Ministria e Shëndetësisë

Katërmbëdhjetë shërbime të reja sociale u prezantuan sot nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në eventin “Fondi Social 2026 – Garanci për Qëndrueshmërinë e Shërbimeve për Mirëqenien e Qytetarëve”, ku mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama.

Gjatë vitit 2026, Fondi Social do të financojë 14 shërbime të reja, të dedikuara për fëmijët dhe nënat në nevojë, fëmijët dhe të rriturit me aftësi ndryshe, të moshuarit, gratë dhe vajzat viktima të dhunës, si dhe për fëmijët pa kujdes prindëror. Nga këto, 12 shërbime të reja do të ofrohen në bashkitë Durrës, Prrenjas, Kurbin, Skrapar, Himarë, Kavajë, Vorë, Korçë, Mat, Patos, Cërrik dhe Kamëz, ndërsa dy shërbime të reja Emergjence dhe Linje Këshillimi për fëmijë do të ngrihen në nivel qarku.

Në këtë aktivitete morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof.Evis Sala, përfaqësues të 61 bashkive të vendit, si dhe partnerë ndërkombëtarë dhe organizata të shoqërisë civile.

Fondi Social përfaqëson sot mekanizmin kryesor kombëtar që mbështet zgjerimin dhe konsolidimin e shërbimeve shoqërore në nivel vendor. Përmes tij është bërë e mundur rritja e aksesit në shërbime për qytetarët, veçanërisht për grupet vulnerabël, duke reduktuar barrierat në marrjen e mbështetjes dhe duke kontribuar drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, u shpreh se Fondi Social është një mekanizëm i jashtëzakonshëm fuqizimi, që po bën një ndarje të qartë midis të shkuarës dhe të ardhmes.

“Ky është ndryshimi konkret. Kjo është politika që matet me rezultate. Për herë të parë në historinë e saj, Shqipëria arrin të ofrojë mbështetje qelizore në terren, me të paktën një shërbim kudo, nga kryeqyteti e deri në bashkitë e saj më të vogla”, theksoi ministrja Sala.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato tha se:

“BE ka një traditë të gjatë dhe jemi krenarë për investimin në kapitalin njerëzor, sigurisht të orientuar nga parimi i OKB-së, “Askush të mos mbetet pas”. Fondi Social Europian është aq i vjetër sa BE-ja. Në thelb të tij do të thotë që miliona europianë të gjejnë punë, të ritrajnohen, të hyjnë sërish në tregun e punës dhe në fakt është përqendruar tek ata që janë më shumë në rrezik për të qenë të përjashtuar në shoqëri. Unë besoj që këto përparësi kanë gjetur jehonë fuqimisht edhe këtu në Shqipëri, sepse Strategjia Kombëtare për Mbrojtjen Sociale e Shqipërisë 2024 – 2030 ka për synim që të trajtojë varfërinë dhe cënueshmërinë në mënyrë sistematike por edhe konkrete, sepse kjo është ideja e strategjive, jo thjesht fjalë por edhe zbatim i tyre”.
Për ministrin e Pushtetit Vendor, Ervin Demo, Fondi Social siguron garantimin e qëndrueshmërisë së të gjitha shërbimeve sociale në nivel lokal.

Përfaqësues i UNICEF në Shqipëri, Murat Shahin në fjalën e tij theksoi:

“Fondi Social i Qeverisë dhe grantet në zbatim të programit BE për Kujdesin Social tregojnë se si financimi inovativ mund të nxisë reformat për qytetarët. Duke fuqizuar bashkitë të hartojnë zgjidhje të bazuara në nevojat lokale, këto mekanizma promovojnë performancën, kreativitetin dhe rezultatet. Ato i mundësojnë Shqipërisë të përmirësojë dhe zgjerojë modele që janë në përputhje me standardet e BE-së dhe objektivat e Garancisë Evropiane për Fëmijët. Investimi në kujdesin social është një detyrim i të drejtave të njeriut dhe një investim i mençur në të ardhmen e Shqipërisë, duke forcuar kapitalin njerëzor, kohezionin social dhe zhvillimin e qëndrueshëm”.

