Ministria e Shëndetësisë

Spitali Universitar i Traumës vijon funksionimin normal gjatë procesit të rikonstruksionit dhe modernizimit, ndërsa urgjenca dhe shërbimet kryesore mbeten aktive për qytetarët. Gjatë një interpelance në Kuvend, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, theksoi se investimi prej 759 milionë lekësh synon rritjen e standardeve të sigurisë, infrastrukturës dhe trajtimit për pacientët.

Sipas ministres, punimet kanë nisur në shtator të vitit 2025 dhe po realizohen me faza për të garantuar vijimësinë e shërbimit. Aktualisht po punohet në sistemimet e jashtme dhe në bllokun operator qendror, ndërsa Blloku Operator i Urgjencës vijon funksionimin normal, duke kryer çdo ditë ndërhyrjet e nevojshme të traumës dhe ortopedisë. Spitali Universitar i Traumës, si struktura që përballon emergjencat më të rënda në vend, nuk është mbyllur dhe asnjë qytetar nuk është lënë pa shërbim për shkak të rikonstruksionit.

Të dhënat e prezantuara gjatë interpelancës tregojnë se vetëm gjatë katërmujorit të parë të vitit 2026, në Shërbimin e Pranim-Urgjencës pranë Spitalit Universitar të Traumës janë paraqitur 19,702 pacientë, ose 455 më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Gjatë kësaj kohe janë realizuar edhe 932 operacione urgjente, ose 38 më shumë se një vit më parë, duke reflektuar vijimësinë e aktivitetit spitalor gjatë periudhës së rikonstruksionit.

Lidhur me aktivitetin kirurgjikal, u bë e ditur se ndërhyrjet infrastrukturore prekin përkohësisht një pjesë të ambienteve, ndërsa shërbimet vijojnë përmes riorganizimit të kapaciteteve spitalore. I vetmi aktivitet i transferuar përkohësisht mbetet ai i amputimeve tek pacientët me këmbë diabetike, të cilat po kryhen pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ndërsa shërbimet e tjera vijojnë pa ndërprerje.

Për çështjen e listave të pritjes për ndërhyrjet ortopedike dhe endoprotezimet, ministrja Sala deklaroi se falë rritjes së financimit dhe organizimit më të mirë të kapaciteteve spitalore ka nisur rikuperimi gradual i ndërhyrjeve të prapambetura ndër vite. Numri i pacientëve në pritje është reduktuar në rreth 570, nga afro 1 mijë në vitet e mëparshme, ndërsa koha mesatare e pritjes ka rënë në rreth 13 muaj, nga gati 6 vite që ishte më parë. Regjistrimet e pacientëve, sipas saj, kryhen në sistemin elektronik të spitalit, duke garantuar transparencë dhe trajtim sipas radhës së përcaktuar. Aktualisht nuk raportohen mungesa të materialeve ortopedike apo protezave për ndërhyrjet që kryhen në Spitalin Universitar të Traumës, ndërsa financimi i shtuar ka mundësuar mbulimin e nevojave për urgjencat dhe vijimin gradual të operacioneve të programuara.

Gjatë interpelancës u theksua se po punohet për forcimin gradual të kapaciteteve rajonale të traumës dhe ortopedisë, me synim decentralizimin e shërbimeve dhe afrimin e tyre më pranë qytetarëve. Në këtë kuadër, ka nisur puna për rikualifikimin e Spitalit Bashkiak të Mirditës si një qendër rajonale për traumën, ortopedinë dhe rehabilitimin post-traumatik, në bashkëpunim me Spitalin Universitar të Traumës. Sipas ministres, projekti synon krijimin e një “Poli Verior për Traumën”, i cili do të mundësojë trajtim më të shpejtë të urgjencave traumatike në veri të vendit, uljen e transferimeve drejt Tiranës dhe forcimin e kapaciteteve kirurgjikale rajonale.