Ministria e Shëndetësisë

I nderuar Kryetar i seancës,
Të nderuar kolegë deputetë,
Të dashur qytetarë,
Kur flasim për buxhetin e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, nuk flasim thjesht për shifra, programe apo investime. Flasim për cilësinë e jetës së qytetarëve, për sigurinë e familjeve, për mundësinë që çdo njeri të marrë kujdesin që i nevojitet dhe për përgjegjësinë e shtetit për të qenë pranë tyre në momentet më të vështira.
Prandaj, dua ta nis me një parim që duhet të udhëheqë çdo vendimmarrje tonën: Suksesi i një buxheti shëndetësor nuk matet vetëm me sa para investon shteti, por me sa ndryshon jeta e qytetarëve falë këtij investimi.
Për vitin 2027, buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale parashikohet të arrijë në 117.8 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 4.7 miliardë lekësh krahasuar me planin e vitit 2026.
Ky financim përfaqëson 12.1% të Buxhetit të Shtetit dhe rreth 4% të Produktit të Brendshëm Bruto.
Nga ky buxhet, 84.2 miliardë lekë parashikohen për shëndetësinë dhe 33.5 miliardë lekë për mirëqenien sociale dhe ish-të përndjekurit politikë. Ndërkohë, shpenzimet e skemës së sigurimeve shëndetësore parashikohen në 70.8 miliardë lekë, me një rritje prej 1.6 miliardë lekësh.
Parashikohen gjithashtu rreth 5.4 miliardë lekë investime në shëndetësi dhe mirëqenie sociale.

Por, rritja e financimit duhet të shoqërohet me rritjen e efektivitetit të shpenzimeve. Çdo lek i investuar duhet të përkthehet në një shërbim më të mirë, një diagnozë më të hershme, një trajtim më cilësor dhe një mbrojtje më të madhe për pacientin.
Dua ta paraqes këtë buxhet përmes pesë prioriteteve që përcaktojnë drejtimin tonë politik dhe institucional.

SË PARI: BARAZIA TERRITORIALE DHE AKSESI I BARABARTË NË SHËRBIMET SHËNDETËSORE

Cilësia e shërbimit shëndetësor nuk duhet të varet nga vendbanimi i qytetarit.
Një familje në një zonë të largët duhet të ketë mundësi të marrë shërbim cilësor, pa u detyruar të udhëtojë drejt Tiranës për çdo nevojë shëndetësore.
Për këtë arsye, në periudhën 2027–2029 kemi vendosur objektivin e rindërtimit dhe rehabilitimit të 100 qendrave shëndetësore dhe ambulancave në të gjithë vendin.
Në rrjetin spitalor, vijojnë investimet në Pogradec, Lushnjë, Mat dhe Dibër, ndërsa në fillim të vitit 2027 përfundon rikonstruksioni i Spitalit të Gjirokastrës. Në Korçë parashikohet ndërtimi i një godine të re multifunksionale, me një vlerë totale projekti prej 1.41 miliardë lekësh.
Një vëmendje të veçantë i kushtojmë shëndetit të nënës dhe fëmijës. Vijojnë investimet në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” dhe Maternitetin nr. 1 në Tiranë, si dhe rikonstruksioni i materniteteve në Shkodër dhe Fier, të cilat parashikohen të përfundojnë gjatë vitit 2027.
Po kështu, do të përfundojnë dy godinat e reja të Spitalit Psikiatrik të Elbasanit, me një financim prej 148.2 milionë lekësh, dhe do të vijojë përgatitja për fazën e dytë të rikonstruksionit të këtij institucioni.
Në rrjetin e urgjencës, parashikohen 91.5 milionë lekë për rikonstruksionin e shërbimit të Urgjencës në Spitalin Rajonal të Durrësit, një ndërhyrje e kërkuar prej kohësh.

Por, barazia territoriale nuk është vetëm infrastrukturë. Është edhe mënyra se si organizojmë shërbimin.
Duam që mjeku i familjes të jetë pika e parë dhe e besueshme e kontaktit me sistemin shëndetësor, të diagnostikojë, të trajtojë dhe të ndjekë pacientin, duke reduktuar referimet e panevojshme drejt spitaleve.