Kryeministri Edi Rama u ndal në përgjegjësinë e bashkive për përfshirjen e familjeve në sistemin e përkujdesjes sociale.

“Është e rëndësishme që me bashkitë të shtyjmë shumë më tepër përfshirjen e familjeve në këtë sistem përkujdesjeje sociale. Shembulli që u paraqit këtu ishte shumë prekës, shumë motivues dhe nxitës për të kërkuar më shumë familje, të cilat janë të gatshme të marrin pjesë në këtë përpjekje sociale dhe të kujdesen për fëmijë që kanë nevojë jo thjesht për një strehë, por për një strehë nën të cilën ka një ngrohtësi familjare dhe këtu duhen gjetur mekanizmat e financimit bashkërisht me pushtetin vendor, por në këtë pikë pushteti vendor është kyç dhe kryetarët e bashkive janë absolutisht aktorët kryesor për të arritur që të përcjellin sensin e kësaj qasjeje dhe për të arritur që të bëjnë punën e nevojshme bindëse për familje, të cilat mund të bashkohen në këtë qasje dhe të cilave duhet t’u dedikojmë një fond të veçantë”, u shpreh kryeministri Rama.

Gjithashtu, Kryemistri Rama theksoi rëndësinë e implementimit dhe efektivitetit të mekanizmit të Fondit Social në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

“Ky është një rast tipik konkret për të kuptuar rëndësinë e negociatave të anëtarësimit, jo thjesht si provime që duhen kaluar për të arritur më në fund për t’u ulur ne tryezën e BE, por si momente që përcaktojnë rritjen e nivelit të cilësisë në çdo sektor ku ato momente prekin këtë ndërveprim me BE. Dhe sigurisht që BE është mekanizmi më i sofistikuar i mbështetjes dhe i mirëqenies sociale. Bashkimi evropian zotëron rrjetin më të avancuar të mbështetjes nga shteti, nga sektori publik i familjeve, i individëve, i kategorive shoqërore që janë vulnerabël”, nënvizoi z. Rama.

Aktualisht, në Shqipëri rreth 65.000 individë janë përfitues të shërbimeve të ndryshme sociale, 46.000 prej të cilëve përfitojnë nga mekanizmi i Fondit Social dhe ku janë punësuar 817 profesionistë të fushave sociale, shëndetësore dhe rehabilituese. Vetëm për vitin 2026, Fondi Social mbështet ngritjen e 14 shërbimeve të reja (12 në nivel bashkie dhe 2 në nivel qarku), duke zgjeruar mbulimin me rreth 2,500 përfitues shtesë dhe duke angazhuar 136 profesionistë të rinj. Krahasimisht me vitin 2025, buxheti i dedikuar për Fondin Social është rritur me 17%, duke reflektuar prioritetin e qeverisë për zhvillimin e shërbimeve sociale.

Një vlerë e shtuar e Fondit Social është mbështetja e vendimmarrjes së bazuar në të dhëna. Përmes Hartës Kombëtare të Shërbimeve dhe proceseve të monitorimit dhe vlerësimit, është krijuar një bazë e qartë informacioni për politikëbërësit dhe menaxherët vendorë, duke mundësuar planifikim më të mirë të shërbimeve të reja dhe shpërndarje më të drejtë e efikase të burimeve.

Në përfundim të aktivitetit, u nënshkruan 12 marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet 12 bashkive dhe Shërbimit Social Shtetëror. Këto marrëveshje forcojnë decentralizimin funksional, rrisin llogaridhënien institucionale dhe sigurojnë që shërbimet e ngritura me mbështetjen e Fondit Social të jenë të qëndrueshme, të matshme në rezultate dhe realisht në shërbim të qytetarëve në nevojë.