Ministria e Shëndetësisë

Në vitin 2026 shëndetësia dhe mirëqenia sociale shqiptare do të hyjnë në një etapë të re zhvillimi, me buxhetin më të madh – një buxhet prej 108.8 miliard lekësh, ose 12.3% të buxhetit të shtetit dhe 3.9% të prodhimit të brendshëm bruto.

Shëndetësia është një nga sektorët prioritar të qeverisë, siç evidentohet edhe nga niveli i financimit të parashikuar. Krahasuar me planifikimin buxhetor të vitit 2025 (104.5 miliard lekë) kemi një rritje prej 4.3 miliard lekë ose 4.2%.

Përpara se të kaloj në specifikat e buxhetit, do të doja të theksoja disa pika për kontekstin strategjik që ky buxhet do të mbështesë në vitet 2026-2028.

Gjatë dekadës të fundit, Shqipëria ka arritur përmirësime të dukshme në treguesit kryesorë të shëndetit.

• Sot ne jemi vendi me jetëgjatësi më të lartë në Ballkanin Perëndimor (79,3 vjec ne krahasim me 75.4 të mesatares) dhe shumë afër nivelit të vendeve Bashkimit Europian (81.4 vjeç).
• Mortaliteti i fëmijëve nën 5 vjeç ka rënë ndjeshëm nga 20/1000 lindje në vitin 2005 në 9/1000 lindje në vitin 2023.
• Për të njëjtën periudhë, mortaliteti i nënave gjatë lindjes është përgjysmuar përafërsisht, nga 12 në 7 për 100 000 lindje.
• Gjatë dekadës së fundit, qeveria ka bërë investime të konsiderueshme në përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore, trajnimin e stafit, zgjerimin e skemës së sigurimit shëndetësor, përmirësimin e shërbimeve të specializuara, dhe rritjen e pagave.

Pavarësisht arritjeve, sfidat janë të shumta:

• Së pari, po përballemi me një popullatë ku mosha mesatare vjen duke u rritur.
• Së dyti, si rezultat i ndryshimeve demografike dhe zhvillimeve socio-ekonomike, kemi një rritje të sëmundjeve kronike si: sëmundjet e zemrës, sëmundjeve tumorale, sëmundjet e mushkërive dhe Alzheimer.
• Së treti, përparimi galopant në teknologji, digjitalizimi i sistemeve dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale, kërkojnë reformim të sistemit, për t’iu përgjigjur nevojave globale në shëndetësi.

Buxheti i vitit 2026 është një fillim i mirë për t’iu përgjigjur këtyre sfidave dhe për të filluar adresimin e disa objektivave, që mbeten gjithnjë të rëndësishme për qeverinë.

Ky buxhet, prej 108.8 miliard lekë financohet nga:
– buxheti i shtetit në masën 75% (82.5 miliard lekë)
– nga kontributet e sigurimeve shëndetësore në masën 25% (26.3 miliard lekë).

Të nderuar deputetë,

Projektbuxheti i vitit 2026 parashikon:

-Për shëndetësinë: 79.5 miliard lekë (përfshirë dhe kontributet e sigurimeve shëndetësore) ose 9% e Buxhetit të Shtetit dhe 2.9% e Prodhimit të Brendshëm Bruto;
-Për mirëqenien sociale dhe ish të përndjekurit politikë: 29.3 miliard lekë; Këto dy programe zënë 3.3% të buxhetit të shtetit dhe 1.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Shpenzimet e skemës së sigurimeve të kujdesit shëndetësor (FSDKSH) për vitin 2026 janë parashikuar në masën 67.3 miliard lekë ose 7.6% të buxhetit të shtetit dhe 2.4% e GDP. Kjo është një rritje prej 4.2 miliardë lekë nga 63.1 miliard lekë të parashikuara për vitin 2025. Këtu përfshihet efekti financiar i rritjes së pagave në Janar 2026, si dhe rritja e vlerës për rimbursimin e barnave.

