Ministria e Shëndetësisë

Në kuadër të Ditës Botërore të Kancerit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, mori pjesë në forumin “Kontrolli i Kancereve në Shqipëri: Parandalim, Depistim dhe Kujdes ndaj pacientit”, organizuar nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), ku theksoi angazhimin e qeverisë për një qasje gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar në luftën kundër kancerit.

Duke folur jo vetëm si ministre, por edhe si mjeke e imazherisë onkologjike, ministrja Sala ndau përvojën e saj shumëvjeçare pranë pacientëve dhe familjeve të tyre, duke nënvizuar se beteja kundër kancerit është një sfidë e përbashkët shoqërore që kërkon përkushtim, bashkëpunim dhe vizion afatgjatë.

Ministrja prezantoi disa nga shtyllat kryesore të reformës në onkologji, ndër të cilat:

· Forcimi i depistimit dhe parandalimit, me zgjerimin e fashës së depistimit për kancerin e qafës së mitrës nga 40–50 vjeç në 35–55 vjeç, si dhe nisjen e vaksinimit kundër HPV për vajzat dhe djemtë.

· Krijimi i Institutit Kombëtar të Onkologjisë dhe Rrjetit Kombëtar të Kancerit, që në bashkupunim me Institutin Kombëtar të Tumoreve në Milano, synon ndërtimin e një institucioni kërkimor-shkencor sipas modeleve europiane dhe ofrimin e shërbimeve onkologjike më pranë pacientit, përmes modelit “Hub and Spoke”, me protokolle të unifikuara trajtimi në të gjithë vendin.

· Angazhimi i kapitalit njerëzor, përfshirë mjekë shqiptarë që punojnë në qendra europiane ekselence dhe që po kontribuojnë aktivisht në këtë reformë historike.

· Plotësimi i mungesave të barnave onkologjike dhe zgjerimi i listës së barnave të rimbursueshme, falë një procesi transparent dhe rigoroz që ka mundësuar uljen e kostove, duke garantuar njëkohësisht cilësinë e barnave.

· Përmirësimi i kapaciteteve të radioterapisë, ku, në bashkëpunim me Agjencinë Atomike, pritet që së shpejti të jenë funksionalë tre akseleratorë linearë, si dhe të vihet në përdorim një aparat modern i brakiterapisë.

Në përfundim, Ministrja Sala falënderoi të gjithë profesionistët dhe institucionet e përfshira në këtë proces reformues, duke theksuar se puna në skuadër dhe vendosja e pacientit në qendër janë forca lëvizëse e reformave thelbësore në shëndetësi.