Ministria e Shëndetësisë

Reforma spitalore dhe modernizimi i infrastrukturës shëndetësore në të gjithë vendin mbeten prioritete të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Përmes Buxhetit 2027, parashikohen 32.2 miliardë lekë për financimin e shërbimit spitalor, me synimin për të trajtuar rreth 370 mijë pacientë në 5 spitale terciare, 12 spitale rajonale dhe 23 spitale bashkiake. Reforma synon jo vetëm përmirësimin e infrastrukturës, por edhe forcimin e menaxhimit spitalor, rritjen e eficiencës dhe garantimin e shërbimeve më cilësore e më pranë qytetarëve.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, gjatë vizitës në Spitalin Rajonal Korçë, theksoi se investimet në sistemin spitalor duhet të përkthehen në rezultate konkrete për pacientët.

“Shëndetësia nuk matet vetëm me investimet që bëhen, por mbi të gjitha me shërbimin që merr qytetari kur ka nevojë. Ky është synimi i reformës spitalore që po ndërmarrim: spitale më moderne, më mirë të menaxhuara dhe shërbime më cilësore, me pacientin gjithmonë në qendër”, u shpreh ministrja Spahiu.

Një ndër investimet kryesore të parashikuara është ndërtimi i godinës së re multifunksionale të Spitalit Rajonal Korçë, me një vlerë totale prej 1.41 miliardë lekësh, nga të cilat 422.8 milionë lekë janë planifikuar për vitin 2027.

Paralelisht, programi i investimeve përfshin vijimin e rikonstruksionit të spitaleve në Pogradec, Lushnjë, Mat dhe Dibër, përfundimin e ndërhyrjeve në Spitalin Rajonal Gjirokastër, si dhe investime në maternitetet, strukturat e shëndetit mendor dhe shërbimet e urgjencës.

Një tjetër drejtim i rëndësishëm i reformës është përmirësimi i modelit të financimit dhe menaxhimit të spitaleve, duke synuar përdorimin më efikas të fondeve publike dhe lidhjen graduale të financimit me cilësinë e shërbimit dhe rezultatet konkrete për pacientët.

“Synimi ynë nuk është thjesht të ndërtojmë spitale të reja, por të krijojmë struktura funksionale, me pajisje moderne, personel të kualifikuar dhe mundësi për të marrë shërbime sa më pranë vendbanimit. Ky është kuptimi i reformës sonë: më shumë investime, më shumë përgjegjësi dhe mbi të gjitha, më shumë cilësi dhe siguri për çdo qytetar”, theksoi ministrja.

Përmes këtyre investimeve dhe ndryshimeve strukturore, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale synon konsolidimin e një sistemi spitalor publik më funksional, të mirëmenaxhuar dhe të orientuar drejt nevojave të pacientëve, duke forcuar njëkohësisht kapacitetet e spitaleve rajonale dhe bashkiake.