitaleve me barna, me një sasi më të madhe se ajo e vitit të kaluar, këto janë 3 arsyet kryesore që mendoj unë që veç të tjerash, kemi dhënë më shumë pulla.

Por, unë ju garantoj që kemi dhënë 30% më shumë pulla barnash dhe nuk kemi bërë asnjë vonesë përtej 5 ditëve. Pra, depot farmaceutike, që nuk janë korrekte me procedurat e importit të barit, apo duan të shfajësohen me mungesën e pullave. Sigurisht, qendra nuk i jep pullat nëse ato importohen jo korrekt. Kjo është detyra e qendrës në fund të fundit. Nëse na kanë akuzuar se nuk kemi sistem, kjo është detyra e qendrës. Nëse bari është jo në përputhje me rregullat, atij nuk i jepet pulla, ka apo s’ka gjendje.

Gazetar #2:
A janë marrë masa dhe cilat janë këto masa për rastet e sipërpërmendura?

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj:
Ndëshkimet kanë filluar dhe drejtori i Fondit mund t’i ilustrojë me fakte. Unë e thashë, ne po analizojmë se çfarë duhet të përmirësojmë në sistemin tonë. Ne e kemi thënë që në krye të herës, që problemet korruptive, në radhë të parë janë sistemike. Pra, çfarë duhet të ndryshojmë në procedura, çfarë duhet të përmirësojmë në procedura, në dokumentacion, unë besoj shumë se planet tona afatmesme për recetën elektronike dhe sistemin Track & Trace, do ta përmbysin të gjithë këtë situatë. Por, ajo do të dojë një kohë të veten dhe ne nuk mund të presim pambarimisht atë kohë dhe të mos frenojmë këtë dukuri që është evidente.

Drejtori i FSDKSH z. Astrit Beci:
Do të doja për të qenë më konkret tek shpjegimi, për këto 4 mjekë që u diskutua, akoma nuk është dhënë verdikti, pasi nuk është mbledhur komisioni, i cili mblidhet në fund të muajit. Por, për të treguar punën, në momentet që i evidentojmë, ne duhet të bëjmë kallëzimet tona penale në Prokurori.

Por, në rastin konkret, duhet t’ju them, dy mjekë, një i Paskuqanit dhe një i Bathores, në bashkëpunim me dy pacientët e tyre, janë dërguar në Prokurori me akuzën për fallsifikim dhe shpërdorim dy të parët, dhe dy pacientët për falsifikim. Mjekët dhe pacientët, në mënyrë abuziviste, merrnin dy preparate të shtrenjta, të regjistruara në dy fshatra të Tiranës, duke ndarë lekët njëri me tjetrin dhe duke i hequr në fund të fundit, të drejtën e trajtimit një pacienti tjetër. E thënë tjetër masë, është kallëzimi në Prokurori për shpërdorim detyre të një drejtori në ISKSH, të një drejtori spitali, të një depoje farmaceutike dhe të një mjeku nga Ballshi. Gjashtë raste, nga Fondi janë kallëzuar në Prokurori, për të cilët verdikti do të jepet nga Prokuroria. Faleminderit!

Gazetar #3:
Janë evidentuar dhe vlerësuar dëmtimet në buxhetin e pacientëve?

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj:
Unë besoj se sot, nuk u morëm me dëmet në buxhetin e shtetit, u morëm me dëmet në buxhetin e pacientit. Sepse nëse ti e orienton me insistim drejt një alternative katër herë më të shtrenjtë, sigurisht që është dëm në buxhetin e pacientit. Dhe jo vetëm kaq, kthehet në bumerag apo autolog, synimi për të zgjeruar listën, për të patur më shumë alternativa, më shumë konkurrencë, për të mos patur çmime barnash më të shtrenjta se në vendet e origjinës. Unë besoj se nëse e keni ndjekur aktivitetin e javës së kaluar me Bankën Botërore, drejtori i Fondit ka bërë një ilustrim, midis “Nilotinibit” dhe “Imatinibit”, besoj se nuk është rasti për ta përmendur. Por, dëmet në shëndetit nga mbipërshkrimi i barnave, ende nuk kemi të evidentuara. Po flas para mjekëve, nuk më takon të flas, por një bar i dhënë më shumë seç duhet, nuk i jep efektet që të nesërmen, ka një vijimësi derisa fillon ndihet efekti.

—###—

Për informacion dhe foto të mëtejshme, mund të na ndiqni në:

Faqen zyrtare të MSH në Facebook: http://tinyurl.com/l3yzsq9

Twitter: @BeqajIlir

Gjithashtu, në link-un e mëposhtëm, do të gjeni edhe prezantimin me shembujt ilustrues që u diskutuan gjatë konferencës për media:

Analiza e Rezultateve të Funksionimit të Skemës së Rimbursimit të Barnave | Prill–Qershor 2014

 {:}