Ministria e Shëndetësisë

Me miratimin sot në Këshillin e Ministrave të ndryshimeve në Vendimin nr. 645, datë 1.10.2014, “Për ngritjen dhe mënyrën e funksionimit të Komisionit të Çmimit të Barnave”, u hodh një hap i rëndësishëm për të garantuar më shumë transparencë, stabilitet dhe siguri në tregun e barnave në Shqipëri.

Ky vendim vjen si përgjigje ndaj një nevoje të hershme për përmirësimin e metodologjisë së përcaktimit të çmimit të barnave, përshpejtimin e procedurave dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me barna për qytetarët.

Ndryshimet e miratuara synojnë:

· Garantimin e disponibilitetit të barnave në treg, duke shmangur çdo rrezik për mungesa, veçanërisht për barnat që janë alternativa të vetme në listën e rimbursimit apo në përdorimin spitalor.

· Rritjen e transparencës dhe profesionalizmit në procesin e përcaktimit të çmimeve, përmes një metodologjie më të qartë dhe më të qëndrueshme, e cila mban nën kontroll çmimet, por njëkohësisht krijon mundësi për përthithjen e barnave të reja dhe inovative në tregun shqiptar.

· Përshpejtimin e afateve dhe thjeshtimin e procedurave, duke përfshirë edhe përdorimin e dokumentacionit elektronik, në përputhje me procesin e digjitalizimit të administratës.

Në funksion të transparencës është parashikuar edhe një dispozitë e veçantë për vitin 2026, e cila i jep Komisionit të Çmimit të Barnave mundësinë për të rivlerësuar çmimet brenda një afati të shpejtë, me qëllim shmangien e çdo rreziku për tërheqje të barnave nga tregu.

Ndryshimet nuk kanë për qëllim rritjen e çmimeve të barnave, por përkundrazi, garantimin e qëndrueshmërisë së tyre, akses më të mirë për pacientët dhe një treg farmaceutik më të sigurt dhe më të parashikueshëm. Prioriteti i MSHMS mbetet i pandryshuar: të sigurojë që çdo pacient në Shqipëri të ketë akses në barnat që i nevojiten, në kohën e duhur dhe me standarde të garantuara cilësie.