Ministria e Shëndetësisë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu dhe Ministri i Drejtësisë Toni Gogu vizituan Burgun e Shënkollit, për të avancuar masat për forcimin e kujdesit shëndetësor dhe garantimin e standardeve të trajtimit për personat nën masa sigurie.

Në përgjigje të rekomandimeve të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT), Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe mekanizmave kombëtarë të monitorimit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (MSHMS) dhe Ministria e Drejtësisë (MD), nën koordinimin e Kryeministrisë, kanë hartuar një plan të përbashkët masash për përmirësimin e kushteve të trajtimit dhe garantimin e standardeve të kujdesit shëndetësor për personat me masa mjekësore.

Me miratimin e kuadrit të nevojshëm rregullator, kemi hedhur bazat për ngritjen dhe funksionimin e Institucionit Mjekësor të Posaçëm, ndërsa vijojnë procedurat për realizimin e investimit në infrastrukturën e re.

Deri në funksionalizimin e institucionit të ri, po punohet për transferimin e përgjegjësisë së ofrimit të kujdesit shëndetësor në IEVP Lezhë nga Ministria e Drejtësisë te Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Gjatë fazës aktuale, MSHMS vijon të mbështesë ofrimin e shërbimeve shëndetësore në institucion përmes:
•Angazhimit me kohë të pjesshme të mjekëve psikiatër nga strukturat vendore të OSHKSH-së;
•Sigurimit të ekzaminimeve laboratorike, imazherike dhe konsultave specialistike;
•Ofrimit të trajtimeve dhe ndërhyrjeve spitalore, përfshirë ato kirurgjikale, përmes Spitalit Rajonal të Lezhës dhe QSUNT-së;
•Mbështetjes diagnostike, epidemiologjike dhe teknike nga NJVKSH Lezhë dhe Instituti i Shëndetit Publik, sipas nevojave.

Ky proces është pjesë e reformës për integrimin e kujdesit shëndetësor në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në sistemin publik shëndetësor.