Ministria e Shëndetësisë

I nderuar Kryeministër,

Shkëlqesi Ambasadorë, Të nderuar Kryetarë të Bashkive përfituese, Zonja dhe zotërinj,

Më lejoni të nis fjalën time aty ku fillon edhe materiali i transmetuar. Përtej shifrave e pas çdo shërbimi social ka një histori njerëzore. Ka fëmijë që gjejnë mbrojtje dhe kujdes, gra dhe vajza që rimarrin forcë dhe familje që nuk ndihen vetëm.

Dorela, Dilaveri, Emineja, Dovleti, prindërit kujdestar – Ariana dhe Tomi, janë të gjithë dëshmi të fuqisë transformuese të Fondit Social dhe partneritetit tonë.

Dhe ata nuk janë të vetmit. Rreth 46 mijë gra, fëmijë, të moshuar pa përkujdesje, persona të aftë ndryshe që kanë përfituar nga shërbimet sociale të financuar përmes Fondit Social.

Me lejoni t’ju prezantoj disa shifra që provojnë këtë ndryshim.

-Në 2019-n, në pikënisje, ofronim vetëm 14 shërbime në 14 bashki, pothuajse të gjitha të përqendruara në qytetet e mëdha.

– Sot, në 2026-n, ofrojmë 98 shërbime sociale në të gjithë bashkitë e vendit dhe buxheti i dedikuar është 6.5 herë më i lartë.

Ky është ndryshimi konkret. Kjo është politika që matet me rezultate. Për herë të parë në historinë e saj, Shqipëria arrin të ofrojë mbështetje qelizore në terren, me të paktën një shërbim kudo, nga kryeqyteti e deri në bashkitë e saj më të vogla.

Megjithatë, sot nuk jemi këtu thjesht për të vlerësuar arritjet e një pune 7-vjeçare, por për të hapur me vendosmëri një kapitull të ri, edhe më ambicioz, në shërbim të komuniteteve dhe qytetarëve që kanë më shumë nevojë për mbështetje, duke mos lënë pas askënd.

Gjatë vitit 2026, Fondi Social do të financojë 14 shërbime të reja për fëmijët dhe nënat në nevojë, për fëmijë dhe të rritur me aftësi ndryshe, për të moshuarit, për gra dhe vajza viktima të dhunës, si dhe për fëmijë pa kujdes prindëror.

Këto shërbime janë ngritur në partneritet të plotë me pushtetin vendor dhe lidhen drejtpërdrejt me rolin dhe përgjegjësinë e bashkive për të vijuar financimin dhe ofrimin e tyre në kohë.

12 shërbime të reja do të ofrohen në bashkitë Durrës, Përrenjas, Kurbin, Skrapar, Himarë, Kavajë, Vorë, Korçë, Mat, Patos, Cërrik, Kamëz, si dhe dy shërbime të reja Emergjence dhe Linje Këshillimi për fëmijë do të ngrihen në nivel qarku.

Dua të falënderoj Kryetarët e Bashkive për të gjithë punën e përbashkët, si dhe për përgjegjësinë e madhe që ata marrin përsipër. Së bashku, po hapim dritare të reja mundësish dhe mbështetje për qytetarët, aty ku ata kanë më shumë nevojë.

Megjithatë, këto dritare nuk do të ekzistonin pa koalicionin e fuqishëm që kemi krijuar. Fondi Social ka meritën e jashtëzakonshme të të bërit bashkë të gjithë aktorët përreth një qëllimi të vetëm: qeverinë, ministritë, partnerët ndërkombëtarë, njësitë e pushtetit vendor dhe punonjësit e shërbimit social.

Pikërisht kjo aleancë ka siguruar qëndrueshmërinë e Fondit Social në vite, duke garantuar që shërbimet jo vetëm të zgjerohen, por asnjëherë të mos shkurtohen apo të transferohen nga një komunitet përfitues te një tjetër. Për këtë arsye, më lejoni të përfundoj fjalën time duke shprehur mirënjohje ndaj të gjithë bashkëautorëve të kësaj historie suksesi:

Faleminderit Qeverisë Shqiptare, dhe veçanërisht Kryeministrit Rama, për vendosjen e programit të Përkujdesjes Sociale në krye të axhendës së prioriteteve kombëtare.

Rritja me 17% e buxhetit të Fondit Social dhe paketa historike prej 300 milionë eurosh, e vendosur në dispozicion të Programeve të Përkujdesjes Sociale në 2026, është një provë e pakundërshtueshme e avancimit jo vetëm në kapacitete, por edhe në ambicien për të qëndruar pranë çdo qytetari që ka nevojë për mbështetje.

Falënderoj Ambasadorin Gonzato dhe delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri. Europa paraqet një forcë e jashtëzakonshme dhe një model tërheqës, sepse ka kthyer solidaritetin në një parim shtetformues dhe në udhërrëfyes themelor për të gjitha politikave të saj.

Si shqiptarë, solidariteti është një vlerë ku ne gjejmë veten dhe që na përket fuqimisht.

Falënderoj UNICEF-in për asistencën shumë të vyer, pjesë e një bashkëpunimi të gjatë dhe të fuqishëm ndër vite, si dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë dhe OJF-të në terren, që luajnë një rol thelbësor në vizionin tonë për një Shqipëri të mirëqenë.

Bashkitë, pa dyshim, janë gjithashtu partnerë të pazëvendësueshëm në këtë rrugëtim.

Si dhe të fundit në radhë, por absolutisht jo për nga rëndësia, të gjithë profesionistët, djemtë dhe vajzat që punojnë çdo ditë me përkushtim, kudo ku është nevoja, duke ofruar shërbime për komunitetin.

Ju faleminderit!