Ministria e Shëndetësisë

Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit midis Qeverisë Shqiptare dhe asaj Italiane, ka nisur zbatimi i projekteve PRISMA dhe ANMA, pjesë e programit “MATHERNA”, i cili synon forcimin dhe modernizimin e shërbimeve neonatale dhe përmirësimin e kujdesit për nënën në Shqipëri.

Gjatë takimeve dypalëshe të zhvilluara në Milano, Itali, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë institucionalë dhe ekipeve teknike nga të dy vendet, u dakordësuan hapat konkretë për fillimin e zbatimit të programit në strukturat spitalore universitare dhe rajonale.

Në fokus të këtij programi janë rritja e kapaciteteve në kujdesin neonatal, modernizimi i terapive intensive përmes pajisjeve bashkëkohore, si dhe përmirësimi i standardeve klinike dhe organizative në funksion të një sistemi më të integruar dhe efektiv.

Programi “MATHERNA” është i harmonizuar me prioritetet e Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë dhe synon uljen e mortalitetit neonatal dhe maternal, në përputhje me standardet e vendeve të Bashkimit Evropian.