Investimet për të dy sektorët për vitin 2026 për MSHMS arrijnë në vlerë 4.2 miliardë lekë nga të cilat:

-3.5 miliard lekë me financim të brendshëm dhe
-0.7 miliard lekë investime me financim të huaj.

Në projektbuxhetin 2026 është përfshirë efekti i rritjes së pagave në Janar 2026, duke unifikuar llogaritjen e vjetërsisë në punë me një % të diferencuar nga 1 vit deri 30 vite punë, si edhe indeksimin e pagave me 2.5%. Efekti financiar për këtë politikë është rreth 2.4 miliardë lekë do të mbështesë rritjen e pagave për rreth 4,600 mjekë e farmacistë, si dhe 14,200 teknikë të shkencave mjekësore e laborantë në sistemin shëndetësor.

Prej vitit 2019, qeveria ka alokuar rreth 12.4 miliard lekë për rritjen e pagave në shëndetësi.

Gjithashtu, në projektbuxhetin 2026 është përfshirë rimbursimi i të gjithë barnave antitumorale, për të sëmurët që trajtohen në spitalin Onkologjik, duke shtuar buxhetin për barna me 1.5 miliardë lekë.

Shkurtimisht, buxheti 2026 në sektorin e shëndetësisë parashikon të financojë:

a. Programi shërbime të kujdesit parësor i cili përfshin financimin e:

1.Rreth 7.6 milion vizitave në sistemin parësor, me një parashikim në financim në vlerën 2.3 miliard lekë.

2. Mbulimin universal për kontrollin bazë mjekësor Check-Up për grupmoshën 35–70 vjeç, me një vlerë financimi 699 milion lekë.
3. Rimbursimi i fishave për matjen e diabetit për të moshuarit mbi 65 vjeç, si dhe personat me aftësi të kufizuar, do të vazhdojë si politikë edhe për vitin 2026, me një vlerë financimi 166 milion lekë.
4. Si risi për këtë program për vitin 2026 është ofrimi i paketës së stomës, për rreth 770 pacientë, me një vlerë financimi 150 milion lekë.
5. Rimbursimit të barnave në Listën e Barnave të Rimbursueshme (FOND), ka një shtesë prej 900 milion lekësh ose 7% (nga 12.6 miliard në 2025 në 13.5 miliard në 2026). 500 milion lekë janë të dedikuara për barnat onkologjike. Këto barna shkojnë për rreth 400 mijë pacient.

Aktualisht lista e barnave e përditësuar ka 1,345 barna në total, nga 1,191 që ishin në listën e mëparshme.
Duke krahasuar shërbimin parësor me Fazën e II-të të PBA 2026-2028 kemi një rritje prej 743 milion lekë në transfertën e buxhetit të shtetit dhe 2.9 miliard lekë në kontribute shëndetësore, për këtë arsye i kërkojmë Ministrisë së Financës që vlera prej 2.9 miliard lekësh të kalojë nga shërbimi parësor në atë dytësor.

b. Programi i shërbimit të kujdesit spitalor ,i cili do të financojë PËR HERË TË PARË:

1. 300 pacientë që do të marrin shërbimin e Trombektomisë në QSUNT, me një vlerë financimi 480 milion lekë.
2. 350 pacientë që do tu ofrohet për herë të parë rikonstruksioni i gjirit, me një vlerë financimi 70 milion lekë.
3. 50 pacientë që do t’u ofrohet për herë të parë procedura e transplantit të kornesë, me një vlerë 25 milion lekë.