Kemi modele pozitive të organizimit të kujdesit parësor, ku mjeku i familjes ofron shërbim për të gjitha grupmoshat, nga fëmijët deri tek të moshuarit. Objektivi ynë është që këtë qasje ta shtrijmë gradualisht në të gjitha qendrat shëndetësore.
Për këtë arsye, do të punojmë edhe për një model të ri vlerësimi dhe diferencimi të pagës së mjekut të familjes, duke njohur përgjegjësinë dhe rolin e tij në sistem.

SË DYTI: MBROJTJA FINANCIARE E PACIENTËVE

Asnjë familje nuk duhet të përballet e vetme me barrën ekonomike të një sëmundjeje të rëndë.

Për vitin 2027, fondi për rimbursimin e barnave parashikohet të arrijë në 14.5 miliardë lekë, një miliard lekë më shumë se në vitin 2026, ose 7.4% rritje.
Skema e rimbursimit mbulon rreth 400 mijë pacientë dhe lista e barnave të rimbursueshme përmban 1,356 barna. Gjatë vitit 2026 lista është zgjeruar me 26 terapi të reja.
Vëmendje të veçantë i kushtojmë pacientëve me sëmundje tumorale, për të cilët çdo vonesë në diagnostikim dhe çdo pengesë në aksesin ndaj trajtimit mund të ketë pasoja të rënda.

Për vitin 2027, Instituti Kombëtar Onkologjik mbështetet me rreth 2 miliardë lekë, me synimin për të trajtuar rreth 6,200 pacientë.
Ky institut synon të krijojë një model të integruar të kujdesit onkologjik, ku diagnostikimi, trajtimi multidisiplinar, kujdesi klinik dhe kërkimi shkencor të funksionojnë të koordinuara, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Tumoreve në Milano.

Një zhvillim shumë i rëndësishëm është edhe financimi për herë të parë i shërbimit PET-CT në sistemin publik, pranë QSUT-së, me 250 milionë lekë për rreth 2,500 pacientë.
Ky shërbim do të ndihmojë në diagnostikimin dhe përcaktimin e shtrirjes së sëmundjes, vlerësimin e përgjigjes ndaj trajtimit dhe orientimin e vendimmarrjes mjekësore.

Krahas PET-CT, vijojmë mbështetjen për brakiterapinë dhe radioterapinë, me rreth 31,530 seanca radioterapie të financuara për vitin 2027.
Mesazhi ynë është i qartë: diagnostikimi i avancuar dhe trajtimet moderne nuk duhet të jenë privilegj për ata që kanë mundësi ekonomike, por duhet të bëhen gjithnjë e më të aksesueshme në sistemin publik.

SË TRETI: RESPEKT DHE INVESTIM TE BLUZAT E BARDHA

Asnjë reformë në shëndetësi nuk mund të realizohet pa njerëzit që e bëjnë këtë sistem të funksionojë çdo ditë.
Mjekët, infermierët, teknikët dhe i gjithë personeli shëndetësor janë faktori më i rëndësishëm i cilësisë dhe sigurisë së pacientit.
Për këtë arsye, kemi nisur punën për hartimin e një Plani Kombëtar 10-vjeçar për Burimet Njerëzore në Shëndetësi.

Ky plan do të na ndihmojë të identifikojmë nevojat për personel sipas specialiteteve, të planifikojmë specializimet, të përmirësojmë shpërndarjen territoriale dhe të krijojmë politika për tërheqjen dhe mbajtjen e profesionistëve në sistemin publik.

Në buxhetin e vitit 2027 kemi përfshirë 300 milionë lekë shtesë për dyfishimin e pagesës së shërbimit të rojës për rreth 400 mjekë të urgjencës.
Kjo është një kërkesë e kahershme, e ngritur edhe në këtë komision, dhe një vlerësim konkret për mjekët që përballen çdo ditë me përgjegjësi të jashtëzakonshme.

