Ministria e Shëndetësisë

Forcohet bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e parandalimit dhe ndërgjegjësimit për stilet e shëndetshme të jetesës. Këtë verë pritet të nisë një projekt i ri në 36 qendra mjekësore verore në vend, ku do të kryhen ekzaminime depistuese dhe aktivitete sensibilizuese për qytetarët.

Vendimi është marrë gjatë edicionit të tretë të Nave della Salute, një nismë e promovuar nga One Health Foundation. Për dy ditë me radhë, në bordin e tragetit që përshkoi linjën Ankona–Durrës–Ankona, u realizuan mbi 550 vizita dhe teste falas për pasagjerët.

“Ideja është që mjekë italianë të punojnë përkrah mjekëve të rinj shqiptarë gjatë aktivitetit veror të këtyre qendrave, me synimin për të krijuar një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe produktiv”, tha ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala gjatë takimit me ekipin e mjekëve.

Sipas ministres, Shqipëria ka aktualisht disa programe parandalimi, por ato duhet të forcohen më tej, edhe për të ulur ndikimin e sëmundjeve në sistemin spitalor. Prej vitesh janë aktive programet e depistimit për kancerin e gjirit dhe atë të qafës së mitrës, ndërsa është futur edhe vaksinimi kundër HPV për adoleshentët meshkuj.

Autoritetet shqiptare shprehen të gatshme për të avancuar këtë bashkëpunim dhe për të ndërtuar një shkëmbim të qëndrueshëm të njohurive profesionale (knoë-hoë) me Italinë, në funksion të përmirësimit të shërbimeve shëndetësore dhe forcimit të kulturës së parandalimit në vend.