Ministria e Shëndetësisë

Në prag të nisjes së sezonit turistik, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka ndërmarrë masat e nevojshme për mobilizimin dhe rritjen e kapaciteteve mjekësore në terren. Këtë verë do të jenë funksionale 36 qendra shëndetësore verore, të shpërndara nga veriu në jug të vendit, të cilat do të ofrojnë shërbim 24/7 për turistët vendas dhe të huaj.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, gjatë inspektimit në Qendrën Shëndetësore Verore Mali i Robit në Durrës, u ndal në rëndësinë e gatishmërisë së sistemit shëndetësor për përballimin e fluksit të shtuar të turistëve, si dhe në garantimin e një shërbimi cilësor dhe në kohë reale për çdo emergjencë shëndetësore.

“Këtë vit do të funksionojnë 36 Qendra Shëndetësore Verore në të gjithë Shqipërinë, nga veriu në jug. Të gjitha qendrat janë të pajisura me barna dhe pajisjet mjekësore të nevojshme jetëshpëtuese”, u shpreh ministrja Sala.

Gjithashtu, ministrja theksoi se po merren masa edhe për forcimin e ekipeve mjekësore, duke bërë thirrje për mjekët dhe infermierët e rinj që t’i bashkohen shërbimit në terren.

“Në këtë thirrje janë në dispozicion 300 vende vakante, 200 prej të cilave janë për personel mjekësor, ndërsa aplikimet vijojnë të jenë të hapura deri më 27 prill 2026”, apeloi ministrja Sala.

Ndërkohë, ministrja nënvizoi se këtë vit do të ketë edhe risi, me dy qendra të reja shëndetësore verore që do të funksionojnë 24/7: një e dedikuar turizmit fetar pranë Kishës së Shën Ndout në Laç dhe tjetra pranë llixhave të Elbasanit.

Në përmbyllje, ministrja Sala bëri një thirrje të veçantë për shërbim në zonat malore, duke theksuar nevojën për mbështetje në qendrat shëndetësore verore në Tamarë, Bogë, Valbonë dhe Theth, si destinacione me rritje të ndjeshme të turizmit gjatë sezonit veror.Gari