Për më tepër, parashikojmë financimin e rreth 420 mijë thirrjeve të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, me një fond prej 578 milionë lekësh.
Por duhet të shohim edhe përtej masave të menjëhershme: të investojmë në edukimin e vazhdueshëm, në specializimin e profesionistëve, në kushte më të mira pune dhe në sigurinë e tyre gjatë ushtrimit të profesionit.

SË KATËRTI: SHËNDETËSIA E SË ARDHMES, TEKNOLOGJIA DHE SHËRBIMET E SPECIALIZUARA

Modernizimi i shëndetësisë nuk mund të bëhet pa teknologjinë, kërkimin shkencor dhe një model të ri të menaxhimit spitalor.

Për vitin 2027 parashikohen 1.15 miliardë lekë për modernizimin e infrastrukturës digjitale.

Objektivi ynë është krijimi gradual i një dosjeje elektronike shëndetësore për çdo qytetar, integrimi i recetës dhe referimit elektronik dhe zhvillimi i sistemeve të informacionit spitalor.
Do të punojmë gjithashtu për përdorimin e inteligjencës artificiale në diagnostikimin imazherik, veçanërisht në radiologji, si dhe për zhvillimin e telemjekësisë dhe diagnostikimit digjital.

Një pjesë e rëndësishme e kësaj reforme është autonomia financiare e QSUT-së.
Për vitin 2027, buxheti parashikon 32.2 miliardë lekë për trajtimin e rreth 371 mijë pacientëve në pesë spitale terciare, 12 spitale rajonale dhe 23 spitale bashkiake.

Ne duam të kalojmë drejt një modeli ku spitalet kanë më shumë përgjegjësi për mënyrën se si administrojnë burimet dhe për rezultatet që prodhojnë.

Autonomia financiare e QSUT-së duhet të shoqërohet me kontraktim më të qartë me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe me financim gjithnjë e më të lidhur me aktivitetin real, kompleksitetin e trajtimeve dhe cilësinë e shërbimit.

Në perspektivën afatmesme, synojmë të përgatisim kushtet për zbatimin gradual të modelit DRG, pra financimit sipas grupeve të diagnozave të ngjashme.
Ambicia jonë është që QSUT të mos jetë vetëm qendra kryesore e referimit në vend, por të zhvillohet si qendër rajonale ekselence për trajtimin e specializuar, kërkimin shkencor dhe edukimin universitar.

Në këtë kuadër, po zhvillojmë edhe shërbime të reja.

Në QSUT po punohet për ngritjen e Njësisë së Kirurgjisë Ditore, e cila do të mundësojë ndërhyrje të përzgjedhura kirurgjikale pa nevojën e hospitalizimit të zgjatur. Po vlerësohet gjithashtu zhvillimi i një salle operatore hibride, që ndërthur kirurgjinë me teknologjitë e avancuara të imazherisë.

Do të fuqizojmë shërbimin geriatrik për t’iu përgjigjur nevojave të një popullsie që po plaket, si dhe shërbimet për fëmijët me çrregullime neurozhvillimore, përfshirë fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit.

Një tjetër prioritet është garantimi i aksesit në shërbimin stomatologjik për fëmijët me nevoja të veçanta, përfshirë trajtimin nën sedacion ose anestezi, aty ku është e nevojshme.
Po punojmë gjithashtu për zhvillimin e kapaciteteve për transplantin e kornesë dhe forcimin e organizimit multidisiplinar për implantimin koklear.

Ndërkohë, në Spitalin Universitar të Traumës, rikonstruksioni i nisur në shtator 2025 parashikohet të përfundojë në shtator 2027. Projekti përfshin modernizimin e godinave spitalore dhe të urgjencës, si dhe organizimin e aktivitetit kirurgjikal në dy blloqe me gjithsej 16 salla operatore.

Këto investime synojnë rritjen e kapaciteteve kirurgjikale, përmirësimin e trajtimit të rasteve urgjente dhe modernizimin e shërbimeve të specializuara.

SË PESTI: NGA KURIMI TE PARANDALIMI

Një sistem shëndetësor modern nuk duhet të presë që qytetari të sëmuret për t’i ofruar shërbim. Duhet të investojë që sëmundja të parandalohet ose të diagnostikohet sa më herët.

