Ministria e Shëndetësisë

Kjo paketë synon forcimin e mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre. Përmes këtyre ndryshimeve parashikohet dyfishimi i pagesave për rreth 11,000 fëmijë me aftësi të kufizuara, si dhe përfshirja në skemën e sigurimeve për rreth 15,000 ndihmës personalë me një efekt total financiar rreth 3.55 miliardë lekë në vit.

Këto ndryshime nuk kufizohen vetëm në rritjen e mbështetjes financiare, por shënojnë një qasje të re investimi në mirëqenien e fëmijëve dhe në garantimin e aksesit të tyre në shërbimet e duhura. Investimi në fëmijëri është shumë i rëndësishëm për mirërritjen, mirëushqyerjen dhe sigurimin e shërbimeve terapeutike si një formë mbështetje reale e të qëndrueshme.

Njëkohësisht, MSHMS po harton politika sociale të shënjestruara për të dyfishuar pagesat dhe për të mbështetur personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre, duke siguruar që ndihmësit e tyre të trajtohen me dinjitet, përmes përfshirjes në skemën e sigurimeve shoqrore dhe shwndetwsore, si pjesë e një mbështetjeje më të plotë. Paketa synon të njohë dhe të vlerësojë rolin e tyre thelbësor dhe të pazëvendësueshëm edhe për moshën e pensionit. Kjo politikë është orientuar nga kërkesat e vazhdueshme të prindërve me aftësi të kufizuara përgjatë cdo konsultimi publik të realizuar me ta.

Gjithashtu, parashikohet që këto masa të mos jenë të izoluara, por të shoqërohen me rishikimin e mëtejshëm të skemave dhe forcimin e shërbimeve për personat e rritur me aftësi të kufizuara, me qëllim përmirësimin e aksesit dhe cilësisë së mbështetjes për këtë kategori.

Duke reflektuar dinamikën e vazhdueshme të diagnozave dhe nevojën për një qasje më të përshtatur ndaj nevojave reale, këto ndërhyrje përfaqësojnë vetëm një hap të parë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka ndërmarrë inisiativën për të vijuar me vlerësimin e aftësisë së kufizuar duke planifikuar rishikimin e skemave të përfitimeve edhe për të rriturit, duke i lidhur ato drejtpërdrejt me nivelin e vulnerabilitetit dhe me aksesin në shërbime rehabilituese dhe terapeutike, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë.

Qasja jonë synon të ndërtojë një sistem ku mbështetja financiare dhe shërbimet funksionojnë në mënyrë të integruar, duke garantuar një përgjigje sa më të drejtë dhe të përshtatur ndaj nevojave reale të çdo individi.

Në thelb, kjo është një politikë që mbështet familjet sot dhe njëkohësisht përfaqëson investim të drejtpërdrejtë në zhvillimin, përfshirjen dhe pavarësinë e fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara në të ardhmen.