Ministria e Shëndetësisë

Spitali Bashkiak i Lushnjës është përfshirë në programin kombëtar të investimeve në infrastrukturën spitalore, të financuar nga buxheti i shtetit dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me synim modernizimin e shërbimeve dhe përmirësimin e kushteve për qytetarët.

Gjatë interpelancës në Kuvend, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, prof. Evis Sala, bëri të ditur se investimi ka nisur gjatë vitit 2026, ndërsa punimet kanë filluar zyrtarisht më 4 mars. Për këtë vit janë planifikuar rreth 82 milionë lekë, ndërsa për vitin 2027 parashikohen edhe 236 milionë lekë të tjera.

Ndërhyrja po realizohet në godinën nr. 3 të spitalit, ku funksionojnë urgjenca, imazheria, kirurgjia, reanimacioni dhe patologjia, ndërsa punime po kryhen edhe në ambientet e maternitetit dhe shërbimeve mbështetëse. Rikonstruksioni përfshin rehabilitimin e ambienteve spitalore, rikonstruksionin e rrjeteve teknike, përmirësimin e kushteve higjieno-sanitare, rritjen e sigurisë teknike dhe modernizimin e kushteve diagnostikuese e trajtuese.

Pavarësisht ndërhyrjeve infrastrukturore, shërbimet vijojnë të ofrohen për qytetarët përmes një plani të përkohshëm riorganizimi, ku urgjenca, imazheria, kirurgjia dhe repartet e tjera funksionojnë në ambiente të tjera të spitalit.

Sipas të dhënave të prezantuara, Spitali i Lushnjës mbulon mbi 63 mijë banorë dhe vijon aktivitetin në godina të ndërtuara para viteve ’90, të cilat prej vitesh kanë pasur nevojë për ndërhyrje infrastrukturore.

Të dhënat e tremujorit të parë të vitit 2026 tregojnë vijimësi të aktivitetit spitalor dhe një volum të konsiderueshëm shërbimesh. Janë trajtuar 1,727 pacientë të shtruar, ose rreth 26% e totalit të vitit 2025 vetëm në tre muajt e parë, ndërsa janë realizuar 86 ndërhyrje kirurgjikale. Po ashtu, janë përballuar 15,553 urgjenca, ose afro 31% e totalit të vitit të kaluar, duke reflektuar një rritje të ritmit të punës në rastet urgjente. Gjatë kësaj periudhe janë kryer edhe 14,076 konsulta ambulatore dhe 39,739 ekzaminime laboratorike, radiologjike dhe endoskopike, çka tregon kërkesë të qëndrueshme për shërbimet diagnostikuese.

Spitali disponon CT Scanner, aparatura radiografie, mamografie, ekografie, si dhe pajisje laboratorike e kirurgjikale. Gjatë vitit 2026 është vendosur aparat i ri anestezie në sallën operatore të Obstetrikë-Gjinekologjisë dhe është zëvendësuar aparatura e ekografisë, ndërsa parashikohet shtimi i një aparati të ri ekografie dhe mamografie.

Sa i përket shërbimit të dializës, aktualisht 51 pacientë nga Lushnja marrin trajtim në Fier, Durrës, QSUNT dhe Berat, ndërsa spitali mbulon kostot e transportit për pacientët në zbatim të paketave shëndetësore të miratuara nga FSDKSH.

Ministrja Sala bëri të ditur se për vitin 2026 janë planifikuar 4.2 miliardë lekë investime në sistemin shëndetësor publik, ose 27.5% më shumë krahasuar me planin fillestar të vitit 2025. Ajo theksoi se aktualisht po vijojnë punimet në spitalet e Beratit, Shkodrës, Fierit, Gjirokastrës dhe Vlorës, si dhe në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, godinën Back-Up të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore në Vlorë dhe shërbimin Djegie-Plastikë në QSUT. Brenda këtij viti pritet gjithashtu nisja e punimeve për godinën e re të Spitalit të Korçës, rikonstruksionin e urgjencës së Spitalit të Durrësit dhe Spitalin e Hasit.