Ministria e Shëndetësisë

Garancia Evropiane për Fëmijët është një nismë kyçe që siguron mbrojtje, kujdes dhe të drejta të barabarta për çdo fëmijë, duke garantuar qasje në shërbimet bazë dhe duke mbështetur zhvillimin e tyre të sigurt dhe të plotë, veçanërisht për ata që janë më në nevojë.
Në kuadër të përgatitjes së Planit Kombëtar të Garancisë Evropiane për Fëmijët, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale zhvilloi sot një takim konsultues me organizatat e shoqërisë civile që punojnë në fushën e të drejtave të fëmijëve.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Denada Seferi, në cilësinë e Koordinatores Kombëtare të Garancisë për Fëmijët, gjatw takimit theksoi rëndësinë që ky plan ka në kuadër të Strategjisë së Mbrojtjes Sociale 2024–2030, si dhe rolin thelbësor të organizatave të shoqërisë civile në çdo fazë të procesit , hartimi deri në zbatim.
“Garancia Evropiane për Fëmijët është një nismë që synon të sigurojë mundësi të barabarta për çdo fëmijë në Shqipëri. Bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet institucioneve, pushtetit vendor dhe shoqërisë civile është çelësi për ta bërë këtë plan të prekshëm në jetën e çdo fëmije,”– nënvizoi znj. Seferi.
Ky plan synon të ndërtojë një model ndër-institucional bashkëpunimi për të mbështetur aksesin në shërbimet bazë për fëmijët më në nevojë dhe të luftojë varfërinë dhe përjashtimin social. Këto grupe fëmijësh përfshijnë: fëmijët e familjeve të varfra, fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët pa kujdes prindëror, fëmijët në nevojë për mbrojtje.
Fusha e veprimtarisë përfshijnw arsimin, fëmijërinë dhe kujdesin në moshë të hershme; shëndeti dhe ushqyerja, strehimi social, shërbimet e mbrojtjes dhe për mirëqënien e fëmijëve, ku përfituesit kryesorë përfshijnë fëmijët e familjeve në vështirësi ekonomike, fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët pa kujdes prindëror dhe ata që kanë nevojë për mbrojtje.
Gjatë takimit u zhvilluan diskutime mbi rekomandimet për secilën nga këto fusha, mbi mënyrat e forcimit të partneriteteve me pushtetin vendor dhe organizatat partnere, si dhe mbi aspektet praktike të zbatimit të planit në nivel kombëtar e vendor.
Procesi i konsultimeve do të vijojë në vijim me përfaqësues të pushtetit vendor, fëmijë e të rinj, prindër dhe partnerë strategjikë, me qëllim që hartimi i planit të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe efektiv.
Plani i Garancisë Evropiane për fëmijët po hartohet në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian si pjesë e kapitullit 19 dhe 23 dhe në partneritet me zyrën e UNICEF në Shqipëri.