Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga UN Women dhe Bashkimin Evropian në Shqipëri ku u prezantua Profili Kombëtar i Barazisë Gjinore për Shqipërinë, një raport i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i hartuar në bashkëpunim të ngushtë me institucionet publike, shoqërinë civile dhe akademinë, i cili ofron të dhëna mbi arritjet e fundit dhe sfidat e mbetura me të cilat përballen gratë dhe vajzat në fusha kryesore.

Në panelin e përbashkët të diskutimeve, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, Koordinatorja e Përhershme të OKB-së, Ingrid Macdonald dhe Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, analizuan gjetjet e raportit, i cili tregon se Shqipëria ka bërë përparim në forcimin e kuadrit ligjor dhe politik për barazinë gjinore, në përputhje me angazhimet globale dhe kërkesat e Bashkimit Evropian, si dhe identifikon sfidat drejt rritjes së mëtejshme të aksesit të barabartë dhe reduktimit të formave të dhunës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, gjatë fjalës së saj theksoi rolin qendror të reformave të fundit ligjore në forcimin e reagimit të Shqipërisë ndaj pabarazisë gjinore dhe në garantimin e mbrojtjes dhe mundësive të barabarta për të gjitha gratë dhe vajzat.

“Ligji i ri për Barazinë Gjinore dhe zbatimi i Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021– 2030, së bashku me buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, i cili tashmë përbën 10% të buxhetit kombëtar, tregojnë se Shqipëria po e shndërron barazinë gjinore nga një parim në politika konkrete”, nënvizoi ministrja Sala.

Gjithashtu, ministrja Sala nënvizoi se paralelisht me nismat e ndërmarra për barazinë gjinore është e nevojshme të punohet edhe për ndërgjegjësimin dhe minimizimin e dhunës me bazë gjinore, me fokus dhunën digjitale, një fenomen shqetësues me pasoja të rënda, që prek më së shumti gratë dhe vajzat.

“Dhuna digjitale e grave në politikë dhe qeverisje është një element jo vetëm shqetësues në përgjithësi për shoqërinë, por edhe për faktin se nëse dhuna fizike ka një fytyrë, , dhuna digjitale ka një forcë shkatërruese akoma më të madhe, me pasoja të rënda. Nuk është mjaftueshëm që të themi: jeni të fortë mund ta përballoni dhunën digjitale. Jo. Duhet t’i themi stop dhunës digjitale, të formave të ndryshme. Jam tepër e shqetësuar kur afektohen të rinjtë, të rejat. Kam një sfidë personale që t’i japim një vëmendje të veçantë dhunës digjitale”, u shpreh ministrja.

Ndërkohë, Koordinatorja e Përhershme e OKB-së, Ingrid Macdonald, theksoi nevojën e agazhimeve të përbashkëta dhe veprimeve konkrete që promovojnë dhe fuqizojnë në mënyrë të barabartë gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë.”

“Sot është një moment kyç për veprim të përbashkët për ta avancuar barazinë gjinore. Nëse duam që Shqipëria të përshpejtojë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të përfitojë nga reformat e BE-së, është thelbësore të investojmë në sisteme dhe shërbime që promovojnë dhe fuqizojnë në mënyrë të barabartë gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë”, u shpreh koordinatorja e Përhershme e OKB-së, znj. Macdonald.

Ndërsa, Ambasadori i BE-së, në Tiranë, Silvio Gonzato, solli në vëmendje punën e përbashkët në ndërgjegjësimin e shoqërisë dhe mbrojtjen e vajzave dhe grave.

“Duhet të bashkojmë forcat për të ndryshuar mentalitetet që tolerojnë sjelljen e dhunshme dhe stigmatizojnë viktimat, në mënyrë që gratë dhe vajzat të ndihen në Shqipëri të sigurta dhe të mbrojtura”, nënvizoi ambasadori Gonzato.

Raporti përfshin një sërë rekomandimesh, si: forcimi i kapaciteteve institucionale për adresimin e dhunës ndaj grave, përmirësimi i të dhënave mbi barazinë gjinore, investimi në shërbime që reduktojnë dhe rishpërndajnë punën e papaguar të kujdesit, si dhe promovimi i kontributit aktiv të grave në ekonomi dhe në vendimmarrje në nivel vendor.

Ndërsa vendi i afrohet procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Profili Kombëtar për barazinë gjinore shërben si udhërrëfyes për harmonizimin e politikave dhe legjislacionit me standardet e BE-së për barazinë gjinore. Gjithashtu ky dokument mbështet përshpejtimin e veprimeve drejt SDG 5, objektivi për barazinë gjinore, në mënyrë që çdo grua dhe vajzë që jeton në Shqipëri të mund të gëzojë plotësisht të drejtat dhe të zhvillojë potencialin e saj.