Ministria e Shëndetësisë

Spitali Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” është transformuar tërësisht, duke u kthyer në një qendër moderne të kujdesit për gratë dhe të porsalindurit, me standarde bashkëkohore europiane. Investimi ka sjellë ambiente tërësisht të rikonstruktuara, pajisje të teknologjisë së avancuar dhe kushte më dinjitoze si për pacientët, ashtu edhe për stafin mjekësor, duke forcuar më tej cilësinë dhe sigurinë e shërbimit shëndetësor.

Në ceremoninë e inaugurimit të ambienteve të reja morën pjesë Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, të cilët vlerësuan investimin si një hap të rëndësishëm në modernizimin e sistemit shëndetësor dhe rritjen e cilësisë së kujdesit për gratë dhe të porsalindurit.

Ministrja Sala theksoi se investimi ka rritur kapacitetet dhe cilësinë e shërbimeve, me fokus të veçantë te neonatologjia, kujdesi intensiv për të porsalindurit dhe diagnostika prenatale.

“Vizioni ynë shkon përtej infrastrukturës. Ne po ndërtojmë një model modern kujdesi, ku infrastruktura, teknologjia, burimet njerëzore dhe organizimi i shërbimeve funksionojnë si pjesë e një sistemi të integruar, të orientuar drejt cilësisë, sigurisë së pacientit dhe rezultateve më të mira shëndetësore. Në të njëjtën kohë, po zgjerojmë edhe shërbimet e specializuara. Po punohet për ngritjen e laboratorit të dytë publik të Fertilizimit In Vitro, duke zgjeruar aksesin e çifteve shqiptare në këtë shërbim të rëndësishëm. Paralelisht, po zhvillohen Laboratori i Gjenetikës dhe shërbimi i kimioterapisë, duke e konsoliduar maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” si një qendër moderne reference për shëndetin e gruas”, bëri me dije ministrja Sala.

Ndërsa, Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij vlerësoi punën dhe kontributin e personelit shëndetësor në të gjithë vendin, ndërsa theksoi se do të vijojë mbështetja për sistemin shëndetësor, përmes investimeve dhe rritjes së pagave për mjekët dhe infermierët.

“Në mbyllje dua të shtoj që ne kemi bërë çmos që pagat tuaja të rriten në mënyrë të vazhdueshme. I kemi rritur ndjeshëm dhe do vazhdojmë t’i rrisim. Ne do vazhdojmë të kujdesemi për mirëqenien e familjeve tuaja, të cilët sakrifikojnë shumë”, u shpreh z.Rama.

Me një investim prej 1.2 miliardë lekësh, Spitali Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, i cili ofron shërbim për mbi 20 mijë paciente çdo vit, tashmë disponon kapacitete të zgjeruara, teknologji të avancuar dhe kushte moderne për gratë dhe të porsalindurit. Investimi përfshin rehabilitimin e plotë të kompleksit, modernizimin e shërbimeve dhe ngritjen e laboratorit të dytë publik të Fertilizimit In Vitro, ndërsa kapaciteti i shtretërve është rritur me 20% dhe sipërfaqja funksionale është dyfishuar.