Ministria e Shëndetësisë

Shqipëria dhe Italia forcojnë bashkëpunimin në fushën e shëndetit publik. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Prof. Evis Sala, zhvilloi një takim me Presidentin e Istituto Superiore di Sanità (ISS), Prof. Rocco Bellantone, ku u diskutuan hapat konkretë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet ISS dhe Institutit të Shëndetit Publik të Shqipërisë, me fokus në forcimin e sistemeve laboratorike, survejancën e sëmundjeve infektive dhe të rezistencës antimikrobiale (AMR), shëndetin mjedisor si dhe monitorimin e sëmundjeve jo të transmetueshme.

Një prioritet i veçantë ishte promovimi i qasjes “One Health” për adresimin e rezistencës antimikrobiale, përmirësimi i sistemeve të monitorimit për sëmundjet kronike dhe faktorët mjedisorë, si dhe investimi në programe të strukturuara trajnimi për profesionistët e rinj të shëndetit publik.

Palët dakordësuan firmosjen brenda pak javësh të marrëveshjes së parë të bashkëpunimit mes ISHP dhe ISS, si një hap strategjik drejt thellimit të partneritetit shkencor dhe forcimit të sistemeve të shëndetit publik në rajon.

Në cilësinë e lectio magistralis, ministrja Sala mori pjesë në eventin dedikuar inteligjencës artificiale, ku mori pjesë ministri i Shëndetësisë së Italisë, Orazio Schillaci si dhe profesionistë dhe akademikë të shëndetësisë italiane.

Në fjalën e saj, ministrja Sala theksoi se inteligjenca artificiale multimodale mundëson integrimin e të dhënave të imazherisë me informacionin klinik dhe gjenomik, duke hapur perspektiva të reja për diagnostikim më të saktë dhe vendimmarrje të bazuar në të dhëna.

Duke u ndalur në modelin e Shqipërisë për përdorimin e inteligjencës artificiale, ministrja Sala tha se po punohet për ndërlidhjen e sistemeve elektronike shëndetësore, për të kaluar nga kujdesi i personalizuar në politika dhe ndërhyrje në nivel popullate.

Ndërsa ftoi homologun Italian, Orazio Schillaci për vizitë zyrtare në Shqipëri, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala rikonfirmoi angazhimin e qeverisë shqiptare për zbatimin e marrëveshjeve të dala nga mbledhja e parë e qeverisë mes Italisë dhe Shqipërisë.

Dy ministrat u fokusuan në veçanti në rezultatet e para të bashkëpunimit në fushën e onkologjisë siç është Instituti i Tumoreve apo Rrjeti Kombëtar i Tumoreve.