Ministria e Shëndetësisë

Ditën e sotme, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, prezantoi para stafit të FSDKSH-së, Suela Popën, e cila merr detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Ministrja Spahiu theksoi rolin e rëndësishëm të FSDKSH-së në funksionimin e sistemit shëndetësor, duke nënvizuar se eficienca, përgjegjshmëria dhe vëmendja e vazhdueshme te mënyra se si fondet publike kthehen në shërbime më të mira për qytetarët do të jenë në fokus të punës, së bashku me forcimin e bashkëpunimit me të gjithë aktorët e sistemit.

Suela Popa, një profesioniste me përvojë të gjatë në sektorin bankar, do të sjellë ekspertizën e saj në menaxhim, eficiencë dhe mirëadministrim, në funksion të forcimit të mëtejshëm të FSDKSH-së.

Ministrja Spahiu vlerësoi kontributin e drejtuesit të deritanishëm, Ilir Topi, dhe i uroi Suela Popës suksese në përgjegjësinë e re.