Për vitin 2027 kemi parashikuar financimin e 7.51 milionë vizitave në kujdesin shëndetësor parësor, me një fond prej 1.6 miliardë lekësh.
Vijon kontrolli mjekësor bazë, me 876 milionë lekë financim, tashmë i ofruar përmes strukturave publike pas përfundimit të kontratës së partneritetit publik-privat.

Kemi hequr tavanin e mëparshëm dhe synojmë zgjerimin e kontrolleve, veçanërisht për moshën e tretë, me rreth 100 mijë kontrolle bazë më shumë.

Vijon mbështetja për pacientët me diabet përmes rimbursimit të fishave të glicemisë, me 174 milionë lekë, si dhe financimi i paketës së stomës për rreth 770 pacientë, me 150 milionë lekë.

Për fëmijët me diabet, dua të ndalem te çështja e sensorëve të monitorimit të glicemisë. Ishte një angazhim i parashikuar, por për arsye teknike nuk arritëm ta finalizonim. Dua t’u kërkoj ndjesë prindërve që pritën këtë shërbim dhe të siguroj se do të punojmë që ta realizojmë gjatë vitit 2027.

Në parandalim, vaksinimi mbetet një nga investimet më të rëndësishme të shëndetit publik.

Parashikojmë vaksinimin e rreth 180 mijë fëmijëve sipas kalendarit kombëtar dhe vaksinimin kundër gripit sezonal për rreth 300 mijë persona.

Një zhvillim i rëndësishëm është zgjerimi i vaksinimit kundër HPV-së, me kalimin nga vaksina katërvalente në atë nëntëvalente dhe përfshirjen edhe të djemve në program. Parashikojmë gjithashtu 20 mijë teste molekulare HPV, me një financim prej 60 milionë lekësh.

Kjo është një politikë që synon parandalimin e infeksioneve që lidhen me zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës dhe uljen e barrës së sëmundjeve tumorale në të ardhmen.

MIRËQENIA SOCIALE: MBËSHTETJE PËR FAMILJEN, DINJITET DHE PËRFSHIRJE

Të nderuar kolegë,

Përgjegjësia jonë nuk përfundon te shëndetësia. Mirëqenia sociale është pjesë e së njëjtës përgjegjësi publike: të mos lëmë askënd pas.

Për vitin 2027, programi i mbrojtjes sociale parashikon 31.4 miliardë lekë, ndërsa fondi së bashku me përkujdesjen sociale dhe mbështetjen për ish-të përndjekurit politikë arrin në rreth 33.4 miliardë lekë.

Në qendër të këtij buxheti janë familjet shqiptare.

Parashikojmë 6.8 miliardë lekë për ndihmën ekonomike, duke mbështetur rreth 59 mijë familje në nevojë.

Por synimi ynë nuk është që ndihma ekonomike të jetë vetëm një pagesë mujore. Ajo duhet të shoqërohet me punësim, formim profesional dhe riintegrim social. Përmes këtyre programeve, rreth 3,500 persona në vit kanë mundur të integrohen në tregun e punës.

Një tjetër mbështetje e rëndësishme për familjet shqiptare lidhet me bonusin e bebes, të cilin po e transformojmë nga një pagesë e vetme në momentin e lindjes, në një mbështetje mujore për pesë vitet e para të jetës së fëmijës. Konkretisht, çdo familje do të përfitojë 5 mijë lekë në muaj për fëmijën e parë, 7 mijë lekë në muaj për fëmijën e dytë dhe 10 mijë lekë në muaj për fëmijën e tretë. Kjo skemë e re do të nisë të zbatohet më 1 korrik 2027 dhe synon të ofrojë një mbështetje më të qëndrueshme për prindërit, duke i ndihmuar në përballimin e shpenzimeve dhe në rritjen e mirëqenies së fëmijëve që në vitet e para të jetës.

Vijojmë gjithashtu mbështetjen për gratë e papuna me tre ose më shumë fëmijë, përmes financimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, duke garantuar mbrojtje për rreth 8,900 nëna shqiptare.