Ndërkohë do të vijojë financimi për:

1. Shërbimin shëndetësor në 5 spitalet terciare, 11 spitalet rajonale dhe Spitalin “Memorial” Fier, si dhe 27 spitalet bashkiake me një vlera prej 27.9 miliard lekë.
Këtu përfshihet ofrimi i të gjithë barnave onkologjike, me një vlerë shtesë në buxhetin për barna me 1 miliardë lekë.
1. 1,394 pacientë që do të trajtohen me dializë, me një vlerë financimi 2.6 miliard lekë.
2. 11,930 pacientë që do të trajtohen me paketat e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë, me një vlerë financimi 1.4 miliard lekë, të cilët do të trajtohen në 2 spitale terciare (QSUNT dhe QSR Shefqet Ndroqi) dhe 2 Spitale Rajonale (Shkodër dhe Fier për kardiologjinë).
3. 22 pacientë që do të trajtohen me paketën e transplantit renal, me një vlerë financimi 23 milion lekë.
4. 5,147 pacientë që do të trajtohen me paketën e kataraktit, me një vlerë financimi 112 milion lekë.
5. 31,285 seanca që do të trajtohen me radioterapi, me një vlerë financimi 138 milion lekë.
6. 5.3 milion ekzaminime financuar nëpërmjet koncensionit të laboratorëve, me një vlerë financimi 2 miliard lekë.
7. 200 çifte që do të përfitojnë nga paketa e fertilitetit, me një vlerë financimi 37.5 milion lekë.
8. 1,250 analizat për Sindromën Down, me një vlerë financimi 6 milion lekë.

Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, me një vlerë financimi 490 milion lekë.

Gjithashtu, në këtë program financohen Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, 3(tre) Spitalet Psikiatrik, Qendra Kombëtare e Trajtimit të Fëmijëve dhe Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut.

 Program i shëndetit publik përfshin në financim:
Programet e parandalimit të sëmundjeve nëpërmjet programit të plotë të imunizimit të fëmijëve:
• Vaksinat e kalendarit për rreth 180 mijë fëmijë, me një vlerë financimi prej 270 milion lekë, ku përfshihet vaksinimi
kundër Human Papilloma Virus dhe gripit. Për herë të parë kalohet nga vaksina HPV 4 valente në HPV 9 valente, dhe përfshihet gjinia mashkullore.
• Vaksinat e gripit sezonal për rreth 280 mijë persona, me një vlerë financimi prej 159 milion lekësh.
1. Programet kombëtare të depistimit:
• 5,000 gra të depistuara për kancerin e gjirit, me një vlerë financimi prej 13 milion lekë.
• 12,500 gra të depistuara për kancerin e qafës së mitrës, me një vlerë financimi 26.9 milion lekë.

Programi i shëndetit publik përfshin financimin e shpenzimeve për Institutin e Shëndetit Publik, Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, Inspektoratet Shtetërore Shëndetësore, Operatorin e Kujdesit Shëndetësor etj.

 Programi për Administrim, Planifikim, Menaxhim përfshin financim e MSHMS, me një vlerë financimi prej 437 milion lekë.

Ndërkohë, 2 programet e Mirëqenies Sociale, paraqiten më poshtë:

 Programi i Përkujdesit Social parashikon:
1. Financimin prej 7.3 miliard lekë për 57 mijë familje dhe 4 mijë individë në skemën e Ndihmës Ekonomike.
2. 94 mijë persona me Aftësi të Kufizuar dhe kujdestar në skemën e Aftësisë së Kufizuar, do të financohet me një vlerë prej 15.3 miliard lekë.
3. Politikën e bonusit të bebes, me një vlerë financimi prej 2.3 miliard lekë.
4. 8,300 gra kryefamiljare me 3 fëmijë, të cilave u paguhen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, me një vlerë financimi prej 850 milion lekësh.
5. Institucionet e përkujdesit social ku përfshihen ato për foshnje, fëmijë, të moshuar, persona me aftësi të kufizuar, si edhe përfitues të tjerë, me një vlerë financimi prej 1.4 miliard lekë.
6. 95 shërbime te financuara me Fond Social dhe 150 persona të kategorive në nevojë që do të punësohen në Ndërmarrje Sociale, me një vlerë financimi 480 milion lekë.

Përkujdesi sociale zë 33.6% të buxhetit total të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, 3.1% të Buxhetit të Shtetit dhe 1% të GDP.

 Programi i ish të përndjekurve politik përfshin në financim:
1. Pagesën për dëmshpërblimin dhe rehabilitimin e ish-të përndjekurve politik, me një vlerë financimi prej 1.5 miliard lekë.

