Ministria e Shëndetësisë

Evis Sala, MD, PhD, FRCR, FRCP

Prof. Evis Sala prej shtatorit 2025 mban postin e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e Shqipërisë dhe mban titullin Profesore e Radiologjisë në Università Cattolica del Sacro Cuore në Romë, Itali.

Ajo ka shërbyer si Drejtore e Programit të Trajnimit në Radiologji në Università Cattolica del Sacro Cuore dhe si Shefe e Departamentit të Imazherisë Diagnostike dhe Radioterapisë në Fondazione Policlinico Universitario Agostino Gemelli IRCC, Romë, Itali, deri në shtator 2025.

Më herët, ka qenë Profesore e Imazherisë Onkologjike në Universitetin e Kembrixhit, Mbretëri e Bashkuar, ku ka bashkëdrejtuar programet Cancer Research UK Cambridge Centre Advanced Cancer Imaging dhe Integrated Cancer Medicine.

Nga viti 2012 deri në vitin 2018, ka shërbyer si Profesore e Radiologjisë në Ëeill Cornell Medical College dhe Shefe e Shërbimit të Imazherisë Trupore në Memorial Sloan Kettering Cancer Center në Nju Jork.

Prof. Sala ka përfunduar studimet për Mjekësi (MD) në Universitetin e Tiranës në vitin 1991 dhe ka marrë titujt MPhil dhe PhD në Epidemiologji dhe Biostatistikë në Universitetin e Kembrixhit në vitin 2020, ku më pas ka përfunduar edhe specializimin në Radiologji.

Kontributi i saj themelor në fushën e radiogjenomikës dhe inteligjencës artificiale (IA) përfshin metoda sasiore të imazherisë për zbulimin e tumoreve, vlerësimin e heterogjenitetit tumoral dhe parashikimin e ecurisë së sëmundjes. Ajo është autore e mbi 340 publikimeve shkencore në revista ndërkombëtare dhe bashkëthemeluese e kompanisë Lucida Medical, e fokusuar në zhvillimin e softuerëve që ndihmojnë mjekët në identifikimin e kancerit përmes IA dhe MRI.

Në vlerësim të kontributit të saj në imazherinë onkologjike, Prof. Sala është zgjedhur Felloë e International Cancer Imaging Society (2013), International Society for Magnetic Resonance in Medicine (2015) dhe European Society for Urogenital Radiology – ESUR (2018). Ajo është nderuar me titullin “Anëtare Nderi” nga Shoqata Radiologjike e Amerikës së Veriut (RSNA) në vitin 2022 dhe nga Shoqata Japoneze e Radiologjisë në vitin 2024.

Aktualisht, Prof. Sala është Presidente e Zgjedhur (President-Elect) e ESUR dhe Eksperte e Emëruar për Comprehensive Cancer Infrastructures for the European Union (CCI4EU).