Një nga zërat më të rëndësishëm të këtij buxheti është mbështetja për personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre, për të cilët parashikohen rreth 19 miliardë lekë dhe rreth 99 mijë përfitues.

Gjatë vitit 2026 janë ndërmarrë dy politika të rëndësishme: dyfishimi i pagesave për 10,240 fëmijë me aftësi të kufizuara dhe mbulimi i kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për 14,657 ndihmës personalë.

Por kemi ende sfida përpara. Një prej kërkesave që na është përcjellë drejtpërdrejt nga personat me aftësi të kufizuara është garantimi i një personi ndihmës sipas nevojave të tyre. Është një çështje që duam ta adresojmë gjatë viteve 2027–2028, përmes përgatitjes së instrumenteve dhe mbështetjes së nevojshme financiare.
Në fushën e përkujdesit social, parashikohen 1.4 miliardë lekë për rrjetin e institucioneve rezidenciale dhe 480 milionë lekë për Fondin Social.

Sot kemi ngritur 98 shërbime sociale, që mbështesin rreth 46,500 përfitues dhe kanë krijuar vende pune për rreth 857 profesionistë.

Do të vijojmë deinstitucionalizimin, duke kaluar gradualisht nga kujdesi rezidencial drejt shërbimeve me bazë familjen dhe komunitetin.

Dua të veçoj edhe disa iniciativa të reja.

Do të ngremë Platformën Kombëtare të Mbështetjes për Familjet Ekstremisht të Varfra, me fokus te 2,763 familje, në bashkëpunim me pushtetin vendor, Kuvendin, shoqërinë civile dhe partnerët e zhvillimit.

Do të ngremë Këshillin Kombëtar të Neurodivergjencës dhe do të punojmë për hartimin e strategjisë së parë kombëtare në këtë fushë. Është një përgjegjësi që duhet ta marrim sot, sepse duhet të mendojmë edhe për të ardhmen e këtyre fëmijëve, përtej kujdesit që sot u japin prindërit e tyre.

Parashikojmë gjithashtu zhvillimin e shërbimeve të reja për të rinjtë me çrregullime të spektrit të autizmit, shërbime të geriatrise dhe kujdesit paliativ në disa spitale bashkiake, si dhe shërbime të toksikologjisë në Mat dhe Delvinë.

Këto janë hapa për t’u dhënë spitaleve bashkiake profile të reja, për të përdorur më mirë kapacitetet ekzistuese dhe për t’i afruar shërbimet me nevojat reale të komuniteteve.

Të nderuar kolegë,
Ky projektbuxhet është më shumë se një dokument financiar. Ai përfaqëson një drejtim për zhvillimin e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale në vitet që vijnë.

Ne synojmë një sistem ku vendbanimi nuk përcakton cilësinë e shërbimit; ku sëmundja nuk e zhyt një familje në vështirësi ekonomike; ku mjeku dhe infermieri vlerësohen për punën dhe përgjegjësinë e tyre; ku teknologjia dhe mjekësia moderne janë pjesë e shërbimit publik; dhe ku parandalimi është po aq i rëndësishëm sa trajtimi.

Por mbi të gjitha, synojmë një sistem që nuk e sheh qytetarin vetëm si pacient apo përfitues të një skeme, por si njeriun në qendër të çdo politike publike.

Rritja e buxhetit na jep më shumë mundësi, por edhe më shumë përgjegjësi. Përgjegjësi për të menaxhuar më mirë, për të matur rezultatet, për të korrigjuar mangësitë dhe për të mos u kënaqur me atë që kemi arritur.

Sepse në fund, qytetari nuk na gjykon nga numri i programeve që miratojmë apo nga madhësia e buxhetit që shpallim.

Na gjykon nga shërbimi që merr, nga kujdesi që gjen dhe nga siguria që ndien se shteti është pranë tij kur ka më shumë nevojë.

Ky është standardi që duhet të na udhëheqë. Ky është angazhimi që mbart Projektbuxheti 2027.

Ju faleminderit!