INVESTIMET:

TOTALI I INVESTIMEVE PËR VITIN 2026 ËSHTË 4.2 MILIARD LEKË, I NDARË NË:

• Financim i brendshëm 3.5 miliard lekë
• Financim i huaj 0.7 miliard lekë

 PROGRAMI I KUJDESIT SPITALOR
Tavani i miratuar për këtë program me financim të brendshëm është në vlerën 2.8 miliard lekë.

Investimet e reja që parashikohen për vitin 2026 janë:

1. INFRASTRUKTURË:
1.1 Ndërtime të reja në vlerë 1.3 miliardë lekë për 2026-2028
• Ndërtimi i godinës së re të Spitalit Rajonal Korçë.

1.2 Rikonstruksione në vlerë 1.1 miliardë lekë për vitet 2026-2028 të detajuara:
• Rikonstruksioni i urgjencës në Spitalit Durrës;
• Rikonstruksion i godinës të Spitalit Psikiatrik të QSUT;
• Rikonstruksion i Spitalit Tropojë;
• Rikonstruksion i godinës qendrore të Spitalit Mat.

2. Blerje pajisje në vlerën 1.1 miliardë lekë për vitet 2026-2028, e detajuar:
• Pajisje për qendrën e re të back-up për QKUM(Urgjenca);
• Pajisje dhe hoteleri mjekësore për spitalet (echo, grafi stacionare dhe të lëvizshme, etj.)
• Pajisje mjekësore për QSUNT;
• Kosto Lokale për blerjen e Pet CT nga Agjencia Atomike (për QSUNT).

Ndërkohë vijon financimi për investimet në vijim:

1. INFRASTRUKTURË:
1.1 Godina të reja në vlerë 553 milion lekë për vitet 2026-2028, të detajuara:
• Ndërtimi i disa godinave të reja për Spitalin Psikiatrik Elbasan;
• Ndërtim i godinës së re të back-up për QKUM.

1.2 RIKONSTRUKSIONE NË VLERË 2.7 MILIARDË LEKË PËR VITET 2026-2028 TË DETAJUARA:
• Rikonstruksion në Maternitetin nr. 1 Tiranë;
• Rikonstruksion i godinës qendrore të Spitalit Gjirokastër;
• Rikonstruksion i godinës qendrore të Spitalit Pogradec;
• Rikonstruksion i disa pavioneve të Spitalit Berat;
• Rikonstruksion i godinës qendrore të Spitalit Lushnje;
• Rikonstruksion i godinës së Maternitetit të Spitalin Shkodër;
• Rikonstruksion i godinës së Maternitetit të Spitalin Fier;
• Rikontruksion i Shërbimit të Patologjisë në Spitalin Vlorë;
• Rikonstruksion i godinës së djegie-plastikës në QSUNT.

2. BLERJE PAJISJE NË VLERËN 194 MILION LEKË PËR VITET 2026-2028
• Blerje pajisje të teknologjisë së lartë për spitalet.

Për programin e kujdesit spitalor është parashikuar si tavan për Financimin e Huaj në vlerën 547.5 milion lekë, me objekte si vijon:
• Diagnosting Infections QSR “Shefqet Ndroqi”.
• Projekti për përmirësimin e shërbimit të onkologjisë në QSUT.

 PROGRAMI I KUJDESIT PARËSOR

Tavani i miratuar për këtë program me financim të brendshëm është në vlerën 330 milion lekë

MSHMS aktualisht është në përmbyllje të projekt preventivave të zbatimit për 106 objekte qendra shëndetësore dhe ambulanca të cilat do të rehabilitohen për vitet 2026-2028.

 PROGRAMI I SHËNDETIT PUBLIK
Për këtë program tavanet e miratuara shkojnë për mbylljen e punimeve për godinën e re të laboratorëve në ISHP, me një vlerë të mbetur për vitin 2026 47 milion lekë.

Faleminderit për vëmendjen!